Aktivisti i palodhshëm Islam Alijaj për perfshirje në shoqeri dhe jete politike të njerëzve me aftësi te kufizuara shkroi histori duke u zgjedhur deputeti i parë shqiptaro-zviceran në parlamentin e konfederatës zvicerane. Krahas Islamit, kandidat për parlamentin zviceran ishin edhe rreth 30 shqiptaro-zviceran tjerë.
Islam Alijaj është i mirënjohur si drejtues i “revolucionit të personave me aftësi të kufizuara” në Zvicër. Ai nga përvoja personale e tij, njeh dhe e dinë se çka domethënë me qenë i përjashtuar nga përditshmëria „normale“ për shkak të handikapit.
Miqtë dhe beshkëpunutorët e tij, Islamin e njohin si njeri me shumë energjine pozitive, i cili dallohet për humorin dhe inteligjencen e tij të jashtëzakonshme. Ai është treguar prore solidar me grupet e margjinalizuara, migrantët dhe punëmarrësit, andaj ka fituar simpatinë, respektin dhe mbështetjen e tyre.
Islam Alijaj pas lindjes nuk ka pas mjaft oksigjen dhe si pasoj e kësaj është përballur me vështirësi në të ecur dhe të folur. Por truri i punon palodhshem.
Islam Alijaj është 36 vjeçar dhe prind i dy fëmijëve, një vajze e një djali. Para 29 viteve, në moshën 1 vjeçare vjen në Albisrieden afër Cyrihut, ku jeton sot e kësaj dite. Për shkak të aftësive të kufizuara është dashur që në „kornizat e mbrojtura“ të kryej shkollimin për komercialist. Pas mbarimit të shkollimit, në vitin 2008, së bashku me shokun e tij të shkollës, David Siems angazhohet në lëvizjen zvicerane për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara. Në vitin 2013 këta të dy kanë themeluar Shoqatën «selbstbestimmung.ch» (shqip: vetëvendosje) me të njëjtën faqe të internetit. Me portalin e tyre të lajmeve për një kohë kanë sfiduar e shkundur mirë e mirë industrinë e cila merret me njerëzit me aftësi të kufizuara. Prej 2015 Islam Alijaj ishte kryetar i Shoqatës në fjalë dhe më pas edhe i Shoqatës “Tatkraft” (që në shqip dmth: aftësia për të kontribuar dhe arritur diçka). Falë këtij angazhimi e përkushtimi, ai shpejtë është bërë emër i njohur në politikën për njerëz me aftësi të kufizuara në Zvicër, dhe jo vetëm. Është anëtarë në organe të ndryshme në nivel kombëtar të Zvicrës, të cilat merren me politikën sociale dhe për njerëz me aftësi të kufizuara. Islam Alijaj në rrafshin ndërkombëtar ishte pjesë në një grup pune që kishte për qëllim zbatimin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Zvicër.
Në vitin 2017 ka vendosur të angazhohet në Partinë Socialdemokrate dhe shpejt e ka gjetur veten aty. Ai gjithashtu është anëtarë i kryesisë së Partisë Socialdemokrate të Cyrihut. Në vitin 2022 është zgjedhur në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut, ku është edhe anëtarë i Komisionit për çështje arsimore.
Synimi i tij politik është një shoqëri (gjithë)përfshirëse (inklusive). Një shoqëri gjithëpërfshirëse fokusohet në potencialin e individëve. pra, aftësitë e jo mangësitë secilit janë të rëndësishme.
Veprimtari shoqëror dhe politikani Islam Alijaj zhvilloi një fushatë zgjedhore shembullore dhe arriti të përfitoi shumë mbështetës. Në zgjedhjet parlamentare federale të Zvicrës, të zhvilluara me 22 tetor 2023, Islam Alijaj mori 95’054 vota, që i siguruan ulësen në parlamentin zviceran, me çka thyen akullin dhe hap perspektiva për politikan tjerë shqiptaro-zviceran.
Nuk mungoi, para së gjithash, edhe mbështetja e aktivistëve sindikalistë shqiptaro-zviceranë të Unia Regjioni Cyrih me në krye Xhafer Sejdiun dhe Qendrës “Parandalo” të Cyrihut me në krye Valdete Hotin.
Rrugëtimi i angazhimit dhe përkushtimit shoqëror e politik të Islam Alijajt tregon se cila është rruga që duhet ndjekur për të arritur suksese deri edhe historike, edhe përkundër pengesave fizike e shëndetësore, por edhe i atyre të natyrës strukturore e institucionale.
Rëndësia e zgjedhjes së shqiptaro-zviceranit të gjeneratës së dytë dhe si njeri me aftësi të kufizuara është shumë e madhe dhe inkurajuese edhe për të gjithë njerëzit tjerë që nuk përballen me parakushte të tilla kufizuese sikur Islami. Kjo flet edhe për mundësitë që ofron Zvicra, përkundër mangësive të caktuara demokratike kur është fjala për migrantë dhe grupeve të ndryshme të stigmatizuara.
Më shumë rreth angazhimit dhe përkushtimit shoqëror e politik të Islam Aijajt mund të lexoni në ueb faqen e tij si dhe ne shkrimin e publikuar qysh në vitin 2016 në portalin tonë: https://transnacional.ch/akoma-shum-veta-vazhdojn-t-mbesin-jasht-kujdesit-shoqror/



























