14.9 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Dialog mbi të vërtetën dhe rendin ligjor

Ese: (3)

Dialog mbi të vërtetën dhe rendin ligjor

Nga Safet SADIKU

Për dallim nga pjesa, që trajtonte harresën si mekanizëm dhe errësirën si metodë qeverisjeje, tani ky nëntitull kërkon të shqyrtojë raportin midis së vërtetës historike dhe rendit politik në hapësirën shqiptare në tërësi, duke përfshirë jo vetëm Shqipërinë shtetërore, por edhe shqiptarët e Kosovës, dhe gjithë të tjerët e Gadishullit Ilirik, të cilët për dekada jetuan nën strukturën federative të ish-Jugosllavisë dhe më pas përjetuan shpërbërjen e saj me pasoja dramatike politike, institucionale dhe njerëzore. Dialogu mbi të vërtetën dhe rendin shoqëror nuk është debat abstrakt filozofik, por çështje konkrete e mënyrës se si ndërtohen institucionet, si interpretohet e shkuara dhe si legjitimohet pushteti në të tashmen, sepse çdo rend politik që nuk mbështetet mbi një të vërtetë të pranuar dhe të përpunuar rrezikon të mbetet i brishtë, ndërsa çdo e vërtetë që nuk institucionalizohet në norma dhe procedura rrezikon të mbetet retorikë e dështuar. Në Shqipëri, regjimi komunist ndërtoi një rend të mbyllur, të centralizuar dhe të izoluar, ku e vërteta ishte monopol shtetëror dhe ku kundërshtimi i qëndrimeve ndaj politikës zyrtare përkthehej në përjashtim politik e shoqëror. Ndërsa në Kosovë, veçanërisht gjatë periudhës së dominimit të strukturave të lidhura nga Serbia brenda (ish)-federatës jugosllave, shqiptarët përjetuan një formë tjetër të rendit shoqëror, ku autonomia e kufizuar bashkëjetonte me kontroll të fortë politik, me presion mbi arsimin, kulturën dhe administratën, si dhe me ndërhyrje të vazhdueshme në përfaqësimin institucional. Në të dy rastet, e vërteta ishte e kushtëzuar nga rendi ligjor: në Shqipëri, e vërteta filtrohej nga ideologjia, ndërkaq në Kosovë, ajo kufizohej nga struktura federative dhe nga raportet e pabarabarta të pushtetit brenda saj. Dhe kështu në këto administrata shtetërore në të dyja hapësirat, qytetari shqiptar mësohej të jetonte në një realitet ku përvoja e përditshme dhe diskursi zyrtar shpesh nuk përputheshin. Në një interpretim klasik republikan, Ciceroni do të theksonte se rendi i drejtë është ai që buron nga ligji i përbashkët dhe nga dinjiteti i qytetarit, jo nga frika apo nga imponimi, dhe se pa këtë të vërtetë të artikuluar hapur nuk mund të ketë republikë të qëndrueshme. Ndërkaq, në gjuhën e analizës bashkëkohore, Roboti do të argumentonte se rendi funksionon vetëm kur sistemet institucionale si; gjyqësori, administrata, arsimi, media etj., operojnë mbi bazë të një transparence, llogaridhënieje dhe profesionalizmi. Në të kundërtën çdo deformim i këtyre hallkave prodhon një realitet paralel ku forma demokratike bashkëjeton me praktikë jo-transparente.

Krahasimi i regjimeve tregon se, megjithëse Shqipëria komuniste dhe Kosova nën ish-Jugosllavi kishin kontekste të ndryshme, ndonëse të dyja përjetuan kufizim të sovranitetit real të qytetarit: në njërin rast përmes izolimit ideologjik dhe kontrollit total të brendshëm, në tjetrin përmes një strukture federative ku qendra e vendimmarrjes për çështje të rëndësishme jetësore shpesh ndodhej jashtë vullnetit të shumicës shqiptare në Kosovë. Pas ndryshimeve të mëdha politike në fund të shekullit XX, vështirësia kryesore nuk ishte vetëm ndërtimi i shteteve apo institucioneve të reja, por ndërtimi i një rendi të bazuar mbi të vërtetën e përpunuar historikisht, sepse pa adresimin e padrejtësive të së kaluarës dhe pa reformim të thellë institucional, rreziku i riciklimit të kulturave autoritare ende mbetet i pranishëm, edhe në kushte pluralizmi formal. Sot, dialogu mbi të vërtetën dhe rendin ligjor për shqiptarët, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, kërkon të kapërcejë ndarjen midis ndjeshmërisë emocionale dhe analizës teknike, duke pranuar se pa kujtesë të qartë historike nuk mund të ketë orientim strategjik të qëndrueshëm, dhe se pa rend institucional të konsoliduar e vërteta mbetet e pambrojtur nga manipulimi. Prandaj, kërkesa e përbashkët nuk është thjesht të krahasohen regjimet e së kaluarës, por të ndërtohet një kulturë politike ku asnjë rend nuk legjitimohet pa transparencë dhe asnjë e vërtetë nuk instrumentalizohet për interesa të ngushta, në mënyrë që hapësira shqiptare, në tërësinë e saj, të kalojë nga mbijetesa historike në konsolidim të plotë institucional dhe qytetar me një rend ligjor të zbatueshëm dhe demokraci të mirëfilltë.

