21.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Jubileu i LKSHM-së një manifestim madhështor, përshkuar me vargje e tinguj muzikor

Të gjithë pjesëmarrësit e manifestimit dyditor me moton: «Nëntori Letrar-Kulturor 2023», Manifestim ky Jubilar në 10 Vjetorin e veprimtarisë së LKSHM-së, me nikoqirët: Shoqatën kulturore «Bekim Berisha – ABEJA» dhe Klubin Letrar «Martin Camaj», këtë ngjarje e ndien dhe përjetuan, si diçka shumë të afërme e njerëzore, aq më parë që solli shumë ngrohtësi e emocione.

Manifestimin, pas himnit kombëtar dhe një minutë heshtjeje në kujtim të shkrimtarëve që ndërruan jetë, e shpalli të hapur sekretari i LKSHM-së, poeti Mentor Thaqi i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke veçuar pjesëmarrjen e ish-komandantit të Brigadës së lavdishme 138 “Agim Ramadani”, gjeneralit Rrustem Berisha.

Më pastaj një fjalë në 10 vjetorin e themelimit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë e mbajti, e mbajti kryetari Musa Jupolli.  Me këtë rast shkëputëm disa fragmente nga fjala e Musasë: “ Një udhëtim i bukur, ku u shpalosën vlerat e artit; poezi, prozë, pikturë e nota që pasurojnë kulturën tonë kombëtare, si dhe kuriozitetin e të tjerëve, të tjerëve që të njihet gjuha dhe arti ynë!

Roli i shkrimtarit dhe kritika n’ artin e saj

Shkrimtari mbi të gjitha i donë fjalët dhe është njohës i mirë i gjuhës.

N’ imagjinatën i tij krijohet vepra, vepra letrare; romani, ese, drama, poezia, tregimi, recensioni… dhe jepet biografia…

Shkrimtari qëndron në publikimin e shkrimeve të tij, kritika i vjen si një “pasqyrë” që i reflekton shkrimet, anën e qëndrimit, sa edhe anën e vërejtjeve nëse ajo e sheh të arsyeshme, të logjikshme duke mos pasur asnjë anim.

Detyra e shkrimtarit është të “riprodhojë” realitetin ashtu siç është, që mos të jemi në “shënjestër “nga dobësitë tona, nga përçarjet në veçanti!

Kjo vlen edhe për klasën politike!

Vetëm me armë nuk e fitohet gjithherë lufta , morali është ai që e mbanë një popull, ndaj mos të lejojmë që populli ynë ta humbë moralin, shpresën e jetës, shtet laik dhe se demokracia është e vetmja e ardhme e kombit.

Rilindja jonë u polarizua nga përfaqësues profetik si de Rada, Naimi, Veqilharxhi e sa të tjerë n’ artin e tyre të shkrimeve, figura romantike gjeniale, po edhe më herët Bogdani, Budi e Matrënga,dhe u bënë “model “ i shkrimtarëve të mëvonshëm, ashtu siç ishin Victor Hugo në Francë apo Oscar Wilde tej oqeanit, dhe kjo është përgjegjësi morale për ne sot!

Shkrimtari nuk është përçarës, nuk i përket ndonjë ideologjie t’ anti vlerave, nuk i përket ndonjë ideologjie fetare, ai është prodhues i vlerave letrare dhe si i tillë vepra e tij mbetet në thesarin e kulturës si vlerë universale!

“Atdhetaria dhe humanizmi bëhen me punë e jo me fjalë”…thotë Sami Frashëri

Ju përshëndes përzemërsisht, duke ju dëshiruar një mbrëmje të bukur letrare në këtë 10 vjetor të themelimit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë!

Më pastaj në skenën e këtij organizimi defiluan krijese nga vendet e ndryshme, si Austria Gjermani, Zvicra, Franca e të tjera si dhe u ndan krahas shpërblimeve tradicionale edhe mirënjohje të veçanta.

Kësaj radhe çmimi i parë “Pena e artë “ iu nda pedagogut, Publicistit dhe shkrimtarit, Hazir Mehmeti nga Austria, punim i artistit nga Parisi, Sokol Ahmetaj; Çmimin «LKSHM- 2023 Fran Tanushi»- e ndanë dy poete po ashtu nga Austria Angjelinë Marku  dhe Violetë Allmuçaj; “Çmimi 28 Nëntori”, skulptorit Mal Myrtaj; Çmimin “Kongresi i Manastirit”, Nysret Dërgutit nga Gjermania¸; Çmimi «Fisnikria»- poetes nga Franca, Fakete Rexhës .- Me mirënjohje speciale “Plisi” u nderuan gjeneral RRustem Berisha dhe Naser Hoxha, pronar i Kullës së Juniku që bëri emër në histori. Me mirënjohje u shpërblyen një pjesë e mirë e krijuesve pjesëmarrës, të cilët edhe lexuan punimet e tyre me këtë rast, që kishte kryesisht karakter festiv e jo garues.

Dita e dytë kulmoi me një program artistik të përshkuar me këngë nga artistë e grupe muzikore, por edhe me kthimin në traditë të hershme shqiptare, përmes eventit të Darkës së Lamës, organizuar nga shoqata nikoqire «Bekim Berisha – ABEJA», që udhëhiqet me shumë sukses nga veprimtari i palodhshëm e kreativ Bashkim Halilaj, i cili në emër të Këshillit Organizativ: LKSHM, KL «Martin Camaj» dhe Shoqata «B.B.-ABEJA» dha këtë prononcim:

Falënderim dhe mirënjohje nga ana jonë për secilën dhe secilin që na nderoi me pjesëmarrje dhe kontributdhënje, që ia shtuan vlerën Manifestimit!

Sivjet, me ardhjen e tyre tejet nderuese na gëzuan të mirët tonë nga Atdheu: Luftëtari i Lirisë dhe Komandanti i Njësive tona luftarake në Luftën e Lavdishme të Koshares Gjeneral Rrustem Berisha me zonjën e tij, Doktorët e shumënderuem Prof. Dr. Rexhep Selmani dhe Dr. Kosovë Bajraktari me zonjat e tyre!

Pa dyshim që falënderimi i përzemërt iu takon artistëve që zbukuruan këtë ngjarje shpirtnore, të gjithë një nga një, e që kësaj here do i veçojmë yjet tonë-tona që garantojnë ardhmëri të ndritshme të kulturës sonë, shkollarët e rinj!»

Për darkën e lamës si trashëgimi kulturore kontribuuan grupe e artistë vendas, qoftë me këngë apo me valle e instrumente tradicionale shqiptare, ndërsa që e udhëhoqi shkrimtari, Mentor Thaqi, duke i dhënë ngjyrën e humorit e të traditës së odave shqiptare.  Do te ishte e padrejtë po të mos e përmendim rolin e gruas shqiptare në këtë orgaizim, ngase ato e bartën barrën kryesore që të përgatisin aq shumë ushqim sa për më tepër se njëqind pjesëmarrës, duke gatuar e sjell aq shumë ushqime të llojllojshme. Por gjithashtu ato sollën edhe këngën e dasmave me defe e këngë, duke krijuar një ambient shumë të këndshëm e gazmor.