Gjithsecilit që ka kaluar nëpër bankat e shkollës do t’i jetë ngulitur në kujtesë ai momenti aq emocionues, aq shqetësues, po edhe aq i lumtur i fëmijërisë, moment që nuk përsëritet kurrë më në jetë, kur në klasë ka hyrë për herë të parë mësuesi ose mësuesja. Është një nga ato kujtimet e rralla që nuk shqiten nga kujtesa gjatë gjithë jetës.
Hajro Hajra
Po këtë shqetësim kam pasur dhe unë, ish-nxënësi i mësuesit Fahri Ramadani, kur jam ulur për herë të parë në bankat e Shkollës Fillore “Peko Tepavçeviq” (sot “Jeronim De Rada”), në Ferizaj. Mësuesi Fahri, tashmë i ndjerë (ka vdekur para plot 20 vjetësh, më 28 shtator 1996 dhe është varrosur në vendlindje), ka qenë mësues, nga ata mësuesit e rrallë, që kujtohen me dashuri nga brezat e shumtë të nxënësve që kanë pasur fatin ta kenë pedagog. Mësuesi Fahri punën e edukatorit të brezit të ri e bënte me pasion e me dashuri të zjarrtë, mësuesinë e kishte ideal dhe këtij ideali ia kishte kushtuar një jetë të tërë.

I lindur më 13 shkurt 1932 në katundin Neredime e Poshtme të Ferizajt, mësimin fillestar dhe gjimnazin e ulët Mësuesi Fahri i ka kryer në Ferizaj, ndërkaq që nga viti 1948, kohë kur ishte rrezik i madh të thoshe se je shqiptar, dhe jo më të ishe mësues, ai, ndonëse në moshë fare të re, edukoi fëmijët në shkollat fillore të fshatrave Firajë, Kovaçec e Prelez i Jerlive. Për 6 vjet me radhë ai ishte mësues fshati. Me gjithë kushtet e vështira në të cilat punonte, ai kishte arritur që me punë të palodhshme e me sjellje shumë të njerëzishme të fitonte simpatinë e dashurinë e fshatarëve të fshatrave ku punoi. Më 1954 u emërua mësues në Ferizaj. Aty punoi pothuaj tri dekada dhe ishte një mësues shembull që fëmijëve ua mësonte, më shumë se shkronjat e abëcësë, shkronjat e jetës.
Mësuesi Fahri ka pasur edhe një pasion tjetër, një dashuri tjetër po aq të madhe sa edhe mësuesinë: dashurinë për teatrin. Madje, para se ta merrte në dorë ditarin shkollor, ai kishte shkelur në podiumin e skenës së teatrit dhe kishte realizuar disa role në Teatrin Amator të Ferizajt, në teatrin që i ka paraprirë Teatrit të sotëm “Adriana”. Rolin e fundit mësuesi e aktori Fahri Ramadani e ka realizuar në vitin 1967. Ka qenë një rol në dramën e Sulejman Pitarkës “Trimi i mirë me shokë shumë”, titulli i së cilës i përshtatej për mrekulli personalitetit të këtij mësuesi aktor. Regjinë e kësaj drame e kishte bërë një tjetër mësues ferizajas, aktori e regjisori, Matej Serreqi.
Ashtu si i gjithë populli shqiptar, edhe Fahri Ramadani ka përjetuar barrën e rëndë të diskriminimit e të shtypjes së pushtuesit serb. Duke qenë bashkëvuajtës i popullit të vet, edhe ai ka përjetuar fatin e popullit. Ditarin, aq të dashur për të, e kanë detyruar ta lërë më 1981, sepse ka qenë me popullin, të cilit i ka shërbyer deri në frymën e fundit.
Ish-nxënësit e tij, pastaj dashamirësit e teatrit që kanë pasur rastin ta shohin në skenë si dhe bashkëqytetarët që e kanë njohur, do ta kujtojnë me pietet këtë figurë të ndritshme të arsimit ferizajas në 20-vjetorin e vdekjes.




























