SHEMBULLI MË I MIRË SE SI RUHET GJUHA, KULTURA TRADITA E KOMBIT DHE VETË KOMBI NGA HUMBJA E IDENTITETIT
Ibish Neziri: In Memoriam për At Antonio Belushin, i cili u nda nga jeta më 20 qershor
Figurë ndër më madhoret mes arbëreshëve të Kalabrisë, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi në fushën e shkencave shoqërore. Prift, etnolog e studjues dhe botues që emrin e tij e ngriti përmes punës së palodhshme dhe përpjekjeve të tij të pandalura për studimin, ruajtjen e e kultivimin e kulturës arbëreshe, jo vetëm të Italisë, por edhe të arbëreshëve (arvanitasëve) të Greqisë, si pjesë e pandashme e kulturës shqiptare.
Kontaktin e parë të drejtë përdejtë me një figurë të shquar arbëreshe, pas takimeve sa për një përshëndetje a autogram me poetin e mirënjohur Vorea Ujko dhe me Kate Xukaron, në Mitingun e përvjetshëm të Poezisë, e pata në verën e vitit 1979 në Frankfurt me arbëreshin e Çiftit Prof. Dr. Vincenxo Golletti – Baffa, cili atë verë m’i dhuroi katër numra të gazetës «Katundi ynë» dhe libërthin «Alfabeti shqip i Programuar» e shumë vjetë më më vonë edhe disa dorëshkrime tjera, të cilat që të gjitha së bashku i ruaj me shumë kujdes.
Në marsin e vitit 1994 në një simpozium për Aleksandër Moisiun, në Lugano të Zvicrës e takova arbërishin tjetër të madh, At Antonio Belushin, i cili edhe më mori një prononcim të shkurtër për gjendjen në Kosovë, pasi nuk kishte shumë kohë që isha arratisur nga Kosova në Zvicër. Deri sa bisedonim, me të më pat thënë: «Me juve gazetarët nga Kosova nuk po pajtohem me një gjë». Po cila është ajo gjë, At Belushi, e pyeta. Pse shkruani apo thuani «serbo-çetniko-fashisto-komunisto ortodoks, kur flisni për serbët», deri sa mjafton të thuhet vetëm serb, ngase sot emri serb është bërë sinonim i të gjitha të këqiave edhe pa ato fjalët tjera?» Nuk më la hapësirë për përgjigje prandaj edhe mbeta duke e shikuar. Mënyra se si m’i tha ato fjalë, ishte mjaft mbresëlënëse. Nuk kisha si ta kundërshtoja, prandaj edhe heshta. Kur thirrën për të vazhduar seancën tjetër të simpoziumit, nga një çantë bukur e madhe që e mbante të varur në krah i nxori disa numra të gazetës «Lidhja» dhe m’i dhuroi. Një dhuratë aq e mirë e e dashur sa edhe katër numrat e gazetës «Katundi ynë» që m’i pat dhuruar 15 vjetë më parë Vincenxo Golletti – Baffa.
Herën tjetër At Belushin e takova në suaza të një simpoziumi tjetër në Zvicër, të cilin e kishte organizuar Departamenti apo Ministria e Diasporës, nuk më kujtohet mirë.
Më dukët, një ditë pas simpoziumit, miku im Avni Dehari më telefonoi dhe më pyeti nëse at Belushi mund të qëndronte tek unë për disa ditë, dhe, natyrisht, se do ta prisnim me shumë kënaqësi. Për neve ishte privilegj e nderë ta prisnima At Belushin në shtëpi, por frigohesha se nuk do të mund ta prisja si doja e si duhej.
Tani më nuk e dij nëse e solli Avniu apo dikush tjetër tek unë në Buchs. Të gjithë e pritem me dashuri e me respekt. Edhe Shpendi e Iliri të cilët nuk kishin më shumë se njëri 8 e tjetri 10 vjet, dhe ishin të vegjël për ta kuptuar se kush ishte Xhaxhi Belushi, si i thonin.
Shumë shpejt u liruan me të dhe u miqësuan me njëri tjetrin.
Ai luante dhe këndonte me ta. Nganjë herë iu thonte:
«Ujë për krimba
Verë për gjak,
Raki për burrë.
Një raki rrushi
për xhaxhin Belushi»,
dhe Shpendi vraponte te frigoriferi a te dollapët për të gjetur ndonjë shishe raki.
Jo rrallë i ulte Shpendin dhe Ilirin në të djathtë dhe në të majtë dhe ua këndonte këngët arbëreshe duke i nxitur edhe ata që «t’i ndihmonin», më qëllim që t’au mësonte ato këngë.
Pas disa ditësh iku. Unë dhe, tani i ndjeri Agron Bejrami e përcollem deri në Zofingen nga ku duhej të nisej me autobus për në në Frasnitë.
