
Grupi i fëmijve të SH.K.A “Dardania” dhe kënga; “Mora fjalë”,
Përpos shënimit të kësaj date të rëndësishme për popullin tonë në Kosovë, që u kujtua në instancat më të larta të shtetit, si në parlament, në Prekazin legjendar, dhe me një akademi përkujtimore në Prishtinë, dhe vizitat te varrezat e Jasharëve, ashtu mbretëroj atmosfera edhe në Rapperswill-Jona të St. Gallenit, me një organizim që i kishte ftuar LVV-ja me tri pikat së bashku; Obersee, St. Gallenit dhe Winterthurit, duke fillua kështu me intonimin e himnit kombëtarë, pasi që kishin vërejtur se salla ishte e mbushur përplot, dhe nuk po i zinin më të pranishmit.

Ilmi Cakolli, kryesues i Këshillit organizativë

Mael Kqiku, me poezinë “Kush e nisi luftën i pari”

Pas intonimit të himnit, dy moderatorët e kësaj epopeje të lavdishme, zonja Shpresa Rrahmoni-Ida dhe Agim Sylejmanit, ata i përshëndeten të pranishmit, dhe ftuan kryesuesin e Këshillit Organizativ nga tri Pikat e LVV-ës, Obersee, St. Gallen dhe Winterthur, z. Ilmi Cakollin për një fjalë rasti, prej nga veçoj rëndësinë e kësaj date, dhe sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë UÇK-ës, prej nga kuptuam se edhe vet kishte qenë pjesë e saj, në ditët e para prej nga sot po shpaloste fjalë vetëm për të rënët dhe ata që u flijuan për lirin tonë.
Menjëherë pas fjalës së kryetarit të pikës, moderatorët paraqiten programin artistik, i cili ishte përgatitur me kohë në këtë paraqitje enkas për momentin dhe vlerën që ka kjo datë për popullin tonë, prej nga për pjesën artistike organizatorët kishin të ftuar Shoqërinë Kulturore dhe Artistike “DARDANIA” nga Winterthuri, prej nga, si e do rendi ata u paraqiten së pari me korin e fëmijëve me këngën “Mora fjalë”, me çka u hap programi artistik për këtë shënim të epopesë së UÇK-ës dhe familjes Jashari, për të vazhdua më pas me një valle për fëmijë, po ashtu nga grupi i të vegjëlve të SH.K.A “Dardania”, që vërtet publiku u nda tejet i kënaqur dhe ju duartrokiti thuaja se gjatë gjithë kohës me paraqitjen e tyre në skenë në mosha kaq të vogla, por që ju morën zemrat publikut, me lëvizjet e tyre në skenë, dhe kulmi i gjithë kësaj ishte kënga “Xhamadani vija vija” për ta përfundua pjesën e tyre artistike edhe me recitimin e 4 vjeçarit Mael Kqiku, me vjershën e gjyshit të vet, “Kush e nisi luftën i pari”.

Orkestra e SH.K.A “Dardania” dhe këngët për Adem Jasharin e UÇK-ën
Ishte radha që ti këndohej Adem Jasharit dhe UÇK-ës, andaj moderatorët prezantuan pikat e radhës, kësaj here orkestrën e SH.K.A “DARDANIA” nga Winterthuri që kishin përgatitur programin nga raportuari i tyre enkas për këtë shënim me këngën; “Për Adem Jasharin e UÇK-ën”, të cilën e këndoj Ekrem Beqiri, nënë përcjellje edhe të orkestrës, për të vazhdua më vonë edhe me këngën; “Thërret Prizreni”, kënduar nga veterani i kësaj shoqërie Hamit Shillova përcjellë po ashtu edhe nga orkestra, si synonim se gjithmonë duhet të jemi bashkë në idealet tona, deri te bashkimi i trojeve tona.

