Shtatorja e Nënës Terezë, fryt i angazhimit të kryetarit të kësaj shoqërie, Shefqet Cakolli dhe i duarve të skulptorit Bashkim Beqiri, që bekua nga klerikët shqiptar u shoqërua edhe me një akademi kushtuar 550 vjetorit të kalimit në përjetësi të heroit tonë kombëtar me pjesëmarrjen e “Artistit të Popullit”, Reshat Arbona
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Falë angazhimit trevjeçar të SHKA “Dardania” të Winterthurit, e veçmas kryetarit të saj entuziast, Shefqet Cakolli, dje në qytetin e Winterthurit u mbajtën dy evenimente shumë të rëndësishme, me peshë sa kulturore e humanitare aq edhe kombëtare. Derisa në Winterthur u përurua zbulimi i shtatores së Nënës Terezë në Tüss u mbajt një akademi kushtuar 550 vjetorit të shkuarjes në përjetësi të kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.
Këto dy ngjarje kishin sjell në Winterthurë qindra mërgimtarë nga shtetet evropiane, por edhe diplomat e klerik fetarë, si edhe figura të shquara arti edhe nga trojet etnike. Për të bashkë festuar me komunitetin tonë, ishin të pranishëm edhe autoritete vendase me kryetarin e këtij qytetit z. Michael Künzle i cili pos që dha vizën për këtë monument, shprehi edhe kënaqësinë që bashkë me pjesëtaret e komunitetit ndante gëzimin për zbulimin e bustit. Ndërsa që në hapje të ceremonisë, me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua ideatori dhe realizuesi i këtij projekti Shefqet Cakolli.
Domethënie të veçantë këtij akti solemn i dha prania e klerikëve tanë, siç janë Don Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovë, në emër të besimtarëve katolikë, Fehim Dragusha, imami i xhamisë shqiptare në St.Gallen, në emër të bashkisë myslimane, kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve baba Edmond Brahimaj, në emrin e bektashinjve, ndërsa në emrin e besimtarëve të Kishës Protestante Ungjillore, Femi Cakolli. Kjo prani simbolike, ishte edhe një dëshmi më tepër për harmonin ndërfetare që mbretëron tradicionalisht në mesin e shqiptarëve. Në këtë akt solemn nga Kosova ishte i pranishëm deputeti i parlamentit të Kosovës, Anton Quni, ndërsa nga Shqipëria “Artisti i Popullit”, Reshat Arbona.
Pas zbulimit të shtatores, në Hotel “Töss” u mbajt një akademi solemne kushtuar Nënë Terezë dhe 550 vjetorit të të kalimit në përjetësi të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Me ketër rast për një fjalë rasti për figurën e kryetrimit tonë e mbajti dr. Fehmi Cakolli ndërsa Dom Lush Gjergji për Nënën Terezë. Akademia vazhdoi me Artistin e Popullit, Reshat Arbana, i ardhur enkas nga Shqipëria me deklamimin e poezive të Naim Frashërit, Gjergj Fishtës e të tjerëve, duke fituar admirimin e duartrokitjet e gjata të të pranishmëve.
Atmosferën edhe më mbresëlënëse e bënë grupet artistike që veprojnë në Zvicër, siç janë: Shkolla Shqiptare të Vallëzimit në Zvicër “Shota” , Ansamblin “Arbëresha” nga Sirnachu, Kori i femrave shqiptare “Lyra” me seli në Cyrih si dhe vet Shoqëria mikpritëse “Dardania e Winterthurit.




























