Ciceroni: Unë vazhdoj ta mbroj titullin “Midis dosjeve dhe fantazmave të pushtetit”. Sepse demokracia jonë endet pikërisht aty: midis dokumenteve që flasin qartë dhe hijes që i relativizon ato. Dosjet janë prova. Fantazmat janë kultura e pandëshkueshmërisë. Pa i çliruar qytetarët nga frika e këtyre fantazmave, çdo reformë institucionale mbetet skelet pa shpirt.

Roboti: Poeti flet për hije, por unë flas për struktura. Demokracia nuk dobësohet nga fantazmat, por nga defektet sistemike. Unë e quaj këtë proces “Anatomia e harresës kolektive”. Sepse harresa nuk është emocion, por është një mekanizëm shtetëror, të paktën në syrin tim… Ajo prodhohet nga institucione që nuk funksionojnë, nga administrata që i shërben partisë dhe jo ligjit, nga një arsimim që shmang kapitujt e vështirë të historisë. Nëse duam demokraci të fortë, duhet të rindërtojmë hierarkinë shtetërore mbi profesionalizëm, meritë dhe kontroll të ndërsjellë.

Ciceroni: Hierarkia pa moral bëhet piramidë frike. Unë nuk kundërshtoj analizën tuaj, por pa ndërgjegje, ajo kthehet në teknikë të ftohtë. Fantazmat janë simbol i padrejtësive të pashëruara. Nëse shteti nuk i jep përgjigje së shkuarës, ai nuk fiton legjitimitet në të tashmen. Një demokraci që nuk gjykon krimet e saj mbetet peng i tyre.

Roboti: Prandaj kërkimi i së vërtetës duhet të institucionalizohet. Hapja e dosjeve nuk duhet të jetë spektakël, por procedurë. Transparenca nuk duhet të jetë retorikë, por standard. Hierarkia shtetërore duhet të funksionojë si zinxhir përgjegjësish. Dhe, parlamenti kontrollon ekzekutivin, gjyqësori kontrollon ligjshmërinë, dhe administrata zbaton detyrat paanshmërisht. Kur secili nivel funksionon sipas kompetencës, harresa humbet terren.

Ciceroni: Ti flet si arkitekt. Dhe ke të drejtë. Por arkitektura e demokracisë shembet nëse qytetari humbet besimin. Ndaj nevojitet edhe thirrja morale. Logjika: “Midis dosjeve dhe fantazmave” është kujtesë se e vërteta nuk është vetëm çështje dosjesh, por edhe çështje karakteri kombëtar.

Roboti: Sinteza është e qartë. E vërteta duhet të jetë edhe normë me parime morale, edhe proces teknik. Dosjet janë të dhëna. Analiza është metodë. Reforma institucionale është zbatim. Pa këtë treshe, demokracia mbetet e brishtë.

Hierarkia si garanci shtetërore, jo si dominim politik: Hierarkia në një shtet demokratik nuk është shkallë privilegjesh, por arkitekturë përgjegjësish. Ajo nuk ndërtohet për të ngritur disa mbi të tjerët, por për të vendosur rend, kompetencë dhe llogaridhënie në një sistem ku pushteti shpërndahet, kontrollohet dhe kufizohet nga ligji. Kur hierarkia funksionon si duhet, ajo nuk prodhon frikë, por siguri, nuk mbyll gojë, por qartëson role, dhe nuk përqendron autoritetin në një dorë, por e ndan atë në hallka që mbikëqyrin njëra-tjetrën. Dominimi politik lind atëherë kur hierarkia deformohet dhe kthehet në piramidë klienteliste, ku besnikëria partiake zëvendëson meritën, ku urdhri zëvendëson procedurën, dhe ku institucioni humbet identitetin e vet kushtetues për t’u shndërruar në zgjatim të vullnetit të një grupi. Në këtë pikë, forma mbetet, por përmbajtja zbrazet edhe kur struktura ekziston, por funksioni i saj është i kapur. Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi i veçantë dhe i rëndësishëm midis hierarkisë si garanci shtetërore dhe hierarkisë si instrument dominimi. Një hierarki shtetërore e shëndetshme presupozon ndarje të qartë kompetencash, standarde të paracaktuara me vendimmarrjeje dhe mekanizma kontrolli që nuk varen nga humori i shumicës së radhës. Kuvendi kontrollon qeverinë dhe gjyqësori kontrollon ligjshmërinë e akteve. Ndërkaq, administrata zbaton ligjin paanshmërisht, pavarësisht ndryshimeve politike. Kjo është logjika e një rendi kushtetues ku autoriteti nuk është absolut, por i kushtëzuar nga norma.

