1.
Këtu ka një hile. Kur mund të jetë shumë për standardet e zhvillimit të një procesi zgjedhor? A mund të thuhet se garancitë e tepërta e rrezikojnë zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në një vend?! A duhet trembur nga zgjedhjet me standardet më të larta? Më troç: A duhet tutur nga zgjedhjet e lira?! A duhet frikësuar se mos nuk manipulohen zgjedhjet?! Si duket, njëri i ka tmerr zgjedhjet e lira.
Paraqitja e negociatave lidhur me Reformën Zgjedhore në Shqipëri ka një shtrembërim. Pa asfarë transparence mbi debatin në negociata dalin ambasadorët dhe thonë: Mazhoranca ka lëshuar shumë, e lavdërojmë për këtë në qiell, tani e ka radhën opozita. Çfarë ka lëshuar mazhoranca, i ka falur vota opozitës? Kjo marrëveshje vlen vetëm për këto zgjedhje, nuk do t’i shërbejnë këto garanci edhe asaj kur do të jetë në opozitë?
Nuk ka asnjë dyshim: Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara e favorizon sheshit partinë e Kryeministrit. Të ishin aq të ndijshëm s’kishin për ta pranuar kurrë sfidën që Komisionin e Reformës ta kryesojë ai „që e bëri tërmet“ në zgjedhjet e Dibrës! Teza e Fatos Lubonjës, se amerikanët e duan Kryetarin e Qeverisë Shqiptare si garanci për projektin e ndarjes së Kosovës, me të gjitha garancitë tjera, ku një emisar amerikan po bën namin, ngjit fort.
2.
Ka edhe më keq. Disi. Kosova nuk guxon fare të mbajë zgjedhje! Ani se ato, paçka se është një demokraci e re, i bën mirë. Jo vetëm për raporte ballkanike. E kupton çdo budalla: Zgjedhje në Kosovë nuk mbahen, sepse ai që e rrëzuan nga pushteti me njëmijë marifete do të fitonte ende më shumë vota. Dhe ai s’ka asnjë detyrim ta hedhë çdo valle. Demokracia është e mirë vetëm për Perëndimin! Shqiptarët të rrojnë në edikraci dhe hashimokraci!
Qeveria e re u formua me njëmijë gazepe. Para së gjithash, falë angazhimit të pasfilitur të atij që është simbol i unitetit kombëtar në Kosovë. Atij që qëndron mbi partitë politike. Duke u investuar personalisht t’ia mbushë mendjen një deputeti, nga i cili varej qeveria e vendimit të përmbysur të Gjykatës Kushtetuese. Del vetë, nuk duhet të thellohesh t’i shohësh gjërat me thjerzë në dorë: Njëri e ka një hall!
„Për qejf!“ Kështu u shpreh Kryetari i Kosovës kur e pyetën nga një studio televizive se pse u dynd në Shqipëri dhe u kthye në Kosovë për pak orë. Alamet Presidenti e kalon kufirin natën, në kulmin e pandemisë, me doreza, me maskë, i nxirë në fytyrë, me bubrekët e acaruar nga gurët – „për qejf!“?! Cila mendje e shëndoshë e ha këtë? Pa dyshim: Gënjeshtra nuk fsheh ndonjë gjë me hair!
3.
Maqedonia do të mbajë zgjedhje të përgjithshme në korrik të këtij viti. Maqedonia! Në kufi me Shqipërinë dhe Kosovën! Dhe në Maqedoni është e sanksionuar me ligj, tre muaj para zgjedhjeve vendoset një Qeveri Kujdestare, një koalicion i gjerë, i cili garanton zgjedhje jopartiake. Këtë standard e negociuan ndërkombëtarët duke qenë në pushtet Gruevski. E shihni ku jemi? Shqipëri! Kosovë! Shën dërkombëtarë!
Ka një rrezik. Lajme të këqija vijnë nga Maqedonia në lidhje me përhapjen e virusit Korona mu në kohën e liberalizimit të masave. Atë e lidhin me shqiptarët. Pa e konsideruar Shqipërinë e Kosovën, ku ka më shumë shqiptarë… E lidhin me iftaret kolektive nëpër lagje. Ku mbase ka ndonjë të vërtetë, sepse Pashallëku i Mulla Sulës kishte të tjera meraqe. Mullai i afrodizuar u shkarkua në manir oriental pa u kuptuar si e pse dhe ç’po bëhet aty.
Kurse partia e shqiptarëve në pushtet e ka në terezi. Pashallëku i saj janë Universiteti i Tetovës dhe shkollat tjera në komunat me shumicë shqiptare. Edhe 20 përqindshi Marrëveshjes së Ohrit në administratë. Më shumë përgjegjësi nuk ka. Nuk ka as më tepër ambicje. Lideri është komod. Interesimit të një gazetari për shqetësimin e qytetarëve me zbatimin e shqipes iu përgjigj me një batutë pa kripë: „Ti qenke i vegetosur!“ Mbyllja ta mbyt edhe imagjinatën.

























