K O M U N I K A T Ë
për media nga Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ) në lidhje me Marrëveshjen e
Sigurimeve Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës
Bernë, 24.11.2014
Për të realizuar të drejtën e tyre njerëzore dhe qytetare të garantuar edhe me Kushtetutën
vendit, Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ) ka ngritur çështjen e pensioneve të mërgatës
kosovare në Zvicër në nivel shtetëror të Zvicrës, problematikë e cila ende mbetet e pazgjidhur
dhe politikisht ende e paralizuar.
Që nga muaji Prill – 2010, Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore në mes të Kosovës dhe
Zvicrës ishte ndërprerë, ku komuniteti shqiptarë, me theks të veçantë ai kosovarë, ende
konsideron se kjo ishte shumë e padrejtë. Për faktin se qytetarët nga Kosova kanë dhënë një
kontribut të çmueshëm në zhvillimin ekonomik dhe atë shoqëror në shtetin Helvetik dhe në
Shtetin e Kosovës, gjë që një gjë të tillë e ka vlerësuar edhe ministri z. Alain Berset.
Z. Alain Berset në përgjigjen e tij ka numëruar disa faktorë që kanë shtyrë në mosarritjen e një
marrëvesheje në mes dy shteteve Zvicër – Kosovë. Nga komunikimi me shkrim i z. Berset është
bërë shumë e qartë, se bashkpunimi me autoritetet kosovare në këtë çështje ka qenë shumë i
vështirë. Ministri Berset ka theksuar se, mjerisht, Republika e Kosovës ende nuk ka një sistem
operacional për çështje sociale, strukturat administrative, por edhe regjistri civil i Kosovës, janë
ende të nivelit shumë të ulët, për të mundësuar një marrëveshje bilaterale.
Kjo çështje ishte sqaruar në takimin e ministrave Berset dhe Rasiç, më 2. dhjetor 2013 në
Bernë. Në atë takim z. Berset ka paraqitur kushtet minimale të cilat duhet plotësuar nga Kosova,
për ta mundësuar arritjen e një marrëveshje të re, siç janë: Regjistri i Gjendjes Civile dhe
Regjistri i Banoreve duhet të jenë të garantuara nga shteti i Kosovës. Këto kushte janë primare
për të mundësuar hapjen e negociatave për arritjen e një marrëveshje ndërshtetërore. Zyra
Federale e Sigurimeve Shoqërore të Zvicrës, përmes Ambasades së Kosovës në Zvicër, në prill
të vitit 2014, i kishte dërguar edhe një pyetësor ministrisë përkatëse të z. Rasiç, nga e cila
ministri, mjerisht, ende nuk ka marr asnjë përgjigje.
Është koha e fundit që t`i jepet fund anashkalimit të diasporës dhe që institucionet përgjegjëse,
Qeveria dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës, përpos kërkimit të kryerjes së obligimeve nga
mërgata, tua mundësojnë mërgimtarëve, në këtë rast, qytetarë të Republikës së Kosovës, të
realizojnë të drejtën e tyre elementare qytetare.
KSHZ-ja konsideron se përmbushja e kushteve nga ana e institucioneve të Kosovës, është
obligim institucional dhe shtetëror. Është përgjegjësi e shtetit, t`u mundësojë bashkëatdhetarëve
realizimi i të drejtës për marrjen e pensioneve. Mbi të gjitha kërkojmë që të mos luhet me
interesin elementar për pensionin e bashkëatdhetarëve të fituar me djersë e sakrificë. Me punën
e tyre ata kanë kontribuar në zhvillimin e këtij vendi dhe e meritojnë pa asnjë dyshim të jetojnë
me dinjitet në vëndin ku ata dëshirojnë.
Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës

























