14.9 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Dragashi, një krahinë atraktive për turistët

Komuna e Dragashit është unike për faktin që gati e tërë treva është malore. Dragashi është e vetmja komunë e Kosovës që është plotësisht e vendosur brenda maleve me mbi1000 metra lartësi mbidetare. Territori i kësaj komune përbëhet nga 63.1% kullosa, 20.7% pyje, 7% livadhe, 9% bujqësi dhe 1.2% zona urbane dhe tokë të zhveshur. Gjysma e vendbanimeve në fshatra kanë mbi 80% të tokës bujqësore. Rajoni është i pasur me burime të ujit me dy lumenj kryesorë – Pllava dhe Restelica, me një numër të degëve dhe tri liqene. Fshatrat e Gorës, të vendosura nëpër bjeshkë janë më kompakte se fshatrat e Opojës të cilat janë të vendosura në rrafshina me shtëpi të shpërndara.

Parkut Kombëtar është i rëndësishëm për komunën e Dragashit, jo vetëm duke tërhequr turistë në këtë pjesë, por edhe duke ndihmuar dhe mbështetur komunitetin lokal për të zvogëluar varfërimin e biodiversitetit, shpyllëzimin dhe degradimin e tokës.

Me mbrojtjen e mjedisit, florës dhe faunës se pasur, shfrytëzimin e rrjedhave të lumenjve për prodhimin e eko – energjisë duke ngritur mini-hidrocentarle të vogla të tipit “Dikanca” që njëherë janë edhe atraksione turistike, ushqimet tradicionale që rrallë kund mund ti hasesh, me prodhime blegtorale që nuk mund të gjenden në vendet tjera si djathi i njohur i Sharrit, pastaj mjalti shumë kualitativ dhe i pastër nga lulet dhe pishat e llojllojshme që ka me bollek në këtë komunë, bukuritë natyrore do të jenë shumë joshëse për vizitoret e eko – turizmit në bjeshkët e “Sharrit”, “Korbait” dhe “Koretnikut”.

Duke pasur parasysh se këto bjeshkë me kushte të volitshme klimatike dhe me reliev të veçantë ofrojnë kushte ideale për disa lloje të zhvillimit turistik, si: turizmi dimërore me shtigje të shumta të përshtatshme për skijim dhe sportet tjera në borë, turizmi sportive – rekreative, turizmi ekologjik, turizmi bjeshkor me shtigje për ecje, ekskursione familjare e kolektive, alpinizëm janë parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Komuna e Dragashit me dy trevat e saja etnografike Opojës dhe Gorës, disponon kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit. Faktorët kryesorë janë peizazhet e bukura të malit të “Sharrit”, klima e shëndoshë, ajri i pastër, numri i madh i burimeve dhe gurrave të ftohta si dhe lumenjtë dhe luginat atraktive, pyjet, flora dhe fauna, liqenet, etj.

Andaj sektori i turizmit është njëri nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të kësaj komune. Në fushën turistike komuna e Dragashit ka shumë mundësi sidomos në zhvillimin e turizmit malor të gjelbër dhe atij të trashëgimisë kulturore e historike. Në zhvillimin e turizmit ndikojnë: pozita gjeografike dhe klimaterike e favorshme e kësaj komune. Zona malore e komunës së Dragashit e sidomos ajo e Maleve të Sharrit ka hapësira të mëdha e të virgjëra që mund të shërbejnë si zona për aventura të panumërta në natyrë, ekskursione familjare, shëtitje, alpinizëm dhe shijim të Kosovës tradicionale të natyrës.

Terrenet për skijim në këtë trevë janë shumë të përshtatshme, sidomos në bjeshkën e Brodit, Restelicës, Zaplluxhes, Blaçit, Bresanës, Kukit, etj. Mjafton një shtresë e hollë e borës që mundësia e shfrytëzimit të saj të zgjasë deri në 6 muaj. Brodi është qendra më e madhe për rekreacion dimëror ku gjithë kushtet janë mjaft të mira. Kapaciteti i terreneve të skijimit në këto qendra është për rreth 30 mijë skiatorë. Në Zapluxhë, përveç skijimit dimëror, terrenet janë të përshtatshme edhe për skijim në bar.

Përveç klimës malore, me pyje të dendur me pisha, bredha, ah, dushk, shkozë, verri, shelgje etj., dhe prezencën e një peizazhi mbresëlënës, turistët mund të gjejnë edhe pjesë nga historia dhe trashëgimia kulturore materiale e popullit opojanë e goranë, duke filluar nga periudhat më të hershme.

Pra, komuna më jugore e Kosovës, Dragashi, është një oazë e bukurisë së paprekur natyrore dhe fshatrave tradicionale që pozicionohet në mes dy kufijve, atij të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) dhe Shqipërisë.

Popullsia mikpritëse është e gatshme për të pritur miq dhe për t u ofruar atyre një pjesë të madhe të produkteve që ata i prodhojnë vetë, si djathë Sharri, kos delesh, gjizë, fli, petulla, pite të ndryshme, gjella dhe ëmbëlsira të gatuara nga vetë mjeshtrit e kësaj komune, të cilët janë të njohur në tërë Ballkanin.