Isuf Sherifi:
REQUIEM PËR NJË GJENERAL SUPREM ME HAPA FLUTURE DHE KRAHË SHQIPONJE
(mikut Agron Bajrami)
Më të lehtë se fluturat mbi petale lulesh
dhe ngjyrat mbi krahë të tyre
veç hapat e Tu magjik.
Më domethënës se fluturimi i shqiponjës
veç vallëzimi Yt epiko-lirik.
Kallëzimi për Ty Agron
përkundje e dritës
mes alpeve shqiptare dhe helvetike,
bartje e diellit mbi supe ikonike
që i nënshtrohen melodive hyjnore
që dalin nga frymë Yte liriko-epike.
Më epik se Ti Agron
veç vallëzimi Yt.
Më magjik se vallëzimi Yt
veç kallëzimi për Ty.
Magji e krahëve të Tu Agron
ledhatonin Gjeravicë e Korab
mënjanë,
më tjetrën miklonin Materhorn e Mont Blanc.
Agron, Ti Gjeneral Suprem i skenave të folklorit
frymë Yte mbjellur gjithkund
partiturave qiellore pafund
në paqe dhe në luftë.
16.03.2018

























