13.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Festa e fshatit në Spreitenbach

Në Spreitenbach të Zvicrrës, tashmë tradicionalisht nga data 26 – 28 gusht organizohet festa e fshatit. E, kësaj feste këtë vit në organizim i është bashkuar edhe Grupi i Vallëzimit ” Rinia ” me seli po në të njëjtin vend. Në festën e fshatit në Spreitenbach, rreth 40 grupe të ndryshme kanë prezantuar ushqime të llojllojshme nga kuzhinat e tyre tradicionale, ku në mesin e tyre janë prezantuar edhe ushqimet tradicionale shqiptare. Aty në fshatin zvicrran, ishte vendosur një tendë e cila dallohej nga tendat tjera. Tenda e shqiptarëve, për të cilën kishte ndihmuar Sadi Krasniqi, pronar i kompanisë shqiptare ” SKI LÜFTUNGS TECHNIK ” ishte dekoruar në mënyrë të veçantë nga antarët e grupit të vallëzimit ” Rinia “. E kishin dekoruar atë me një qylym, flamur kombëtar, një buqetë lulesh dhe një palë veshje kombëtare. Lidhur me këtë aktivitet, themeluesi dhe udhëheqësi i Grupit të Vallëzimit Rinia, z. Sherif Dakaj tha: ” Për dy ditë me radhë në festën e fshatit në Spreitenbach, kemi prezantuar kuzhinën tonë popullore dhe ushqimet tona tradicionale si: fli, pite, mantija dhe shumë e shumë lloje tjera të gatimeve me të cilat është e begatuar kuzhina jonë. Gjithçka është gatuar aty për aty, në prezencë të të tjerëve dhe ky ka qenë qëllimi jonë që t’iu tregojmë të tjerëve sa e begatshme dhe e pasur është kuzhina jonë, tha më tej z. Dakaj. Ai më pas shtoi se nganjëherë ushqimet edhe nuk mjaftonin, sepse zvicrranët nuk kanë njohuri për kuzhinën tonë dhe gjatë këtyre tri ditëve të prezantimit, ushqimet tona tradicionale ishin shumë të kërkuara nga pjesëmarrësit. E veçanta e kësaj feste, është se kësaj here, vullnetarisht janë paraqitur shumë bashkëvendas tanë, edhepse nuk kanë fëmijë në grupin e vallëzimit, dhe kjo është ndjenjë e mirë por edhe krenari për ne, thekson më tej Dakaj, i cili falënderon të gjithë ata që morën pjesë në këtë aktivitet e në veçanti, nënat dhe motrat shqiptare për kontributin dhe mundin e tyre që kanë bërë gjatë këtyre dy ditëve. Aktiviteti i Grupit të Vallëzimit ” Rinia ” nuk mbaron këtu. Në këtë fshat të Zvicrrës, për nder të kësaj feste është mbajtur edhe program artistik me ç’rast grupi i vallëzimit ” Rinia ” u paraqit me këto valle: ” Vallja e shamiave “, ” Vallja tiranase “, dhe ” Vallja e lirë “, kurse grupi i të rriturve është paraqitur me një kollazh vallesh shqiptare. Rikujtojmë se në fshatin Spreitenbach të Zvicrrës jetojnë gjithsejt 11 mijë e 270 banorë, prej tyre mbi 50% të huaj, ku një numër i madhë janë shqiptarë të viseve të ndryshme.