Debati mbi ekzistencën e një “kombi kosovar” lidhet me një keqkuptim të natyrës së kombit dhe të shtetësisë në kontekste të ndryshme historike dhe politike. Në traditën sociologjike dhe të politologjisë, kombi i referohet një bashkësie me karakteristika të përbashkëta gjuhësore, kulturore, historike dhe etno-simbolike, ndërsa shtetësia i përket sferës juridike dhe politike të përkatësisë ndaj një entiteti shtetëror. Në këtë kuptim, Kosova është një shtet i ri me një identitet qytetar, por jo një komb i ri në kuptimin etnik ose kulturor.
Në historinë e re, shqiptarët e Kosovës kanë kërkuar njohjen si komb brenda strukturave të ish-federatës jugosllave, sepse në atë sistem vetëm kombet shtetformuese kishin të drejtën për republikë, vetëvendosje dhe subjektivitet politik të plotë. Platforma e fundviteve 1970 dhe demonstratat e vitit 1981 artikuluan kërkesën për Republikë Shqiptare në kuadër të RSFJ-së, e cila synonte barazi politike me popujt e tjerë dhe përfshirjen e të gjitha territoreve me shumicë shqiptare në federatë. Kjo kërkesë për republikë ishte kompromis historik i shqiptarëve në rrethana ku bashkimi me Shqipërinë ishte i pamundur.
Pavarësia e Kosovës më 2008, e kufizuar në kufijtë e ish-Krahinës Autonome të Kosovës, përfaqëson një kompromis tjetër të ndërlikuar, i cili solli konsolidimin e shtetësisë kosovare, por nuk krijoi një identitet të ri kombëtar. Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të jenë pjesë e kombit shqiptar, ndërsa komunitetet tjera etnike në vend ruajnë identitetet e tyre kombëtare, duke u integruar në një kornizë të përbashkët shtetërore.
Termi “kosovar” është i vlefshëm dhe funksional vetëm në kuptimin qytetar: si përshkrim i përkatësisë ndaj Republikës së Kosovës, i ngjashëm me praktikat e identiteteve civike në shtete multietnike si Zvicra, Belgjika apo Kanadaja. Ai nuk përfaqëson kategori etnike, kulturore apo historike të tipit nacional. Prandaj, nga perspektiva akademike, është e saktë të thuhet se në Kosovë ekziston shtetësia kosovare, ndërsa identitetet kombëtare mbeten të ndryshme, me identitetin shqiptar si identitetin dominues të shumicës.
Në këtë dimension, dilema “komb kosovar apo shqiptar” nuk është dilemë reale e sociologjisë së kombit, por një pasojë e tranzicionit shtetformues, e ndërveprimit politik dhe e përpjekjeve për ndërtimin e një identiteti qytetar gjithëpërfshirës.
Identiteti kombëtar dhe tensionet e konceptit “multietnik” në rajon
Në të drejtën ndërkombëtare dhe në studimet e shtetformimit, Kosova paraqet një rast të veçantë ku konceptet e kombit, shtetësisë dhe multietnicitetit ndërthuren në mënyrë të pazakontë. Ndryshe nga shtetet fqinje me përbërje shumë të larmishme etnike, por që vetëdefinohen si shtete kombëtare (nation-states), Kosova, me mbi 90% popullsi shqiptare, është kornizuar nga bashkësia ndërkombëtare si shtet multietnik. Kjo ka prodhuar një realitet juridik dhe politik që shpesh është më shumë konstrukt normativ sesa pasqyrim i strukturës demografike dhe historike të vendit.
Maqedonia e Veriut, me më shumë se një të tretën e popullsisë shqiptare, dhe Mali i Zi, me mbi një të pestën e popullsisë shqiptare, boshnjake dhe të komuniteteve të tjera, vazhdojnë të funksionojnë si shtete të strukturuara mbi identitetin dominant etnik maqedonas dhe malazez. Në këto modele, pluraliteti etnik trajtohet përmes mekanizmave të përfaqësimit proporcional, por pa e sfiduar karakterin kombëtar të shtetit.
Në Kosovë, megjithëse realiteti demografik është diametralisht i kundërt, është imponuar paradigma e shtetit multietnik si parim themeltar, i cili shërben si garanci e mbrojtjes së komuniteteve jo-shqiptare. Kjo qasje është e kuptueshme në kontekstin e ndërtimit të paqes pas konfliktit, por ajo sjell tensione strukturore kur përplaset me kërkesat për krijimin e një etniteti të veçantë serb nëpërmjet Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo iniciativë, e mbështetur fort nga disa aktorë ndërkombëtarë, krijon paradoksin më të madh teorik dhe praktik: në një shtet që promovon modelin multietnik, kërkohet institucionalizimi i një njësie ekskluzivisht monoetnike.
Ky dualizëm e vë në pikëpyetje konsistencën konceptuale të vet kornizës ndërkombëtare të dizajnuar për Kosovën. Nëse Kosova është shtet multietnik, atëherë ruajtja e të drejtave të komuniteteve duhet të bëhet në mënyrë horizontale përmes parimit të barazisë së shtetasve, e jo me mekanizma vertikalë të cilët prodhojnë një strukturë brenda strukturës. Nëse ndërkombëtarët mbështesin krijimin e një etniteti të veçantë serb, atëherë shtrohet pyetja pse të njëjtat standarde nuk aplikohen në Maqedoni apo Mal të Zi për komunitetet shqiptare, boshnjake apo rome.
Në këtë kontekst, shqiptarët e Kosovës mbeten brenda një tensioni të dyfishtë: një popull i vjetër me identitet të qartë kombëtar, brenda një shteti të ri të konceptuar si multietnik, i cili njëkohësisht ekspozohet ndaj kërkesave për krijimin e strukturalizimit etnik të serbëve. Ky realitet sjell sfidën kryesore identitare të Kosovës sot: si të ndërtohet një identitet qytetar gjithëpërfshirës pa cenuar identitetin kombëtar të shumicës, dhe si të garantohen të drejtat e komuniteteve pa krijuar struktura paralele që e relativizojnë sovranitetin e shtetit.
Në analizën akademike bashkëkohore, Kosova shihet si një laborator i tensionit midis modelit klasik të shteteve-komb dhe modelit të shteteve multietnike të dizajnuara nga ndërhyrjet ndërkombëtare. Ballafaqimi me këtë realitet kërkon qasje të matur, reflektim, dhe një kuptim të thellë të dinamikës së identiteteve dhe institucioneve në Ballkan.


