Zv. Ministri i mbrojtjes së Kosovës, z. Shemsi Syla

Veprimtari i ilegales Jashar Alija,
Më pas për ta bërë edhe më madhështore, këtë shënim të 25-të, të Epopesë së UÇK-ës, organizatorët kishin ftua edhe -ish z. komandantin e zonës operative së Karadakut, -ish zëdhënësin e FSK-ës, kolonelin e tani zv. Ministër i Mbrojtjes së Kosovës z. Shemsi Syla, i cili mes tjerash përshëndeti disa nga veprimtarët që ishin të pranishëm në sallë, dhe më pas shpalosi edhe peri petit që patën gjatë luftës, për kontributin e grave dhe burrave të lirisë, e në veçanti, heroizmit të familjes Jashari, prej nga shumë të rinjë dhe të reja u frymëzuan më pas për të kontribuar në lirin që e kemi sot. Ai nuk harroj të ju premtoj se ushtria e Kosovës do ta mbroj tokën e Kosovës pëllëmbë për pëllëmbë, dhe se sot kjo ushtri është një forcë që lirisht mund të mbështetemi te ta, sepse po forcohemi e po profesionalizohemi për ditë e më shumë, falë edhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët që i kemi krahë.
Po ashtu edhe Jashar Alija, një -ish i burgosur, si veprimtar i ilegales në grupin revolucionar të Kosovës, mandej si veprimtarë në mërgatë dhe si pjesëtar i luftës së UÇK-ës, ai i përshëndeti të pranishmit duke potencua se kjo sakrificë e familjes Jashari ishte frymëzim i mbar kombit tonë për liri dhe pavarësi të Kosovës, që u fitua me gjakun e bijve dhe bijave tona ndër shekuj e në veçanti në luftën e fundit dhe flijimit të familjes Jashari.

Vallja për Hamëz Jasharin dhe UÇK-ën, interpretuan nga SH.K.A “ Dardania” nga Winterthuri
Natyrisht se radhitja e programit ishte shumë e koordinuar, sa që me një here pas fjalës së zv. ministrit të mbrojtje, në skenë u ngjitën të rriturit e SH.K.A “Dardania” me vallen “Për Hamëz Jasharin dhe UÇK-ës”, që ngriti edhe emocione tek masa e të pranishmëve, me paraqitjen dhe koreografinë e tyre, posaçërisht atyre që e kishin përjetua luftës dhe që ishin kësaj here prezent, duke mos i fshehur as lotët emocionues, që rrjedhin vet-vetiu, shpesh pa na pyetur fare, sepse ato tregojnë dhimbjen, sakrificën dhe njëherit edhe krenarinë, duke na bërë edhe të krenohemi se edhe këtu në mërgatë përmes fëmijëve që po lindin e rriten këtu dhe po na sjellin plot emocione në shënimet e tilla tejet të dhimbshme dhe tejet të përgatitura mirë për opinionin dhe skenën, edhe për prindërit dhe gjyshërit që më tani veç se janë pensionuar disa nga ata.
Andaj me mjeshtërinë e valltarëve përmes valles treguan shumë, së pari për familjen Jashari dhe gjithë UÇK-ën, në tërësi, sepse ata së bashku me bashkësinë ndërkombëtare sollën lirin që ne sot e gëzojmë, kurse ne sot ju thurim këngë e valle në shenj respekti për ta.

Në rolin e “Hamëz dhe Feride Jashar”

Aktori i njohur Çun Ljaqi, dhe monologu i tij
Epopeja e UÇK-ës, që po vijonte në një ambient të këndshëm dhe krenarie para të pranishmëve u paraqit edhe aktori ynë i madh Çun Lajqi, me monologun e tij, të preferuar për dëshmorët, për të rënët që nuk vdesin kurrë, për bashkimin e trojeve tona, për plisin dhe dheun e tokës sonë, prej nga u përcollën me ëndje, duke marrë disa here duartrokitje gjatë interpretimit të monologut të tij. Ai në fund porositi që të jemi bashkë dhe të mos përçahemi në ditët e sotme, sepse armiku ende është mbi supet tona.
Më pas në program ishin edhe dy pikat muzikore me flautë, ekzekutuar nga motrat Puhiza dhe Morea Shala, me interpretimin e dy pikave muzikore si: “Moj e bukura more” dhe “Ty moj mollë e kuqe”.

