Historiku

Historia jonë

 

Nga organizimi komunitar te platforma transnacionale

Platforma transnacionAL.ch nuk lindi rastësisht. Ajo është vazhdim i një tradite afro katërdekadëshe të angazhimit qytetar, shoqëror, profesional dhe mediatik në shërbim të komunitetit shqiptaro-zviceran.

1987 – Klubi i Punëtorëve Shqiptarë «Rilindja»

Në vitin 1987 u themelua në Schaffhausen Klubi i Punëtorëve Shqiptarë nga RSFJ «Rilindja», një ndër organizimet e hershme të mërgatës shqiptare në rajon. Klubi shërbeu si qendër e jetës shoqërore, kulturore dhe kombëtare të bashkatdhetarëve, duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës, identitetit kombëtar, solidaritetit dhe lidhjeve me vendlindjen.

1990 – Bashkësia Shqiptare Schaffhausen me rrethinë (BSHSH)

Në fillim të viteve 1990 u themelua Bashkësia Shqiptare Schaffhausen me rrethinë (BSHSH), si një organizatë gjithëpërfshirëse e komunitetit shqiptar në rajon. Përveç aktiviteteve kulturore, arsimore dhe shoqërore, BSHSH u angazhua në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me institucionet zvicerane dhe shqiptare, në mbështetjen e proceseve integruese dhe në forcimin e pjesëmarrjes qytetare të shqiptarëve në Zvicër.

Në një periudhë të rëndësishme historike për shqiptarët, BSHSH shërbeu edhe si çati e përbashkët e komunitetit shqiptar në Schaffhausen me rrethinë. Nën ombrellën e saj vepronin shumë shoqata shqiptare, ndërsa ajo u bë edhe vendtakim dhe hapësirë bashkëpunimi për përfaqësitë lokale të subjekteve politike demokratike nga Kosova dhe Maqedonia e atëhershme.

Edhe në këtë periudhë, BSHSH ruajti karakterin e saj mbipartiak, gjithëpërfshirës dhe të pavarur.

2001–2003 – Projektet e para «Pro Integra»

Në periudhën 2001–2003 u zhvilluan projektet e para profesionale me emrin Pro Integra. Ato u realizuan me mbështetjen e institucioneve të Kantonit Schaffhausen, EKA, BSHSH dhe partnerëve të tjerë, krahas një angazhimi të konsiderueshëm vullnetar.

2003 – Themelimi i Shoqatës Pro Integra

Në vitin 2003 u themelua shoqata Pro Integra si organizatë profesionale shqiptaro-zvicerane në fushën e integrimit, migracionit dhe zhvillimit komunitar.

Ajo realizoi projekte dhe mandate në fushën e këshillimit, ndërmjetësimit ndërkulturor, shoqërimit sociopedagogjik, ndërhyrjeve në situata konflikti, bashkëpunimit me institucionet dhe organizimit të aktiviteteve informuese e edukative.

prointegra.ch – Platforma informative

Nga kjo përvojë lindi portali prointegra.ch, i cili për shumë vite publikoi lajme, analiza, intervista dhe materiale dokumentuese mbi integrimin, migracionin, arsimin, kulturën, historinë, diasporën dhe bashkëpunimin shqiptaro-zviceran.

2026 – transnacionAL.ch

Pas afro katër dekadash përvoje lindi transnacionAL.ch. Platforma e re ndërtohet mbi konceptin e transnacionalitetit dhe synon të jetë një platformë e pavarur për informim, analizë, dokumentim, debat dhe bashkëpunim, duke promovuar dialogun, drejtësinë sociale, solidaritetin dhe ndërtimin e urave ndërmjet shoqërive.

Faleminderit që jeni pjesë e rrugëtimit tonë.