27.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

HALIM SALIH SALIHU (1880 – 1945)

SHTIGJE TË LIRISË / VËLLIMI I PARË / 1944-1953

HALIM SALIH SALIHU (1880 – 1945)

Halim Salihu, i njohur si Halim Aga, i biri i Salihut, ka lindur në vitin 1880 në fshatin Përlepnicë, komuna e Gjilanit. Rrjedh nga një familje e pasur dhe fisnike, me tradita patriotike. N ë shtator 1943, kur u formua Shtabi i Mbrojtjes Kombëtare për mbrojtjen e kufijve etnikë, ai u zgjodh anëtar i Shtabit. Në njërën nga mbledhjet e Shtabit ai deklaroi solemnisht: “Familja ime, e cila tani ka 40 anëtarë dhe kemi një pasuri të paluajtshme prej 40 hektarësh tokë, një stallë të mbushur me bagëti të llojllojshme, është në gjendje që tërë këtë pasuri ta japë për atdheun tim!” Më vonë, ushtrisë së vullnetarëve shqiptarë, që mbronin kufirin nga forcat serbo-çetnike, ia dha 100 lira dhe 100 qengja. Më 2 janar 1945 e arrestuan bashkë me shumë përlepnicas. Pas torturave çnjerëzore në burgun e Gjilanit, natën e 7 janarit 1945 i vranë mizorisht 13 prej tyre. Kroniku turk Altan Deliorman në veprën e tij “Buyuk Darebe” (Goditja e madhe), e përshkroi në detaje masakrën e therjes së disa përlepnicasve dhe në mënyrë të veçantë masakrën ndaj Halim Agë Salihut: “Të parin e nxorën nga dhoma e burgut Halim Agën, ku e priti xhelati rom, i quajtur Shaban. Ky romi kishte qenë shërbëtor i Halimit dhe ishte caktuar që t’i masakronte viktimat. Në ballkonin e burgut e përreth ishin tubuar prej punëtorëve e deri te kryetari i komunës Vllado Popoviq me këlyshët e tij Simo Maliniqin, Spasoje Gjakoviqin, Lubo Shotrën etj. … Halim Aga ktheu kokën nga xhelati, duke i thënë “Eja, përfundoje rastin!”, derisa vrasësi iu përgjigj: “Agë, ndalu pak, se së pari do ta ndez një cigare dhe pastaj do ta kryej punën time”. … Pastaj hoqi thikën nga brezi dhe i preu kokën Halim Agë Salihut. …” Në janar 1946 u organizua edhe një gjyq, përmes të cilit iu konfiskua pasuria e paluajtshme familjes së Halim Salihut, i vrarë mizorisht në burgun e Gjilanit më 7 janar 1945, “Natën e përgjakshme të shtatë janarit 1945”, të cilën e përshkroi edhe Shefki Bajrami në librin e tij po me këtë titull. Pas vetes Halim Salihu ka lënë një vajzë e dy djem.

Agim Sylejmani