13 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Disa ura në Mitrovicë

Ese:

Vetëm po them: Disa ura në Mitrovicë

Nga Safet Sadiku, më 26.08.2025, Mitrovicë

Mitrovica është qyteti i urave. Jo vetëm urat që kalojnë lumin, por edhe urat e kujtesës, të historisë, të gjakut e të djersës e bëjnë të njëjtën gjë!… Është qyteti ku çdo urë bëhet metaforë. Dhe ura që lidh brigjet, ura që ndan territoret, ura që mban mbi vete barrën e paqes së brishtë dhe urën e munguar të besimit mes njerëzve. Në këtë qytet lindi dhe u bë legjendë Isa Boletini, ura e gjallë mes pushkës dhe diplomacisë, mes besës shqiptare dhe përpjekjes për shtet. Po në këtë qytet u ngulit edhe zemra e “Trepçës”, minatorët e saj që zbritën nën tokë për të nxjerrë dritë nga errësira, duke u bërë ura mes pasurisë natyrore dhe shpirtit punëtor të Kosovës. Prandaj, kur flet për Mitrovicën, nuk mund të ndahesh nga metafora e urave, sepse ato tregojnë plagët, por edhe shpresat… Ato kujtojnë ndarjet, por premtojnë bashkim, ato e shfaqin politikën e dështuar, por njëkohësisht mbajnë të gjallë aspiratën për një të ardhme më të drejtë. Në Mitrovicë, ura nuk është vetëm kalim mbi ujë, por është pasqyrë e vetë historisë së kombit.

Mitrovica është qytet që të flet me gurë e me ura. Në çdo hap të saj, historia të del përballë, ora e dhimbjes dhe ora e shpresës takohen në një pikë!… Aty ku dikur rridhte vetëm një lumi i parë dhe i dytë… Lumenj të qetë. Sot rrjedhin kujtime, plagë dhe premtime. Dy ura e mbajnë qytetin pezull: ura e vjetër, që hesht e braktisur, e mbyllur, që po ruan ende marrveshjet e gabuara si roje…, dhe ura e re, e ngritur me beton e asfalt të freskët. Por ato nuk janë thjesht ura… Ato janë dy gjuhë të së njëjtës histori. Ura e vjetër mban brenda saj një të kaluar të rëndë. Ajo është dëshmitare e një kohe kur politika ndërtohej mbi fjalë të rënda, mbi marrëveshje që nuk mbajnë, që nuk mbijetuan, mbi komentet publike: “thanë ndërkombëtarët, gabuan shqiptarët”. Ajo hesht, por heshtja e saj është e rëndë, sepse brenda heshtjes fshihet një refren i përsëritur dhjetëra herë, një këngë e shëmtuar e diplomacisë së brishtë, ku shqiptarët shpesh u gjendën fajtorë për gabimet e të tjerëve. Dhe këto gabime i pranuam edhe ne, madje u quajtën normale. Ah urat e Mitrivicës, me plot kujtime… Por, ura e re, e ngjitur mbi themele të forta, u shpall si simbol zhvillimi, si dëshmi e një epoke të re. Nga banorët e këtushëm… Ajo u mbulua me fjalë të mëdha: burrni, ringritje, modernizim.

