27.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

JO NË EMRIN TONË!

Screenshot
Screenshot

E drejta për të protestuar është një nga shtyllat themelore të demokracisë. Prandaj e respektoj dhe e mbështes të drejtën e çdo qytetari për të ngritur zërin kundër korrupsionit, mungesës së transparencës, dëmtimit të mjedisit dhe keqpërdorimit të pushtetit.

Megjithatë, kam rezerva ndaj thirrjeve për t’u mobilizuar në emër të “Diasporës shqiptare”, sikur ajo të kishte një qëndrim unik dhe të përbashkët. Përvoja ime shumëvjeçare në organizimin e diasporës në Zvicër më bën të pyes: kush e ka mandatin të flasë në emër të saj?

Diaspora shqiptare, fatkeqësisht, mbetet ende tepër pasive kur bëhet fjalë për interesat e veta afatgjata. Rrallë mobilizohemi për të drejtat tona politike, për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, për organizimin profesional, për përfaqësimin tonë në vendet ku jetojmë dhe në vendet e prejardhjes, për të drejtat sociale, për forcimin e rrjeteve akademike e profesionale apo për ndërtimin e strukturave të qëndrueshme të bashkëpunimit.

Po aq e rëndësishme është të shtrojmë edhe disa pyetje themelore lidhur me protestat aktuale në Shqipëri.

A kemi të bëjmë me një lëvizje të gjerë qytetare dhe sociale, apo kryesisht me një mobilizim politik?

Cila është alternativa konkrete që ofrohet? Si do të forcohen institucionet, transparenca, pjesëmarrja qytetare dhe shteti i së drejtës? Si do të ruhen njëkohësisht stabiliteti institucional dhe rruga evropiane e Shqipërisë?

Historia na mëson se ndryshimi i qeverive nuk sjell domosdoshmërisht ndryshim të kulturës politike. Demokracia ndërtohet përditë, me institucione funksionale, dialog shoqëror, përgjegjësi publike dhe qytetari aktive.

Prandaj besoj se qytetaria aktive nuk fillon vetëm në sheshe. Ajo fillon në lagje, në vendin e punës, në sindikata, në shoqata, në komunitete dhe në angazhimin e përditshëm për të mirën e përbashkët.

Diaspora jonë ka potencial të jashtëzakonshëm. Pikërisht për këtë arsye do të dëshiroja ta shihja shumë më të organizuar, shumë më aktive dhe shumë më të zëshme për të gjitha çështjet që prekin interesat e saj dhe zhvillimin demokratik të vendeve tona — jo vetëm në momente protestash, por çdo ditë.