Drama “Bregu i pikëllimit” është në lartësinë e përfaqësimit të Teki Dervishit. Kjo dramë, gjithashtu, më parë se për t’u luajtur në skenë, është luajtur në rrafshin e shpirtrave njerëzorë: Ajo sikur po vihet në skenë këto ditë.
Shkruan : Petrit PALUSHI, Kukës
Një dramë e shkëlqimtë. Anipse e shkruar për t’u vënë në skenë (por regjisorët shpesh para saj ndodhen pothuajse si para të pamundshmes), kjo dramë sikur është krijuar për t’u lexuar, në vetmi a kolektiv njerëzor. Por më tepër në vetmi, ku të mos ndihet as lëvizja e frymës së njeriut. Kjo dramë, gjithashtu, më parë se për t’u luajtur në skenë, është luajtur në rrafshin e shpirtrave njerëzorë: Ajo sikur po vihet në skenë këto ditë.
Mbrëmë vonë, në telefon nga Tirana, gazetari Leka Ndoja më pyeti veç të tjerash se ç’flitej ndër të shpërngulurit këtu, në Kukës, për shkrimtarin Teki Dervishi dhe poetin Din Mehmeti, pasi në Tiranë kishte hamendje nga më të ndryshmet. Ai më thoshte se, për veten e tij, s’mund ta merrte me mend t’ishin vra dhe së shpejti do botonte tek
“Rilindja” shkrime për krijimtarinë e tyre. E shihte praninë e shkrimtarëve, më saktë frymëmarrjen e tyre vetëm në krijimtari dhe s’mund ta merrte me mend, për sa flitej kohët e fundit, mospraninë e tyre fizike.
I them Leka Ndojës se shumë prej t’ardhurve këtu, s’duan të besojnë se shkrimtarët të jenë vrarë dhe i mendojnë më tepër të gjallë se të vrarë.
Teki Dervishi mund të jetë diku, në Prishtinë, ose, siç flitet, në qytetin fantazmë. Mund të jetë aty duke soditur pikëllimin e këtyre ditëve.
I kujtoj edhe vargun poetik të Din Mehmetit: “Kosova, zog i diellit”.
E plotësoj mendimin duke thënë se edhe poeti Din Mehmeti mund të jetë duke e soditur Kosovën që e ka përfytyruar si zog të diellit. Si zog të hapësirave. Dhe ndoshta, poezia mund ta shpëtojë kësaj radhe poetin.

