Shembulli nga Gjermania është ilustrues për këtë dallim. Pas përvojës traumatike të nazizmit dhe më pas të diktaturës në Gjermaninë Lindore, arkitektura shtetërore u ndërtua mbi një parim të qartë: asnjë pushtet nuk duhet të jetë i pakontrolluar. Kushtetuta gjermane (Grundgesetz) vendosi një rend federal ku kompetencat ndahen midis qeverisë federale dhe landeve, duke krijuar një ekuilibër që e bën të vështirë përqendrimin e tepruar të pushtetit në një qendër të vetme. Në këtë sistem, „Gjykata Kushtetuese Federale në Karlsruhe“ ka autoritet real për të rrëzuar ligje apo vendime qeveritare që bien ndesh me rendin kushtetues, çka tregon se hierarkia nuk është zinxhir nënshtrimi, por zinxhir kontrolli. Por, ky shembull konkret, është mënyra si Gjermania po ashtu u përball me të shkuarën e saj totalitare. Hapja dhe administrimi i dosjeve të shërbimit sekret të ish-Gjermanisë Lindore u bë përmes një institucioni të posaçëm, të njohur si Autoriteti Federal për Dosjet e Stasit (BSTU), i cili funksionoi mbi bazë ligjore dhe me procedura të qarta aksesimi. Kjo nuk ishte thjesht vetëm çështje simbolike, por ishte institucionalizim i së vërtetës. Hierarkia shtetërore garantoi që procesi të mos kthehej në mjet hakmarrjeje politike, por të mbetej brenda kornizës së ligjit dhe të drejtave individuale. Këtu shohim se si një rend i organizuar mirë mund ta shndërrojë përballjen me të shkuarën në forcim të demokracisë, jo në destabilizim të saj. Në një kontekst tjetër, administrata publike gjermane funksionon mbi parimin e profesionalizmit të shërbimit civil (Beamte), ku nëpunësi i shtetit i shërben ligjit dhe jo partisë. Ndryshimi i qeverive nuk sjell spastrim total të administratës, sepse hierarkia është e ndërtuar mbi karrierë, trajnim dhe detyrime ligjore, jo mbi besnikëri politike. Kjo krijon vazhdimësi, stabilitet dhe besim publik. Dhe ky besim është kapitali më i madh i demokracisë. Nëse e kthejmë vështrimin nga vetja, kuptojmë se problemi nuk është ekzistenca e hierarkisë, por kapja e saj. Kur drejtuesit e institucioneve emërohen për shkak të lidhjeve partiake dhe jo për meritë, kur urdhri verbal zëvendëson aktin e shkruar, kur kontrolli parlamentar është formal dhe jo substancial, atëherë hierarkia shndërrohet në instrument dominimi. Ajo nuk garanton më ligjin, por ajo garanton vetëm pushtetin e momentit. Hierarkia si garanci shtetërore kërkon tre elemente të rëndsishme: ligj të qartë, institucione të pavarura dhe kulturë llogaridhënieje. Pa ligj të qartë, autoriteti bëhet arbitrar. Pa institucione të pavarura, kontrolli bëhet farsë. Dhe, pa kulturë llogaridhënieje, çdo strukturë rrezikon të kalbet nga brenda. Demokracia nuk është kaos horizontal ku të gjithë flasin njëkohësisht dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ajo është rend i organizuar ku secili nivel di kufijtë e vet dhe i respekton ato. Hierarkia, në këtë kuptim, është një mekanizëm racionalizimi i pushtetit dhe ajo, çdo të vërtetë, e bën të dukshëm, të gjurmueshëm dhe të kontrollueshëm. Kur funksionon si duhet, ajo mbron qytetarin nga arbitrariteti. Kur deformohet, e ekspozon atë ndaj tij. Prandaj, sfida nuk është rrëzimi i hierarkisë, por pastrimi i saj nga dominimi politik. Së këndejmi gjer më tani është e konfirmuar, se një shtet pa hierarki funksionale rrëshqet në anarki institucionale. Ndërsa, një shtet me hierarki të kapur rrëshqet në autoritarizëm, ta quaj, të butë. Midis këtyre dy ekstremeve qëndron demokracia e pjekur: një rend ku pushteti është i organizuar, por i kufizuar dhe ku autoriteti është i pranuar, por i kontrolluar, ku shteti është i fortë, por jo shtypës. Në parim, hierarkia është vetëm një mjet. Ajo mund të jetë zinxhir dominimi ose garanci e lirisë. Dallimi nuk qëndron te struktura formale, por te fryma kushtetuese që e animon dhe te vullneti politik për ta respektuar atë. Dhe kur kjo frymë është e gjallë, shteti nuk i frikësohet as transparencës, as së vërtetës, sepse e di se rendi i tij nuk mbështetet mbi frikë, por mbi ligj.