Motrat Puhiza dhe Morea Shala, interpretim me flaut

Rapsodi dhe folkloristi Isuf Rashiti,
Dhe krejt në fund rapsodi dhe folkloristi i njohur i diasporës Isuf Rashiti, këndoj një këngë kushtuar dëshmorit Mujdin Aliut, dhe marshin e UÇK-ës ose “Jam Kosova e shqiptarisë” prej edhe nga përfundoj kështu ky manifestin kulturor e përkujtimor me rastin e Epopesë së UÇK-ës, që u organizua në Rapperswill të Zvicrës, ndoshta e vetmja e këtij lloji në Zvicër, edhe pse pati edhe festa tjera, të shënimit të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, që organizoj Ambasada e Kosovës në Bern, dhe Konsullata në Zürich, por pati edhe të atilla që organizuan edhe 8 marsin, me këngë argëtuese e tallava.
Vlen po ashtu të theksohet se në hollin e sallës, pati edhe kënde librash të autorëve të ndryshëm si Çun Lajqi, Agim Sylejmani e Brahim Avdyli, por edhe revista e Albinfo dhe njoftime tjera të LVV-ës, si anëtarësimet dhe njoftime të ndryshme.
Me tu përfunduar i tërë ky shënim i Epopesë së UÇK-ës, me një here filluan aktivistët dhe këshilli organizativ ti zhvendosnin dekorimet e sallës dhe hollit, prej nga kishin pasur një punë goxha të madhe, por falë vullnetit dhe aktivistëve dhe kujdestarëve ajo u rrumbullakosua për çdo lëvdatë.
07.03.2023 Winterthur
Autor i tekstit dhe fotove:
Shefqet Cakolli
Përmbledhje e referateve
Fjala përshëndetëse e Ilmi Cakollit
Të nderuar pjesëmarrës, të dashurë fëmi, të nderura motra të nderuar vëllezër
Të nderuar mysafirë nga Kosova dhe të ftuar të tjerë në këtë tubim, me rastin e 25-vjetorit të të Epopesë së lavdishme të Jasharajve në Prekaz
Familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të UÇK-së
Të dashur aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje
Marsi është një muaj i mbushur me ngjarje të lavdishme të historisë sonë kombëtare, ngjarje të cilat kanë bërë kthesa në historinë tonë të përgjakshme ndër shekuj. Nga historia jonë më e re marsi fillon me Epopenë e lavdishme të familjës Jashari nga Prekazi, e cila në krye me komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jashari bëri kthesën e madhe të luftës përfundimtare deri në çlirimin e vendit tonë nga thundra e pushtimit serbo-sllav.
Marsi i vitit 1998 shënon ngjarjen nga më të rëndësishmet në gjysmën e dytë të shekullit 20 në Kosovë, duke përcaktuar përfundimisht rrugën që do të ndjek populli ynë në rrugëtimin e tij në të ardhmen.
Duhej të vinte marsi 1998 për të vetëdijësuar më shumë se kushdo e çkado qoftë tjetër masat e gjera të popullit tonë duke e bërë rizgjimin tonë kombëtar dhe duke ngritur në një nivel të lartë atdhedashurinë dhe aspiratën e flaktë të bashkimit me Shqipërinë Natyrale.
Prandaj Pikat e Lëvizjës Vetëvendosje, Obersee, St.Gallen dhe Winerthur të Qendrës në Zvicër, vendosëm që sot të shënojmë përvjetorin e 25-të të kësaj ngjarjeje nga më të rëndësishmet e historisë sonë më të re, duke ia bërë më të afërt brezit të sotëm këtë ngjarje kaq të rëndësishme të historisë së Kosovës. Në emër të Këshillit Organizativ falenderoj të gjithë pjesëmarrësit e këtij tubimi, gjithë të ftuarit që sot janë me ne këtu në këtë sallë.
Përshëndes veçanërisht mysafirët nga Kosova, Shemsi Sylën, zëvendësministër i Mbrojtjes në Republikën e Kosovës dhe ish zv. Komandantin e UÇK-së të zonës së Karadakut,
Përshëndes veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare Fitim Fitimi, Jashar Alia, Nuhi Sylejmani, Faik Raci, Faik Lativi, Skender Hajdari, Ragip Shala, Qamil e Kadrie Isufi, Berat Halimi, Musa Dermaku, Safet Sadiku, Nexhat Maloku, Metush Zenuni dhe gjithë veprimtarët tjerë që sot janë me ne për të kujtuar 25-vjetorin e Epopesë së lavdishme të Jasharajve në Prekaz
Përshendes për pjesmarrëjen z. Kushtrim Berisha, deputet kantonal i PS në Schwyz.
Uroj ta kaloni sa më mirë me programin tonë që kemi pregatitur sot për shënimin e këtij përvjetori të kësaj ngjarje kaq të madhe të kombit tonë.