Kur u ktheva në shtëpi, Shpendin dhe Ilirin i gjeta të mërzitur, sigurisht nga ikja e «Xhaxhi Belushit»
«A shkoi?» – më pyetën.
«Po», – iu thash, -shkoi.
A vjen prap Xhaxhi Belushi te na, përsëri më pyetën dhe unë iu thash, gjithësesi se do të vije, U gëzun dhe duke ikur në dhomën e tyre thanë «Le të vije se ne e duam Xhaxhi Belushin.»
At Belushi me të arritur në Frasnitë më tëlefonoi të më njoftonte se rruga kishte shkuar shumë mirë dhe për të më falenderuar për mikëpritjen.
Pas atij qëndrimi te ne, dëgjoheshim herë pas here përmes telefonit dhe asnjëherë nuk harronte të më pyeste për fëmijët me emër se si janë dhe si shkojnë me mësime, por edhe asnjëherë nuk harronte të më thonte t’i merrja fëmijët dhe të shkoja në Frasnitë.
Vitet iknin njëri pas tjetrit. Telefonatat vazhdonin, por jo shpesh si më parë. At Belushi erdhi edhe dy apo tri herë në Zvicër për pak kohë dhe sa herë erdhi më thirri që të takohemi dhe ne takoheshim, qoftë edhe për një kafe. Nuk u kthye herë tjetër tek ne, në shtëpi, ngase dukej sikur ngutej që të kthehej sa më shpejtë në Frasnitë.
Takimin e fundit e patëm me të në restorantin «Möwenpick» në Würenlos të Zvicrës. Ishte në të kthyer nga një veprimtari në Gjermani dhe nuk donte të kalonte nëpër Zvicër pa më takuar.
Kur u ndamë, më tha: «Ende nuk keni qenë te unë. Unë ju pres!»
Na prit, i thash dhe u ndamë me këto fjalë.
Kaluan vite tjera, deri sa vitin e kaluar Shpendi më njoftoi se ka rezervuar katër vende në Vakaricën Arbëreshe, në shtëpinë e Familjes Skurra. Sa ma përmendi emrin Skurra, menjëherë mendja më vajti te Dedë Skurra, ushtar besnik i Gjergj Kastriotit. Do të shkojmë te Xhaxhi Belushi më tha, dhe pas pak ditësh shkuam.
Për të arritur në Vakaricë duhej të kalonim përmes Cosmo Albanezes apo Strigarit të poetit të madh arbëresh Zef Serembe. Deri sa kalonim përmes qendrës, sikur vet i gjallë të ishte, në një piedestal, i derdhur në broz na priti Zef Serembe. Ndjenja e takimit me Seremben as që mund të përshkruhet.
Pas dy tri kthesash bukur të thekshme dhe pak minutash u ndalem para shtëpisë ku do të rrinim.
Të nesërmën e mora në telefon At Bellushin. Nga përgjigja mu duk paksa i lodhur, por, posa ia ia thash emrin tim dhe i thash se gjendem në Klabri dhe dua ta vizitoj, sikur iu gjallërua zëri. Më pyeti nëse kam shkuar vetëm apo me çunat. «Me çunat, me çunat» , – i thash. «Eh, çunat u ban trima e unë u pjaka» më tha dhe ma diktoi adresën.
Të nesërmën me 8 prill, rreth orës 14.00 i mëshuam zilës. Derën na e hapi motra Katerinë, dhe na priu për në dhomën e pritjes. Që të dy, vëlla e motër na pritën me përzemërsi, ndërkaq për të na gostitur me kafe nguli këmbë fort At Belushi duke u arsyetuar se «nuk lejon kanuja për të dalur pa kafe». Biseda rridhte e qetë dhe e këndshme. Interesohej për çdo gjë që kishte të bënte me neve, por edhe me Kosovën dhe mërgatën shqiptare në Zvicër, për të cilën shprehte respekt. U interesua edhe për Shpendin dhe Ilirin dhe bisedonte herë me njërin e herë me tjetrin. Iu rrëfente tregime arbëreshe dhe bashkë me motrën Katerinë edhe kënduan këngë arbëreshe, sikur atëherë në vitin 1994 kur Shpendi përpiqej të ia mbante «ison». Përsëri, pas shumë vjetësh Shpendi, Iliri, unë dhe ime shoqe i dëgjuam këngët arbëreshe «Moj e bukura More» dhe këngën për «Konstantinin e Jurentinen». Edhe një herë i dëgjuam këto këngë, por këtë herë jo vetëm nga At Bellushi. Ai shoqërohej edhe nga e motra, por edhe nga Shpendi, i cili «Xhaxhi Bellushit» i tregoi se pasi është rritur, i ka dëgjuar në youtube dhe i ka mësuar ato këngë. Koha ecte shpejt dhe ne duhej të iknim, por, ikja as nuk ishte e thjeshtë e as nuk ishte e lehtë, ngase biseda zgjatej e zgjatej, përmes sjelljes së kujtimeve nga udhëtimet e shumta që i kishte bërë gjatë jetës së tij edhe në Shqipëri, Kosovë, në More dhe në Greqi ku kishte bërë studime të rëndësishme për arvanitasit bashkë me arvanitasin e madh Aristidh Kolja, pastaj në SHBA, në Zvicër e gjetiu ku kishte marrë pjesë në veprimtari të ndryshme kombëtare. Tregonte kujtimet e tij për vizitat e para në Kosovë dhe pjesëmarrjen në Seminarin për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare në Prishtinë. Fliste me shumë admirim edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmin e Adem Jasharit.