Hierarkia, në kuptimin klasik të organizimit shtetëror, nuk është instrument shtypjeje, por mekanizëm racional i shpërndarjes së përgjegjësive, kompetencave dhe llogaridhënies, sepse një shtet që nuk funksionon mbi bazë hierarkie të qartë administrative rrezikon të bjerë në anarki procedurale, ndërsa një shtet që e shndërron hierarkinë në mjet dominimi politik e deformon vetë parimin e rendit juridik dhe e kthen administratën nga shërbim publik në strukturë kontrolli. Në hapësirën shqiptare, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët e Iliridës nën Maqedonia e Veriut, problemi nuk ka qenë ekzistenca e hierarkisë si e tillë, por përdorimi i saj në funksion të balancës institucionale apo të dominimit politik, sepse aty ku zinxhiri komandues i administratës respekton ligjin dhe meritokracinë, ai shërben si garanci stabiliteti, ndërsa aty ku emërimet, promovimet dhe vendimmarrjet kushtëzohen nga përkatësia politike apo etnike, hierarkia shndërrohet në piramidë varësie. Në një lexim republikan të rendit shtetëror, Ciceroni do të argumentonte se hierarkia është e ligjshme vetëm atëherë kur buron nga ligji dhe kur synon mbrojtjen e dinjitetit të qytetarit, sepse një republikë e qëndrueshme nuk ndërtohet mbi arbitraritet, por mbi rend normativ ku secili nivel i pushtetit është i kufizuar nga ligji dhe i orientuar drejt së mirës publike. Por, nëse ky kufizim mungon, atëherë hierarkia degradon në dominim dhe shteti humb karakterin e tij republikan. Në anën tjetër, Roboti do ta përkthente këtë parim në gjuhën e sistemeve moderne, duke theksuar se hierarkia është arkitekturë funksionale e një organizmi institucional, ku çdo hallkë ka rol të përcaktuar, indikatorë performance dhe mekanizma kontrolli. Por, shpesh problemi lind jo nga struktura vertikale në vetvete, por nga kapja e saj përmes rrjeteve joformale që e zhvendosin qendrën reale të vendimmarrjes jashtë procedurave të parashikuara. Në kontekstin e shqiptarëve në Iliridë, çështja e hierarkisë ka qenë e lidhur ngushtë me përfaqësimin proporcional, me përdorimin e gjuhës shqipe në administratë, me aksesin në pozita vendimmarrëse dhe me barazinë reale brenda institucioneve shtetërore të Maqedonia e Veriut, sepse kur hierarkia nuk reflekton përbërjen demografike dhe nuk garanton trajtim të barabartë, ajo perceptohet jo si strukturë e rendit, por si mekanizëm përjashtimi.

Krahasimi me periudha të mëhershme në Kosovë, kur ishte nën (ish)Jugosllavi apo në Shqipërinë e centralizuar tregon, se një administratë mund të jetë e rregullt në formë, por e njëanshme në përmbajtje, dhe pikërisht kjo diferencë midis formës juridike dhe realitetit praktik është ajo që përcakton nëse hierarkia funksionon si garanci shtetërore apo si instrument dominimi.

Hierarkia si garanci shtetërore kërkon tri elemente thelbësore: ligjshmëri të pakontestueshme, meritokraci në rekrutim dhe promovim, si dhe llogaridhënie horizontale e vertikale, në mënyrë që asnjë nivel pushteti të mos funksionojë si qendër e mbyllur e vendimmarrjes. Përndryshe, ajo krijon varësi politike, frikë administrative dhe reduktim të qytetarit në subjekt pasiv. Në këtë kuptim, sakrifica më e madhe për shqiptarët, si në Shqipëri, Kosovë ashtu edhe në Iliridë etj., nuk është të refuzojnë hierarkinë si koncept, por ta çlirojnë atë nga instrumentalizimi partiak apo etnik, duke e rikthyer në funksionin e saj themelor, i cili është garantimi i rendit, stabilitetit dhe barazisë para ligjit. Kështu vetëm kur hierarkia i shërben shtetit dhe jo individëve, dhe kur ajo funksionon si strukturë e përgjegjësisë, e jo si zinxhir dominimi, mund të flitet për rend të konsoliduar, për siguri institucionale dhe për dinjitet qytetar të mbrojtur nga ligji e jo nga vullneti i përkohshëm politik.

(Nga dorëshkrimet, sirtari 113).