“Kuq e Zi janë ngjyrat tona.”
Abtwil, St. Gallen – 29 nëntor 2025
Për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë – në Abtwil të kantonit St. Gallen u mbajt një manifestim festiv nën organizimin e LAPSH-it “Naim Frashëri” dhe Studios Artistike “Feniks”. Motoja që udhëhoqi këtë mbrëmje të paharrueshme ishte:
Nga: Gani Shala
Atmosferë festive dhe skenë e gjallë
Skena mori jetë kur të gjithë nxënësit dhe valltarët e Studios Artistike “Feniks”, të veshur me kostume kombëtare shqiptare, u paraqitën me krenari para publikut. Ngjyrat, motivet tradicionale dhe buzëqeshjet e tyre krijuan një atmosferë magjike që i ngriti të pranishmit në këmbë. Sallën e pushtuan duartrokitjet e gjata, të cilat kulmuan me këndimin e himnit kombëtar nga nxënësit dhe pjesëmarrësit.
Programi u hap nga moderatorja Rina Byligbashi, e cila theksoi se shqiptarët, kudo që ndodhen, e kanë për nder dhe obligim të bashkohen në këtë ditë të madhe kombëtare – jo vetëm për të festuar lirinë, por edhe për të përkujtuar me mirënjohje të gjithë ata që me gjakun e tyre i dhanë jetë pavarësisë.
Fjalimet e mësuesve: Mesazh i fortë për gjuhën dhe historinë
Më pas, fjalën e mori mësuesi Gani Shala, i cili u shpreh:
“28 Nëntori është dita e krenarisë, e sakrificës dhe e dashurisë për atdheun. Është dita kur flamuri kuq e zi u ngrit për herë të parë si simbol i lirisë dhe unitetit. Ju ftoj me gjithë zemër t’i dërgoni fëmijët në shkollën shqipe, sepse gjuha shqipe është gjuha e zemrës.”
Edhe mësuesja Afërdita iu drejtua të pranishmëve me fjalë emocionuese:
“28 Nëntori është gur themeli i historisë sonë kombëtare. Kjo ditë na kujton shpalljen e Pavarësisë më 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë. Po ashtu, na kujton ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – emra dhe ngjarje që mishërojnë heroizmin dhe lirinë e shqiptarëve.”
Në emër të LAPSH-it “Naim Frashëri” të pikës shkollore Niderzei, Rejhana Reshiti shprehu mirënjohjen e saj ndaj organizatorëve dhe prindërve për përkrahjen e pashtershme:
“Detyra jonë është të përhapim dritën e diturisë në gjuhën e nënës. Mësimi i gjuhës amtare nuk është luks, por domosdoshmëri dhe mbi të gjitha, obligim kombëtar.”
“Feniksi” ndez atmosferën: vallëzim, traditë dhe emocion
Një moment i paharrueshëm i mbrëmjes ishte interpretimi i valleve nga Studio Artistike “Feniks”, e cila ndezi sallën me emocione të fuqishme. Lëvizjet plot energji dhe harmonitë e valleve tradicionale sollën në skenë shpirtin e gjallë të kulturës shqiptare.
Veprimtari, poeti dhe publicisti i njohur Isuf Sherifi përshëndeti organizatorët duke vlerësuar punën e tyre të palodhshme dhe kontributin e tyre në ruajtjen e vlerave kulturore shqiptare në Zvicër.
Nxënësit në skenë: Dashuri për gjuhën dhe flamurin
Me daljen në skenë të nxënësve të mësimit plotësues, skena u mbush me ngjyrat e flamurit. Ata recituan vjersha për atdheun dhe gjuhën shqipe, nën drejtimin e mësueseve Afërdita Maliqi, Hanife Adili dhe mësuesit Gani Shala. Në zërat e tyre ndjehej qartë dashuria e pastër për flamurin kuq e zi – një dashuri që mbijeton edhe larg atdheut.
Nxënësit u bënë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe, për të ruajtur me fanatizëm kulturën, traditën dhe gjuhën tonë të bekuar.
Muzikë burimore dhe mbyllja solemne
Pas programit të fëmijëve, skena iu dha këngëtarit të mirënjohur të këngës burimore Bexhet Sallai, i cili me interpretimin e tij i dha mbrëmjes një tjetër dimension shpirtëror.
Në përmbyllje të programit, moderatorët Rina Byligbashi, Hafsa Muharremi, Loran Reshiti dhe Elina Adili, të cilët e udhëhoqën me profesionalizëm dhe gjuhë të pastër, u duartrokitën gjatë nga publiku.
Këshilli Organizativ e nderoi Studion Artistike “Feniks” me një dhuratë modeste, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në ruajtjen e traditave kombëtare.
Manifestimi u mbyll me urimin solemn:
“Urime 28 Nëntori – Dita e Flamurit,
për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen!
Gëzuar, dhe mirë u takofshim në programet e ardhshme!”




