Lavdi komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe familjarëve të tijë të rënë në altarin e lirisë.
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit.
Fjala përshëndetëse e Shemsi Sylës,
zëvendësministër i Mbrojtjes në Republikën e Kosovës dhe ish zv. Komandantin e UÇK-së të zonës së Karadakut
Të dashur bashkëkombës e bashkëkombëse,
Ndjehem shumë i emocionuar sot para jush, krahas nderit dhe privilegjit të madh të jem në këtë ambient kaq mikpritës, dhe pikërisht në këto data kaq të rëndësishme të historisë më të re të kombit dhe atdheut- pra 5, 6 dhe 7 marsit me emrin kuptimplotë- Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë ngjarje kaq të madhe, në emrin tim personal, si bashkëkombës e bashkëveprimtar i juaji, por edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në cilësi të zëvendësministrit të Mbrojtjes, ju përshëndes nga zemra duke rikujtuar të vërtetën e madhe se “duke kujtuar dhe nderuar të kaluarën tonë të lavdishme, ndërtojmë të sigurt të tashmen dhe të ardhmen tonë”.
Sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, dhe gjithë të rënët nga secila pjesë e vendit që dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi. Liria jonë i ka rrënjët te dëshmorët e kombit, tek gratë dhe burrat që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, e mbi të gjitha, nga Jasharajt legjendarë.
Komandanti Adem Jashari me shembullin e tij unik u bë simboli i rezistencës së popullit shqiptar dhe shembulli i tij unik u ndje në të gjithë botën. Një hero, i cili nuk ishte i tillë vetëm për të drejtuar një ushtri të tërë, por duke u sakrifikuar për të dhënë jehonën dhe mesazhin më rrënqethës në historinë njerëzore sepse shembulli i tij nuk mbetet vetëm në kornizat e historisë së kombit shqiptar, por tejkalon këto korniza duke kumbon rëndë në historinë njerëzore.
Ky shembull, forcoi dhe më tej bindjet e idealet tona, duke vazhduar tutje të pandalshëm, të pamposhtur dhe çdoherë triumfues sepse në mendje, shpirt e zemër kishim amanetin e Komandantit legjendar Adem Jashari. Dje, sot, nesër dhe përjetësisht, për ne, Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga marrim trimërinë, guximin dhe frymëzimin për shërbimin ndaj vendin tonë.
Bashkë me kryekomandantin dhe familjen e tij, Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës me aleatët tanë janë bekimet e lirisë, e ne Forca e Sigurisë së Kosovës me aleatët tanë jemi vigjilent në ruajtjen e saj. Është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.
Qëndrueshmëria dhe guximi ynë përbëjnë mburojën e hekurt që ruan lirinë e kombit dhe atdheut tonë dhe paqen e botës së lirë. Çmimi i lartë i lirisë paguar me gjakun e dëshmorëve e martirëve tanë është vigjilenca jonë e përjetshme. Për ne, Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, luftëtarët e lirisë janë frymëzimi ynë që të angazhohemi më shumë, të mësojmë më shumë, të bëjmë më shumë dhe të bëhemi më shumë për të mirën dhe në shërbim të Atdheut.
Atdheu ynë përjetësisht do të jetë toka e të lirëve sepse është shtëpia e trimave. Pemën e lirisë së saj e ka ujitur me gjakun e patriotëve të saj. Mbrojtësit përfundimtarë të lirisë jemi ne burrat dhe gratë e Ushtrisë sonë, të gatshëm për çdo sakrificë.
Në Epopenë e UÇK-së, falënderojmë dhe përshëndesim të gjithë veteranët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve e martirëve duke u përkulur para trimërisë së tyre në luftën për liri.
Falënderim dhe mirënjohje e veçantë për të gjithë bashkëkombës e bashkëkombëse, vëllezër e motra tona, ju mërgata jonë atdhetare, që bëtë dhe dhatë gjithçka për rezistencën e luftën tonë çlirimtare dhe po bëni e jepni gjithçka për Republikën tonë dhe gjithë kauzën kombëtare të zhvillimit dhe prosperitetit
të gjithmbarshëm. Ne Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbrojmë çdo pëllëmbë të tokës sonë, si dhe pavarësinë, lirinë, paqen dhe sigurinë e kombit tonë dhe gjithë popujve liridashës.
