“Gjuha ruhet aty ku shkruhet” – fjalë e urtë popullore
Të hënën me datën 23. Shtator edhe zyrtarisht filloi mësimi në gjuhën shqipe në Fällanden të Kantonit të Cyrihut, në Zvicër. Pas disa takimeve me prindërit më në fund u arrit dita më e përshtatshme për fëmijët e tyre.
Gëzimi, buzëqeshja ishin pjesë e orës mësimore në Fällanden. Motrat Aela dhe Ardea nuk ndaheshin nga njëra – tjetra. Bleranda kujdesej në çdo moment për vëllanë e saj më të vogël. Ema, Xhemaili, Edioni, Diola dhe të tjerët qëndronin gjatë orës mësimore sy e veshë, kureshtarë deri në pikë të fundit. Edhe prindërit ishin pjesë e orës mësimore. Mësuesja Nora u njoh me të gjithë e prindërit e fëmijëve dhe te të gjithë dukej qartë, dëshira e madhe për këtë fillim të vitit shkollor, tani edhe në gjuhën shqipe.
Nxënësit filluan me përkushtim të vizatojnë në fletët e përgatitura enkas për ditën e parë te shkollës nga mësuesja Nora. Secili prej fëmijëve shkroi emrin dhe mbiemrin dhe nëpërmjet ngjyrave shënuan dhe zbukuruan dëshirat e tyre. Bankat e klasës u mbushën me nxënës. Sa kënaqësi, edhe pse në Zvicër dashuria ndaj gjuhës shqipe është në rend të parë. Fjalët në gjuhën shqipe tingëllojnë, më duket se diçka veçantë po ndodh. Tani edhe këta fëmijë kanë mundësinë ta mësojnë gjuhën amtare, si të gjithë fëmijët e tjerë. Dhe në fund mësuesja Nora Macula ju dëshiroj një mbrëmje të këndshme së bashku me shkronjat e shqipes, kurse nxënësit ia kthyen me buzëqeshje dhe me një natë të mirë.





























