20.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

E shtunë, 3 prill 1999, Kukës: Java e dytë e shpërnguljes së madhe

U mbyll java, siç mund të mbyllet sipari i aktit  të parë të një tragjedie. Nuk e di dhe as e marr me mend se me sa akte mund të luhet kjo tragjedi, por, sidoqoftë, si çdo tragjedi shpresoj se dhe kjo e fundit do mbarojë.

 Petrit PALUSHI, Kukës

Në mesditën e sotme nisi java e dytë e shpërnguljes së madhe dhe më duket krejt e natyrshme se java që kaloi qe një javë shtegtuese. Një javë e plotë me ditë  e netë , ku njerëzit vetëm ecën. Me gjithë shënimet që hedh, ku të mundem e si të mund prap e ndiej  se informacioni që përmbajnë këto shënime është i zbrazët, jashtëzakonisht i zbrazët. Njerëzit lëvizin e lëvizin, por kjo lëvizje e tyre sikur është ngulë si gozhdë dhe imazhi që krijohet vjen tepër i mjegullt dhe i zbehtë në këto shënime. Kurrsesi, fantazia ime s’mund të krijonte rreshtin e njerëzve dhe traktorëve prej Morini në Kukës. Një rresht i tillë     njerëzish dhe traktorësh kurrsesi s’mund të vinte një javë më parë në fantazinë time dhe ndiej se këto ditë ajo sikur është ndryshkë, është bllokuar krejt. S’mund të them për sa kohë do mbetet ajo kësisoj, kur unë shoh ngjarje, të cilat më ngjajnë se i kam pa në ndonjë film të vjetër shumë, qysh në kohë të fëminisë, në kinemanë e Kukësit të Vjetër, qytetit të mbuluar prej ujanës së liqenit njëzet vjet më parë.

Tani, në këtë qytet, asgjë nuk duket si e rastësishme apo si e veçantë.

E veçantë është të shohësh ndonjë lypës nëpër rrugët e tij; po të shohësh qoftë edhe një të tillë do dukej si rastësi. Si çdo qytet, edhe Kukësi ka lypësat e vet, ani pse të pakët, por tashmë vendet ku ato mund të rrinë janë zënë prej kalimtarëve që shkelin çdo grimë të zbrazët qytetit.

Pardje mbërritën në Tiranë dy hetues ndërkombëtarë për krimet e luftës. Haga po hap dosjen e krimeve serbe në Kosovë. Por, më parë se të vinin përfaqësuesit e Hagës në Tiranë dëshmitë e para  të masakrave të ushtrisë e milicisë serbe u dhanë në Kukës, me të mbërritë të shpërngulurit këtu. Rrjedhimisht, ndërgjegjja njerëzore u shqetësua, u  trondit dhe kjo, jo vetëm në Kukës, por deri aty në skajin më të largët ku mund të shkojnë lajmet. Pra, ndërgjegja njerëzore, në Kukës më parë se kudo regjistroi kallëzimet, dëshmitë e të shpërngulurve se çfarë ka ndodhë e po ndodh në Kosovë. Rrëfimet janë të shumta. Ata që vijnë kallëzojnë se ç’po kryhet në katunde e qytete të Kosovës, se në ç’ masë ka shkuar mizoria serbe, se spastrimi etnik është shoqëruar me vrasje, masakra të llojllojshme,  dhe thonë se, Kosova po mbushet me varrnaja. Ata që vijnë thonë: Shumë shtëpi e prona të tjera të shqiptarëve po digjen dhe njëkohësisht, pasuria e tyre po u grabitet.