14.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Filharmonia e Kosovës sjellë koncertin për të pagjeturit

Në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, po mbahet koncerti i Filharmonisë së Kosovës kushtuar të të pagjeturve në Kosovë. Me një emocion të fortë, sonte do të sjellen kujtimet e familjarëve të personave të pagjetur, ku pos tjerash do të shfaqen edhe pamje nëpërmjet një video.

Ky koncert, i cili kësaj radhe është menduar të realizohet krejt ndryshe, do të përcillet edhe me një mori fotografish të familjarëve të të pagjeturve, ndërkohë që do të përcillet nga interpretimi i veprës “Fratres” nga Arvo Part.

Ky projekt, i cili kësaj radhe u mendua të sillej ndryshe nga cdo herë tjetër, është realizuar nga Integra në bashkëpunim me forumZDF. Ndërkohë që regjisori dhe drejtori i organizatës Integra Kushtrim Koliqi, në një prononcim të tij për mediat, ka thënë se nëpërmjet ekspozitës së inkorporuar në koncert të Filharmonisë së Kosovës, po përpiqen të përcojnë mesazhin se sa shumë shqetësuese është bërë cështja e të pagjeturve në Kosovë dhe mos-zbardhja e fatit të tyre deri më sot.

Koliqi ka thënë se nëpërmjet artit, artit të fotografisë, të videos, të regjisë dhe muzikës, po mundohen të tregojnë sa i madh është shqetësimi ynë për të pagjeturit dhe se nuk është vetëm cështje e politikës, po e gjithsecilit, sepse në një formë ose tjetër, shumë nga ne kemi dikë në mesin e të pagjeturve.

Koncerti i sontëm i Filharmonisë së Kosovës, po jep shenja të qarta që cdo kategori dhe nivel i shoqërisë tonë është seriozisht i shqetësuar për mos-trajtimin e duhur të cështjes së të pagjeturve në Kosovë, edhepse kanë kaluar tashmë 20 vjetë nga paslufta. Kjo është një shenjë që dicka duhet të lëvizet dhe kjo cështje të marrë një kahje të duhur një herë e mirë.

Koncerti ka filluar me një video ekspozitë, ndërkaq orkestra harkore e filharmonisë do të luajë veprën emblematike të kompozitorit estonez Arvo Part, ndërkohë që në sfond do të shihet video-projeksioni me momente për të pagjeturit.

Sipas Bekim Jasharit, drejtor i filharmonisë, në program është koncerti për orkestër i kompozitorit Paul Creston, ku në cilësinë e solistit prezantohet Dardan Gjinolli, ndërsa në pjesën e dytë të programit do të realizohet vepra e kompozitorit dhe dirigjentit Leonard Bernstein nga orkestra e madhe simfonike e Filharmonisë së Kosovës, me titull “Vallet simfonike nga tregimet e perëndimit”.

Ndërkaq, karakteristike e kësaj mbrëmje do të jetë edhe fakti që Paul Creston po luhet për herë të parë në Ballkan. Koncerti po vazhdon edhe në këto orë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.