19 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Ish-shtëpia alternatives shqiptare në Ferizaj, me muze etnografik   

 

Pasi për disa dekada, atdhetari i shquar Musa Emini nga Ferizaj i shërbeu me tërë familjen çështjes shqiptare, veçmas në periudhën e okupimit klasik serb, duke e lënë shtëpinë në shërbim të organizimeve shqiptare, ndërkaq pas lufte i prirë nga pasioni dhe dashuri për trashëgimi, një pjesë të shtëpisë e ktheu në muze të mirëfilltë etnografik

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Një nga figurat ferizajase që për disa dekada u vu në shërbim të organizimeve shqiptare të para, gjatë dhe pas luftës edhe atë me vite e dekada, ishte humanisti dhe atdhetari i spikatur Musa Emini. Shtëpia dhe familja e Musës, nuk ishte vetëm një seli e zakonshme e gjithë alternativës shqiptare, që pat marrë hov në ato vite, siç ishte selia e Degës së LDK-së, apo selija e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në këtë komunë e të tjerë, por edhe një vatër e ngrohtë mikpritjeje e dashurie njerëzore, ku gjenin strehim dhe zemërgjerësi njerëzit pa dallim bindjesh politike apo përkatësie fetare e partiake.

Kësaj radhe nuk do të ndalem te puna e atyre periudhave të rënda, që Musa me familje nuk i kaloi edhe pa pasoja, sepse pati raste kur edhe u arrestua e keqtrajtua bashkë me të shoqen nga policia serbe, por do të ndalem tek një pasion tjetër që solli një vepër me vlerë jo vetëm për lagjen ku banon Musai, por edhe për vet qytetin e Ferizajt.

I dashuruar në vlerat e trashëgimisë kulturore, Musa Emini në vitet e pasluftës u përqendrua në grumbullimin e vlerave etnografike, eksponateve nga fusha të ndryshme të punës blegtorale e bujqësore apo edhe krijimtarisë artizanale e të fushave të tjera.

Së voni, kur desha të vizitoj shtëpinë e dikurshme të Musa Eminit, ku kisha përcjell shumë aktivitete për gazetën që punoja, nuk e dija  se Musa, tash një kate të shtëpisë së tij e kishte kthyer në muze, ndaj edhe mbeta i befasuar për të mirë. Me kënaqësi të madhe pash se si një pjesë të shtëpisë ishte kthyer në muze, pasuruar me shumë artefakte të cilat i kishte grumbulluar në qytetin e Ferizajt dhe lokalitetet për rreth. Gjithë këtë punë e kishte bërë për disa vite me shumë zell, dashuri e përkushtim, pa pasur as ndihmën më të vogël materiale e besa as edhe morale. Kishte arrit të tubojë orendi të ndryshme shtëpiake, bujqësore, muzikore, kostume popullore apo edhe libra të rrallë. Po aty hasa edhe foton e nënës së tij fisnike me të cilën edhe pata zhvilluar një intervistë për rrugëtimin e saj të vështirë jetësor nga fakti se burri i saj ishte një atdhetar i devotshëm, por pas vdekjes së tij, kjo grua trimëreshë e vazhdoi amanetin e të shoqit, duke i brumos fëmijët e saj me bujari e atdhetari, ndonëse mbante familjen me punë dore.

Ajo që bie në sy në pjesën e shtëpisë të kthyer në muze, nga pronari i saj Musa Emini është, se lokali nuk mjafton për gjithë ato qindra eksponate që ka grumbulluar ky njeri i dhënë pas vlerave materiale e shpirtërore të popullatës shqiptare të kësaj ane. Po të ishte një ndihmesë sado modeste materiale nga komuna e Ferizaj, një pjesë e muzeut do të mund të zgjerohej, sepse kujtesa na thotë se kjo shtëpi dhe ky muze nuk i përket vetëm Musa Eminit, por edhe qytetit të Ferizajt e më gjerë. Sepse do të ishte me interes që këto eksponate e vlera ti ofrohen edhe nxënësve, studentëve të tjerëve, por në kushtet në të cilat sot vepron ky muze, nuk i plotëson kriteret elementare. Ndaj edhe mendoj edhe si qytetar e edhe si institucione, por edhe ne mërgimtarët që kemi përcjell prej vitesh punën e madhe të Musa Eminit duhet ti ndihmojmë atij që një ditë ky muze të ketë kushte më të mira: një lokal pak sa më të madh, aq më parë që shumica e heronjve dhe dëshmorëve që ranë në luftën e fundit, siç ishin: Enver Topalli, Hyrë Emini, Rexhep Bislimi e të tjerë, po në këtë shtëpi zhvilluan një pjesë të aktivitetit humanitar, informativ e politik. Madje, jo vetëm ata, por edhe një pjesë e aktivistëve që pas lufte deri më sot u bënë pjesë e institucioneve dhe organeve komunale, aktivitetin në masë të madhe e filluan dhe zhvilluan pikërisht në këtë shtëpi.

Ndaj edhe krahas ndihmës për muze, shtëpia e Musa Eminit së paku e meriton një pllakë përkujtimore në shenjë falënderimi jo vetëm për pronarin e saj, por edhe gjithë ata që nga këtu u mobilizuan jo vetëm në frontin politik e social por edhe atë ushtarak, çlirimtar, disa nga ta të flijuar në altarin e lirisë.   

Kur flasim për shtëpinë e Musa Eminit, mund të flasim për një institucion në vete, sepse për disa vite aty zhvilloheshin ngjarje e aktivitete të shumta. Dhe që e tërë kjo mos të bie në harresë ne , pronari i saj së paku përmes këtij muzeut sikur na e kujton se aty ku dikur ka lind e dhe ka lulëzuar rezistenca ndaj një okupuesi shekullor, së paku tash po lulëzon një kulturë tjetër, ajo e një muzeu origjinal që ruan në gjirin e tij qindra artefakte me vlerë.

Dhe që të themi tjetër: pos urime dhe jetëgjatësi dhe shëndet Musa Emini, që përherë në çdo rrethanë ngele vertikalisht dhe nuk u theve as nga represioni dhe vrazhdësia e pushtuesit e as nga lakmitë e ligështitë njerëzore!