20.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

Dehja e politikanëve

Migjen Kajtazi

Dyrrah Bjeshka hyn në Pallatin Rumin të Lozanës, aty ku prej vitesh punon në Bibliotekën Kantonale. Ky pallat, që strehon gjithashtu pesë muze të ndryshëm, është një nga qendrat më të gjalla kulturore të qytetit dhe vazhdimisht vizitohet nga njerëz të grupmoshave të ndryshme.

Pallati ndodhet në zemër të Lozanës, edhe pse vetë qyteti duket se nuk përmban në veti një qendër të dukshme urbane . Mungesa e një sheshi qëndror apo një shtigje të gjallë për këmbësorët e bën të vështirë të përcaktosh me siguri se ku është qendra e tij. Struktura të rëndësishme urbane të gjindura në qendër si banka, katedralja, zyrët dminstrative, posta dhe supermarketet e medha janë të shpërndara, duke krijuar ndjesinë se je në qendër, pa qenë i sigurt për këtë.

Dyrrah Bjeshka hap portat e mëdha të pallatit dhe ngjitet nëpër shkallët e shumta që çojnë drejt bibliotekës. Asnjëherë nuk ka përdorur ashensorin që ndodhet në hyrje — një zakon i tijë i vjetër… Është një ritual i heshtur, një rrugëtim që e përsërit çdo ditë.

Pasi kalon shkallët, ndalet për një çast para mozaikut ku paraqitet shqiponja dykrenare. Edhe pse ka vite që e sheh të njëjtën pamje, gjithmonë e ndalon hapin aty. Nuk e shkel kurrë shqiponjën. E përshëndet, si një ushtar që nderon flamurin në mëngjes. Është një akt simbolik: një përulje e përditshme përpara Shqiponës si simbol identitetit të tijë. Sikur kërkon bekimin e Shqiponjës para se te fillon punën në Bibliotek…

Edhe pse e di se janë ditët e tijë të fundit në këtë bibliotekë — për shkak të një angazhimi të ri në një tjetër departament të kantonit të Vaudit — ai nuk e ndryshon rutinën. Udhëheqësit e burimeve njerëzore që shikon punën e personelit të angazhuar pranë strukturave kantonale i ka kujtuar se nuk ka të drejtë ligjore të mbajë dy pozita, edhe pse përpjekjet për të zvogëluar përqindjen e punës në bibliotekë nuk ishin të mjaftueshme për të shmangur këtë vendim.

Dyrrah Bjeshka nuk ka dëshirë të bëjë një bilanc të punës tijë në bibliotekë. Megjithatë, për ta ushqyer nostalgjinë, prek motorin e kërkimit për literaturë në gjuhën shqipe, i cili tashmë pasuron fondin e bibliotekës me dhjetëra tituj…

Edhe sot, si gjithmonë, nuk ndalet. E di që ka shumë për të përfunduar përpara një takimi të rëndësishëm me shoqen e tijë të studimeve, Catherin B., gazetare hulumtuese e pavarur. Catherin i kishte dërguar paraprakisht disa pyetje që kishin të bënin me klasën politike dhe situatën pasluftës në Kosovë, si dhe me komunitetin shqiptar në Zvicër.

Dyrrah kishte tri javë kohë për të përgatitur përgjigjet. Gjatë kësaj kohe, kishte hulumtuar nëpër dhjetëra ekrane kompjuterësh të bibliotekës. Sa më shumë që kërkonte, aq më shumë ndjente nevojën të thellohej, për të ndërtuar një pasqyrë më të qartë të politikës në Kosovë. Edhe pse e viziton shpesh Kosovën dhe e sheh me sy të gëzuar përparimin, nuk kishte menduar kurrë të ndalej mbi politikën dhe klasën drejtuese aktuale .

Rezultatet e kërkimeve ishin zhgënjyese. Kishte lexuar artikuj, ndjekur debate, parë emisione në YouTube — dhe përfundimet e saj ishin të dhimbshme:

  • Kur shtetësia e Kosovës paraqitet si cenim ndaj kombësisë;
  • Kur teknicienët e politikës sillen si filozofë;
  •  Kur ngritja partiake ngatërrohet me përparim shoqëror;
  • Kur dështimet e qarta paraqiten si çështje procedurale;
  • Kur mungesa e ujit shihet si problem gjeografik, jo si dështim i menaxhimit të burimeve;
  • Kur diaspora bëhet objekt talljeje, në vend që të trajtohet si pjesë përbërëse e kombit;
  • Kur Akademia e Shkencave hesht ndaj zhvillimeve shoqërore ose shndërrohet në aleate të partive;
  • Kur arroganca politike zëvendëson vullnetin kombëtar;
  • Kur përçarja merr më shumë përkrahje se bashkimi kombëtar;
  • Kur diplomacia matet me numrin e vizitave dhe jo me ndikimin real.

Dyrrah Bjeshka nuk kishte menduar se do përballej me një pasqyrë kaq të zymtë. E dinte se shumë gjëra nuk funksiononin, por ky proces i thellë hulumtimi e kishte tronditur. Megjithatë, në takimin me gazetarën Catherin B. ai nuk do të përqendrohej tek ky realitet të politikës në Kosovë. Si gjithmonë, do ta kthente vëmendjen tek e mira e shqiptarëve e kësaj radhe do fokusohej tek komuniteti shqiptar në Zvicër, që e ka jetuar lirinë e Kosovës si një frymë shprese. Komunitet shqiptar në Zvicër pa përkrahje nga strukturat shtetorore të Kosovës dëshmon çdo ditë se kemi mundësi të ecim përpara dhe ky komunitet është shembullë i klases politike në Kosovë se si duhet të vëj përpara të mirën kombëtare …

Në bibliotekë, Dyrrah Bjeshka vazhdon punën, duke hedhur sytë nga ora e madhe që ndodhet në qendër të sallës. Radhit revistat e reja që kishin mbërritur dhe, duke i shfletuar, has një citat nga shkrimtarja amerikane Patricia Highsmith:

Shkrimtarët dehen sepse duhet të ndërrojnë identitetin me mijëra herë gjatë shkrimit — dhe për këtë, alkooli i ndihmon.”

Duke menduar për «dehjen» e politikanëve pas pushtetit, Dyrrah Bjeshka niset drejt takimit me gazetaren Catherin B.