Jemi përherë krenarë e çdoherë mirënjohës për sakrificën e Jasharajve, me përulje të përjetshme para veprës së tyre dhe familjeve të tyre.
I kujtojmë dhe i nderojmë të rënët, vetëm atëherë kur vëmendjen e mbajmë mbi detyrat dhe përgjegjësitë tona, e mbi supe mbajmë amanetin e tyre.
Lavdi Jasharajve dhe të gjithë heronjëve, dëshmorëve e martirëve të kombit!
Fjala përshëndetëse e Jashar Aliut
Të dashur bashkatdhetarë, motra e vëllezër
Të nderuar pjesëmarrës në këtë 25-vjetor jubilar të Epopesë së Jasharajve
Ndjehem shumë i nderuar që sot po më jepet rasti të them ca fjalë për këtë ngjarje nga më të lavdishmet e historisë sonë kombëtare, Epopenë e Jasharajve në Prekazin legjendar.
Kur kujtojmë dëshmorët e Lirisë, i kemi të perzira ndjenjat e dhimbjes me ato të krenarisë.
Sot po kujtojmë me krenari 25-vjetorin e Epopesë nga më të lavdishmet e luftës titanike të UÇK-së, Epopenë e Jasharajve, e cila bëri kthesën vendimtare të mobilizimit të radhëve të UÇK-së për luftën e madhe për çlirimin përfundimtar të Kosovës, prandaj lirisht mund ta quajmë edhe gurthemel të lirisë së Kosovës.
Një rëndësi e veçantë e kësaj Epopeje të lavdishme është se shqiptarët përfundimisht mundën frikën e mbjellur nga pacifistët e skenës politike të Kosovës dhe marshuan në luftë për çlirimin e Kosovës. Pas kësaj Epopeje dhe rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari, djemtë dhe vajzat më të mirë të kombit masovikisht rrokën armët e lirisë.
Edhe mërgata shqiptare, e shpërndarë në katër anët e rruzullit tokësor, po jetonte me hallet e Atdheut të tyre, por jehona e rënjes heroike të Jasharajve mobilizoi atë si kurrë më parë, bëri që shumë djem e vajza t’i rrokun armët dhe t’i bashkohen UÇK-së.
Epopeja e Jasharajve shënon veprën më sublime të heroizmit dhe të flijimit për lirinë, është bazamenti i përjetësimit të të gjitha përpjekjeve tona shekullore për liri, është shembull unikat se si duhet t’i dilet zot atdheut..
Gjatë luftërave për liri të shqiptarëve ka shumë shembuj sakrifice e heroizmi. Mic Sokoli u hodh në grykë të topit, jo që ta asgjësonte me gjoks topin që po villte zjarr, por që t’ua rriste moralin luftarak luftetarëve të tij. Akte heroizmi pati edhe në Drenicën legjendare, pati edhe në Prekazin e Adem Jasharit. Por, është vështirë të gjesh shembuj të tillë sakrifice domethënëse si ai i Adem Jasharit dhe familjes së tij. Ata kishin mundësi të shpetonin, ata nuk ishin zënë në befasi, se shtëpia e tyre ishte rrethuar disa herë gjatë viteve, ata e dinin se është vështirë t’i përballonin një ushtrie të tërë, por ishin të vendosur të luftonin deri në vdekje për lirinë e Kosovës, dhe, familjarisht u sulën në grykë të topit për të sakrifikuar veten që të ndërgjegjësonin dhe të shpetonin një popull.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi Komandantin e saj Legjendar, por fitoi besimin dhe simpatinë e botës së përparuar që po hamendej, fitoi besimin e popullit të vet të lëkundur dhe mbushi radhët me dhjetëra mijë vullnetarë të lirisë. Adem Jashari jeton dhe do të jetojë si burim dhe si frymëzim i jetës së brezave të sotëm dhe të ardhshëm. Siq thot M.H. në një shkrim të tij
Edhe pas 23 viteve të perfundimit të luftës, 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Serbia po bën përpjekje që ta rimarr Kosovën, ta ndajë apo ta bëj shtet jofunksional permjet formimit të asociocionit, andaj, si atëhetë edhe sot, Kosova ka nevojë për forcën e bashkuar për t’i mbrojtur fitoret e arritura me gjak dhe për ta çuar në vend amanetin e Adem Jasharit e të gjithë dëshmorëve të tjerë. Për ti thënë Kryekomandantit: BAC U KRY
Është për keqardhje, se edhe pas 25 viteve të kësaj Epopeje, akoma në Prishtinën tonë si kryeqytet i Kosovës, nuk është vendosur asnjë bust apo shtatore e kryetrimit legjendar Adem Jashari
Lavdi komandantit Adem Jashari!
Lavdi dëshmorëve të lirisë!



























