Me hapjen e një salloni të ri mobiliesh ( që i prodhon vet) prej 300 metrash katror në Bronschhofen, firma me pronarë nga Vitia, afarizmin e ka shtri edhe në ndërtimtari, në ngritjen e blloqeve të reja të banimit për tregun zviceran
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Më 27 maj, në lokalitetin Bronschhofen në afërsi të qytetit të Wilit në Zvicër, familja Munishi, pati një festë të vërtetë, zgjerimin e firmës. Me këtë rast, pos familjarëve dhe punëtorëve të firmës, merrnin pjesë edhe bashkëpunëtorë afaristë, drejtues firmash nga radhët zviceranëve e shqiptarëve.
Familja e Nue Munishit, me prejardhje nga komuna e Vitisë, për një dekadë e gjysmë veprimtarie arriti të zgjerojë veprimtarinë afariste, si në prodhim ashtu edhe në plasman. Punën e filluar vetëm me anëtarët e familjes dhe të përqendruar kryesisht në prodhimin e kuzhinave e zgjeroi edhe në lëmin e ndërtimtarisë. Kështu, brenda dy-tri viteve në rrethinën e qytetit të Willit, kjo firmë ngriti dy blloqe banimi dhe në ndërtim e sipër ka edhe dy objekte të tjera, duke e rrit numrin e punëtorëve të rregullt e stinor në rreth 20 veta.
Bumin më të madh firma “Munishi” e bëri javën e kaluar, kur në Bronschhofen ( Züricherstrasse 15), ku hapi sallonin me një sipërfaqe prej 300 metrash katror dhe ekspozoi kuzhina dhe mobile të një cilësie të lartë që prodhon vetë firma përmes një teknologjie të lartë e me punëtorë të ngritur profesionalisht. Kryesisht nga radhët e familjes. Përndryshe, firma posedon edhe një sallon tjetër prej 200 metrash katror. Aktualisht “Munishi” ka një hapësirë tregtare prej 500 metrash katror.
Familja Munishi me prodhimet e saj, prej vitesh zënë vend të mirë në treg me asortimentin e kuzhinave të një cilësie të lartë. Zejen e zdrukthëtarit e kishte sjellë mbi 3 dekada më parë vet kryefamiljari, Nue Munishi, për t`ua përcjellë atë edhe djemve të tij, në mënyrë që nga kjo punë të gjallërojë e përparojë e mbarë familja prej 7 djemsh e vajzash, me gjithsej 17 nipa e mbesa.
Me të ardhur në Zvicër, Nue punësohet në gjigantin e mobilieve Bp Piatti, ku pastaj punësohen edhe djemtë e tij, Gjergji dhe Nikolla. Që të dy e përsosin në masë këtë zeje, sa të jenë edhe udhëheqës punëtorësh aty ku punuan prej vitesh. Por, nuk mjaftohen me kaq. Më vonë ata themelojnë një punëtori më vete për prodhimin e mobilieve.
Me punën vetëmohuese edhe të anëtarëve të tjerë, familja Munishi i kthehet prodhimit cilësor të kuzhinave me pamje e disenj modern, shumë tërheqës, si për klientët në Zvicër, edhe në Kosovë e gjetiu. Me rastin e ndërtimit apo rinovimit të objekteve, Mobilieria “Munishi” ndihmon klientët edhe në planifikimin e kuzhinave sipas nevojave individuale, në mënyrë që ata t’i plotësojnë dëshirat për një kuzhinë sa më komode e funksionale.
Mobilieria “Munishi”, prej vitesh bashkëpunon ngushtë me prodhuesin me renome, Bp Piatti, ku kanë punuar familjarët e saj, por edhe me firma shqiptare, kryesisht me ato që merren me përpunimin e mermerit ose të granitit. Vetëm brenda vitit 2012, në bashkëpunim me Bp Piatti, punëtorët e Mobilierisë “Munishi”, në një lagje të re në Schlieren afër Cyrihut, montuan mbi 400 kuzhina.
Derisa kryefamiljari dhe dy vëllezërit e tjerë merren me prodhimin e mobileve, Franklini, njëri nga vëllezërit ndihmon me menaxhim dhe administratë. Ndryshe, ai ka bërë një hap të mirë edhe në shkollim, edhe në karrierë. Ka diplomuar në ekonomi në Universitetin e Cyrihut dhe aktualisht drejton një ent pune, ndërkohë që është mjaft aktiv edhe në politikën zvicerane.







