E megjithatë, faktet nuk mund të fshihen: Mitrovica ka ndryshuar. Flamuri serb në veri, që dikur valëvitej si simbol i ndarjes së qytetit, si vështirësi ndaj shtetësisë shqiptare, sot është bërë hi, i tretur në erën e Dardanisë! Ky është një realitet që nuk mund të mohohet, pavarësisht gjithë kritikave, pavarësisht se Kryeministri dhe qeveria shpesh u ngritën e u rrëzuan nën shi e breshër, pavarësisht luhatjeve dhe pasigurive, Mitrovica është më ndryshe sot nga dje. Dhe meritat, sido që të jenë, duhet të pranohen, sepse historia nuk shkruhet vetëm me gabime, por edhe me hapa të vegjël përpara. Vetëm po them: Mitrovica ka ndryshuar, pavarësisht se shpesh kam ngritur zërin e kritikës aty ku ajo ka qenë e merituar. Kryeministër e qeveri, herë u ngritët e herë u rrëzuat, herë u përplasët me furtuna e herë gjetët strehë të përkohshme, por në këtë qytet të ndarë dikur nga dhuna, tashmë dallohet një ndryshim që s’mund të fshihet. Dhe ky ndryshim, sado i brishtë, është arritje që duhet të pranohet. Mitrovica mbetet qytet i plagosur, një qytet i hallakatur nga historia, që shëron plagët e tij me ura. Por shërimi i vërtetë nuk vjen vetëm nga betoni e asfaltimi. Ai vjen nga aftësia për të kthyer një simbol ndarjeje në një simbol bashkimi, nga fuqia për të kujtuar të kaluarën pa mbetur peng i saj, nga mençuria për të kuptuar se ndërtimi i një ure nuk është thjesht akt inxhinierik, por është akt diplomatik, një mesazh i heshtur që thotë: “këtu jemi bashkë”. Prandaj, ura e re është dëshmi se mund të ndërtojmë; ura e vjetër mbetet kujtesë se nuk mund të harrojmë. Ato dy ura flasin mes tyre, njëra me gjuhën e të ardhmes, tjetra me gjuhën e të shkuarës. Dhe Mitrovica, duke i parë të dyja, na kujton se diplomacia e dështuar nuk qëndron te mungesa e urave, por te paaftësia për t’i kthyer ato në ura të shpirtit dhe të bashkë-funksionalitetit dhe të jetesës. Sepse një qytet nuk matet vetëm me kilometrat e asfaltuar apo me tenderët e nënshkruar, por me aftësinë për të shndërruar gurët e rëndë të historisë në themele të një jete të përbashkët. Dhe Mitrovica, me plagët e saj, me urat e saj, me ndryshimin e saj të ngadalshëm, është dëshmi e gjallë se ndërtimi i shtetit është gjithmonë më i vështirë sesa ndërtimi i një ure.

Ura e re…

Ura e re duket si një kënd i ndërtuar me kujdes, një shenjë e betonit të freskët dhe disiplinës inxhinierike, që përpiqet të sjellë rregull në një hapësirë ku ka pasur më parë kaos dhe ndarje. Makineritë e punës qëndrojnë akoma mbi asfaltin e sapondërtuar, një Mercedes i vogël dhe një kamion i madh punojnë bashkë si dy qenie të përkushtuara ndaj një qëllimi të përbashkët, ndërsa shiriti i kuq dhe pengesat e përkohshme tregojnë se procesi nuk ka përfunduar ende, por rezultatet e tij tashmë preken me sy. Përreth, ndërtesat e larta të qytetit e rrethojnë këtë hapësirë si dëshmitarë të heshtur, ndërsa një pemë e vetmuar valon në erë dhe shikon nga lart aktivitetin e rrallë që duket si një ritual ringritjeje! Ura nuk është thjesht kalim mbi rrugë, ajo është metaforë e përparimit, një simbol i bashkimit të hapësirës dhe i qetësisë që pritet të vijë. Dritat e reflektorëve dhe detajet e makinave tregojnë se çdo centimetër është përpunuar me kujdes, dhe shpirti i qytetit duket se rrjedh në betonin e freskët, duke i dhënë Mitrovicës një frymë të re.

Ura e vjetër…

Ura e vjetër qëndron si një plagë e ngrirë mbi lumin e Mitrovicës. Ajo nuk është më thjesht një konstruksion hekuri e betoni, por është një kujtim i hidhur i ndarjes, një dëshmi e viteve kur qyteti nuk bashkohej, por ndahej, kur mbi të nuk kalonin njerëz të lirë, por hijet e frikës, bashkë me ushtarët e barrikadat. Shinat e saj të ndryshkura, të pllakave të rrënuara dhe krahët e saj të lodhur, ende po flasin për një kohë kur ura nuk shërbente për të lidhur brigje, por për t’i ndarë ato. Në heshtjen e saj të rëndë, ajo ruan fjalë të pathëna, biseda diplomatike të dështuara, premtime të pambajtura. Është sikur çdo gur i saj të mbajë brenda një refren të trishtë: “thanë ndërkombëtarët, gabuan shqiptarët”. Kjo urë, që duhej të ishte rrugëkalim, u bë kufi, që duhej të ishte shenjë bashkimi, u kthye në kujtesë ndarjeje. E sot, edhe pse nuk ka më barrikada mbi të, ajo nuk është as plotësisht e lirë, por ajo mbetet një metaforë e politikës sonë pa mjeshtri, dhe është një peng i historisë që ende nuk e kemi mbyllur. Çdo kalim mbi të është si një rikthim në kujtesë, si një shikim pasi që nuk të le të ecësh përpara pa ndjerë peshën e asaj që ka qenë. Ura e vjetër është rrëfim i një qyteti të plagosur, që edhe kur ndërton ura të reja, nuk arrin t’i shërojë krejt plagët e së shkuarës. Ajo qëndron atje si kujtesë e gjallë! Ajo është një peng i madh politik, një shenjë e heshtur se liria ende nuk është e plotë…