Mesditën e së premtes ka dhënë dorëheqje kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Dorëheqjen e tij të pakthyeshme ai e bëri të ditur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, me anë të së cilës i zuri në befasi të gjithë.
Arsyeja e dorëheqjes së tij dhënë para mediave, ka thënë të jetë ftesa që ka marrë nga Gjykata Speciale për intervistim në kuadër të të dyshuarit.
Haradinaj nuk ka mundur ti mbajë emocionet teksa ka bërë të ditur që javën tjetër do të udhëtojë në Hagë, për ti përgjigjur ftesës së bërë. Ai ka thënë se atje dëshiron të paraqitet si qytetar i Kosovës dhe jo si kreu i Qeverisë, prandaj edhe e ka marrë vendimin që të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës.
“Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë”, ka thënë Haradinaj.
Është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.
Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

























