19 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

DY VENDE SHQIPTARE, DY STANDARDE PËR DEMOKRACINË?

Screenshot
Screenshot

Sa dallojnë në të vërtetë qeverisjet në Shqipëri dhe Kosovë kur flasim për transparencë, përgjegjshmëri, llogaridhënie, bashkëvendimmarrje dhe përfshirje demokratike?

Natyrisht se ka dallime. Por problemet themelore janë shumë më të ngjashme sesa na lejon të besojmë polarizimi politik: përqendrim pushteti, parti të personalizuara, transparencë e pamjaftueshme, korrupsion e klientelizëm, institucione që duhen fuqizuar, dialog i dobët politik dhe qytetarë që përfshihen shumë më tepër në kohë zgjedhjesh apo krizash sesa në vendimmarrjen e përditshme.

Prandaj më shqetëson përdorimi i dy standardeve.

Si mund të kundërshtohet në Kosovë bashkëqeverisja gjithëpërfshirëse, dialogu dhe ndarja e përgjegjësisë institucionale, ndërsa në Shqipëri të mbështeten thirrjet për “revolucion” dhe përmbysje të qeverisë?

Nëse problemi është mungesa e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare, përse receta nuk është e njëjtë në të dyja anët: më shumë demokraci, më shumë kontroll të pushtetit, më shumë bashkëvendimmarrje dhe institucione më të forta?

Protesta për mjedisin, transparencën apo kundër korrupsionit është e drejtë demokratike. Por nga kërkesa për mbrojtjen e Zvërnecit deri te projekti për përmbysjen e një qeverie ekziston një hap i madh politik, i cili duhet argumentuar dhe jo fshehur pas kauzës mjedisore.

Madje Kosova ka arsye edhe më të forta për ta kultivuar kulturën e kompromisit dhe të bashkëpërgjegjësisë. Shtetformimi i saj ende nuk është përmbyllur plotësisht, sovraniteti vazhdon të sfidohet dhe raportet me aleatët ndërkombëtarë mbeten me rëndësi jetike. Dobësimi institucional në këto rrethana nuk është vetëm problem i një qeverie: mund të bëhet problem i vetë shtetit.

Shqipëria, nga ana tjetër, është në procesin e integrimit në BE. Edhe atje duhen më shumë kontroll demokratik, transparencë, drejtësi, qytetari aktive dhe institucione më të përgjegjshme. Pikërisht integrimi evropian duhet të përdoret si levë për t’i imponuar këto standarde, jo të vihet në rrezik nga logjika e përmbysjeve.

Dhe mbi të gjitha: ku është dimensioni mbarëshqiptar?

Si e fuqizojnë Shqipëria dhe Kosova faktorin shqiptar në Evropën Juglindore? Çfarë bëjnë së bashku për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Mal të Zi e gjetkë? Si bashkërendohen arsimi, kultura, ekonomia, infrastruktura, diplomacia dhe diaspora? Si ecim drejt integrimit të mirëfilltë ndërshqiptar paralelisht me integrimin evropian?

Qytetaria aktive nuk duhet të jetë art i përmbysjes, por aftësi për ta detyruar pushtetin të përmirësohet dhe institucionet të funksionojnë.

Nëse kërkojmë demokraci, le ta kërkojmë me të njëjtin standard në Tiranë dhe në Prishtinë.

Nëse kërkojmë bashkëvendimmarrje, le ta praktikojmë në të dyja.

Nëse kërkojmë institucione të forta, të mos i dobësojmë kur qeverisin ata me të cilët nuk pajtohemi.

Shqiptarëve sot u duhet më shumë demokraci, më shumë bashkëpunim dhe më shumë fuqi institucionale – jo revolucion në njërën anë dhe përjashtim politik në tjetrën.