Krahas ekspozitës tejet vlerësuese të Sylë Mujajt u mbajt një orë letrare në organizim të LKSHM-së kushtuar: Aleksander Moisiut, Ibrahim Kodrës dhe At Antonio Bellushit, të cilët i ka lidh me këtë vend edhe veprimtaria e tyre krijuese
Teksti Rexhep Rifati & fotot e Afrim Nevzadit
Një ngjaje kulturo-letrare që iu dedikua tri figurave të mëdha artit shqiptar kishte tërheq dje në Lugano të Zvicrës krijues nga anë të ndryshme të Evropës por edhe të Kosovës. Ishte ideja që krahas ekspozitës të njërit nga piktorët më të persekutuar të regjimit serbo- jugosllavë, Sylë Mujajt që prej dekadash jeton në këtë qytet, programi të përmbushet edhe me promovime librash, lexim poezish dhe interpretim të pikave muzikore, të gjitha këto të përshkuara si rrallëherë edhe me emocione, madje edhe me lot për vuajtjet e piktorit dhe humbjen e njerëzve tanë që lanë gjurmë në historinë tonë më të re, siç ishte largimi i fundit i At Antonio Belushit, meqë rast u kujtua me nderim e pietet në 90 vjetorin e lindjes së tij.
Në këtë kuadër u kujtuan e nderuan edhe Nënë Tereza, Johana Terwin Moisiu dhe doktor Eugenio Corecco, ndërsa u promovua edhe vepra e Musa Jupollit e Mentor Thaqit kushtuar At Antonio Belluscit dhe doracaku gjuhës i Hajro Hajrës, i cili po ashtu në këtë vit kaloi në botën e amshueshme. Një kapitull në veti ishte ekspozita e pavarur e Mujajt, e shtrirë në te-katër kate të një ndërtese në Pardisa të Luganos, përmes 5 cikleve, përfshi edhe pikturat e punuara në burg, ku spikasin pikturat e kostumeve si dhe portretet arkitekturore dhe mozaikët që përbëjnë kulmin e artit pamor.
Orën letrare kushtuar këtyre figurave madhore por edhe ekspozitës së Sylë Mujajt e shpalli të hapur, poeti Mentor Thaqi kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili ndër të tjera përshëndeti edhe mysafirët e pranishëm, zonjat Shukrije Ramadani dhe Drita Gashi , si dhe shkrimtarë nga disa nga shtetet Perëndimore. Merrte pjesë edhe nipi i At Antonio Belluscit (djali vëllait): Michele Bellusci. Nga Gjermania kishte udhëtuar edhe kryetari i Rrjetit Intelektual Shqiptar, në krye me Zef Prenkan.
Me këtë rast një fjalë përshëndetës e mbajti kryetari i LKSHM-së, poeti Musa Jupolli nga e cila shkëputëm ca citate: “Më lejoni t’ju përshëndes me gjithë zemër për pritjen tuaj në këtë qytet të bukur, bukuria e të cilit na përcjell si dallgët e bukura të detit, një parajsë ku ndërthuren arti dhe poezia.
Fillimisht ju falënderojmë për frymën që bëri të mundur këtë ekspozitë për artistin tonë si dhe mundësinë për këtë Orë Letrare ku i përkujtojmë tre kolos të artit dhe shkencës: Aleksandër Moisiun, Ibrahim Koderën dhe At, Prof. Dr. Antonio Belushin!
Sylë Mujaj, atdhetar i zjarrtë, por edhe poet e shkrimtar i letrave të paqes dhe miqësisë mes popujve, kështu e përkthej personazhin e mikut tim!
Zonja dhe Zotërinj, ndihemi mirë në këtë takim duke falënderuar mikun tonë Sylë Mujaj që na bashkoi këtu me ju, këtu ku veprat e tij flasin për jetën e një shqiptari në një vend ku historia, dashuria dhe mitologjia bëjnë pjesë të jetës sonë.
Këto vepra përfaqësojnë edhe dhimbjen edhe shpresën e jetës, ashtu siç shkruhej në buletinin e qytetit tuaj.
Më tej Jupolli potencoi se : Veprat e Sylë Mujajt janë epokë prekëse. Pasi nocioni i një vepre arti ngjall, në kuptimin më të gjerë, rezultatin e një krijimi artistik, po çfarë është një vepër arti në realitet? Le Petit Robert përpiqet të përkufizojë termin vepër arti. Është një “vepër që shfaq vullnetin estetik të një artisti, që jep ndjenjën e vlerës artistike” Mbi të gjitha Historia e artit do të vazhdojë të shkruhet edhe më, dhe se ato janë unike, unike janë edhe veprat e Sylë Mujajt! Të kuptosh artin do të thotë të duash paqen.
Në emër të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, dhe në emrin tim, ju falënderojmë nga zemra. Kryetari: Musa Jupolli
Më pastaj vazhdoi ora letrare ku pos anëtareve të LKSHM-së, siç janë: Shqipe Bytyqi, Xhevat Muçaku, Shefqet Dibrani, Saliha Kodra Rama, Shukrije Ramadani, Bajrush Zeka e të tjerët si dhe potë arbëresh e italian, Gaetano Blaiotta dhe Maria Elena Danelli (Frasnitë).
Ndër pikat më emocionuese ishin fjalët e Ornela Radovickës, Drejtores së Institutit albanologjik kushtur kulturës arbëreshë në Frasnitë të Kalabrisë e cila fjalën e saj ia kushtoi At Antonio Belushit, pastaj ato të motrës e vëllait të Sylës: Shpresë Mujaj – Pacollit dhe Veton Mujaj, si dhe një poezi e Anton Belusshit e lexuar nga aktori Ramadan Morina. Ndërsa për pikturat e Sylës fjalë rasti mbajtën shkrimtari Shefqet Dibrani e arkitektja Shqipe Bytyqi.
Sot Sylë Mujaj në shoqërim me zonjën Shukrije Ramadani, përfaqësuese e Ambasadë së Kosovës në Bernë, patën një pritje në Komunën e Paradisos, ku në mënyrë protokollare nga Ambasada jonë ju dhuruan fletë falënderime. Me këtë rast ata i priti sekretari i përgjithshëm i komunës Waldo Pfund, i cili i njoftoj mysafirët se sot asambleja e komunës vlerëson rëndësinë e ekspozitës së Sylër Mujajt si dhe u premtua që në të ardhmen do të krijohen parakushte për një pikë shkollore shqip në Paradiso si dhe që një shesh apo rrugë të merr emrin e Alekssandër Moisiut.





































