14.9 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Letra e Emmanuel Giordano-s dërguar Imzot Fan S. Nolit

Processed with VSCO with g7 preset

Letra e Emmanuel Giordano-s dërguar Imzot Fan S. Nolit

Përgatitur nga Neki Lulaj

Shkas i publikimit të këtij telegrami tepër përmbajtjesor është dëshira për ta shoqëruar me një hyrje të shkurtër rreth vizitës sime në disa qendra të banuara me arbëresh, si Lungro, San Demetrio Corone (Otoseta), Acquaformosa dhe zonat e tjera të Kozencës, në Kalabri.

Në fillim të marsit të vitit 2025, në një bisedë me mikun tim të çmuar, z. Gjergj Prenkoçaj – veprimtar i palodhur dhe atdhetar i devotshëm, me banim në Lugano të Zvicrës – u dakorduam për një ide të bukur: të vizitonim disa prej qendrave ku jetojnë arbëreshët e Kalabrisë, “gjaku i shpërndarë” i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ndër më shumë se pesë shekuj histori.

Lungro – ndalesa jonë e parë

Ndalesa e parë ishte Lungroja, vendi ku u mbajt Kongresi i dytë gjuhësor shqiptar. Këtu pata kënaqësinë të vizitoja shtëpinë ku ky kongres zhvilloi punimet më 20–21 shkurt 1897, nën kryesinë e profesorit, shkrimtarit dhe poetit të mirënjohur Jeronim De Rada.

“Të jesh mysafir në mesin e arbëreshëve të Lungros, sa është përgjegjësi aq është edhe privilegj. Këtu shqiptaria ka lëshuar rrënjë, është ulur këmbëkryq dhe ruhet me fanatizmin më të madh.”

— N. Lulaj

Në takimin tonë të parë, menjëherë vumë re mallin e madh që arbëreshët kishin për shqiptarët matanë detit. Kudo ku shkuam, pamë me sy se sa me dashuri dhe respekt ruhen kujtimet e qëndresës historike, si dhe heroizmi i kryetrimit legjendar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në çdo qendër që vizituam, kishte një shtatore të tij.

Ky komunitet, i zhvendosur në vitin 1468 – në gjysmën e dytë të shekullit XV – kur mbi 500 mijë shqiptarë nga Shqipëria, Morea, Çamëria dhe vise të tjera shqiptare u detyruan të shpërnguleshin nën terrorin e pushtuesit osman pas vdekjes së prijësit të tyre, ruan me fanatizëm fenë, traditën, gjuhën, doket, zakonet dhe gjithë trashëgiminë shpirtërore të identitetit arbëror.

Letra e Emmanuel Giordano-s dërguar Imzot Fan S. Nolit

E nderuara Shkëlqesi, Imzot Fan S. Noli – Boston

Unë që po ju shkruaj jam papas Manuil Giordano, arbëresh i Kalabrisë, famulltar i fshatit të Eparkisë Arbëreshe të Lungros.

Më parë i uroj Shkëlqesisë Suaj paqe dhe ditë të gjata për të mirën e popullit shqiptar (të Atdheut të shpërndarë në botë); pastaj ju bëj me dije se kam mbaruar Fjalorin e parë Arbëresh. Këtë punë e kam filluar para shtatë vjetësh dhe tani dua ta botoj.

Besoj se Shkëlqesia Juaj e ka parë lajmin mbi “Shejzat” (e përkohshmja që botohet në Romë, vjeti V, nr. 9–10, shtator–tetor 1961, f. 348). Besoj gjithashtu se keni lexuar në “Shejzat” (vjeti IV, korrik–gusht 1960, nr. 7–8) germën “Z” të fjalorit tim.

Por tashmë, mjetet për botimin – të hollat – nuk i kam të gjitha. Më duhen rreth 5 milionë lireta, ndërsa deri tani kam siguruar një milion e gjysmë nga Ministria e Arsimit të Italisë dhe nga disa miq të tjerë.

Nëse Shkëlqesia juaj mund të mbledhë ndër vëllezërit shqiptarë të Amerikës dy a tre milionë lireta dhe të m’i dërgojë sa më shpejt, do të bëni një vepër të madhe atdhetarie. Pas botimit, do t’i dhuroj Shkëlqesisë Suaj 400–500 kopje të fjalorit arbëresh, për t’ua shpërndarë vëllezërve shqiptarë të Amerikës.

Fjalori im përmbledh rreth 17.000 fjalë arbëreshe, me shumë thënie, fjalë të urta, të mbledhura nga zëri i popullit arbëresh dhe nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë. Kjo vepër është shumë e nevojshme për botën kulturore arbëreshe, shqiptare dhe ndërkombëtare.

Me shpresën se zemra e madhe e Shkëlqesisë Suaj nuk do ta lërë në harresë dëshirën time dhe të gjithë Kombit Shqiptar, ju uroj Ju dhe vëllezërve shqiptarë e arbëreshë të Amerikës një Krishtlindje të Shenjtë dhe një Vit të Ri të bardhë.

I përunjti vëlla në Jezu Krisht,

(Papas Manuil Giordano)

Ejaninë, 11 dhjetor 1961


Foto: Wikipedia / Public Domain / edituar nga transnacional.ch