Pastaj na priu për në dhomën e punës, një dhomë përplot libra, gazeta e kaseta dhe disa fotografi e ëmblema të ndryshme te karakterit kombëtar, të varura në mur, të cilave nuk munda t’ua kushtoja vëmendjën e duhur ngase doja ta dëgjoja çdo fjalë të At Belushit. Dhe, në fund biblioteka, një bibliotekë e jashtëzakonshme. Edhe pse pak a shumë dukej i lodhur, At Belushi nuk rreshte së shpjeguari. E merrte një libër në dorë dhe fliste për të, pa përtuar fare. Bibliotekë që impononte respekt bashkë me themeluesin.
Kur kërkuam leje për të ikur, përsëri na tha «pritni, pritni! dhe na kthej në dhomën e punës. «Këto, më tha, janë për juve, dhe ato ishin: koleksioni i gazetës «Lidhja» nga numri 1, i botuar në vitin 1980 deri te numri i fundit, 60, i botuar në vitin 2015, i lidhur në 4 vëllime si dhe librat e shkruara nga ai, «RICERCHE E STUDI TRA GLI ARBERORI DELL’ELADA», «LA BIBLIOTEKA ARBËRESHE BIZANTINA «A. BELLUSCI»», «GLI ARBERORI- ARVANITI UN POPOLO INVISIBILE», «ANTOLOGJI ARBËRESHE», «ANTOLOGIA ARBËRESHE», «ETNOLOGIA E ANTROPOLOGIA A FRASCINETO NEL 1800», «RRUGËTIMI I NJË ARBËRESHI» , «ETNIA RITO-LINGUA SOVRANITA SPIRITUALE DELL’ARBERIA BIZANTINA» të vëllait Tomaso Belushi që bëjnë gjithsejt 11 tituj.
U përshëndetem dhe në të ndarë e falenderuam njëri tjetrin, ne për pritjen e dhuratat, kurse At Belushi për vizitën.
Kur ia dhash dorën e ndjeva se ky ishte takimi ynë i fundit. Ai edhe pak kohë do t’i bënte 90 vjet, kurse për mua Kalabria ishte mjaft largë.
Në këtë vizitë mora dhuratat më të mira që mund t’i merr një njeri, kujtimin nga një pritje shumë e përzemërt e At Belushit dhe e motrës Katerinë dhe katër vëllimet e gazetës «Lidhja» dhe 10 titujt e librave të At Belushit e një të vëllait të tij Tomasos, që sot e zbukurojnë bibliotekën time modeste.
Ndjenja ime doli. Pa kaluar një vit e gjysmë nga takimi ynë i fundit, lajmi se At Belushi u nda nga jetajehoi pikëllueshëm, jo se nuk pritej, por për arësyen se ai e la një zbrazëtirë të madhe që është vështirë të mbushet jo vetëm të arbëreshët në Itali, por edhe te arvanitasit në Greqi dhe të shqiptarët në përgjithësi. Ai qe dhe mbeti shembull se si duhet atdheu dhe si ruhet kombi, se si mbrohet përmes penës e drejta për jetë e liri. Ai u bë simbol i studjuesit e atdhetarit të paepur, krahas arbëreshëve si Jeronim de Derada, Nikollë Keta e Zef Skiroi, Dhimitër Kamarda, Gavrill Dara i Ri e Zef Serembe, si Samiu e Naimi dhe si Fan Noli e shumë emra tjerë të nderuar nga historia, kutura e tradita shqiptare e arbëreshe.
At Belushi iku në amshim duke na lënë shembullin më të mirë se si i shërbehet kombit e atdheut, kurse neve na mbetet ta ruajmë kujtimin për të!
I përjetshëm qoftë Kujtimi për At Antonio Belushin dhe veprën e tij!


























