13.7 C
Zürich
Freitag, September 18, 2026

Blerim Rreci: Kohë e vargut (cikël poetik)

Kurorë e (pa)dukshme

Qielli bujar ma dhuroj
Një kurorë reje mbi kokë
Të cilën po e bart
Ngado që po shkoj

Shteg shprese

Di të hedh vetëm raketa drite
Për ta ndriçuar botën
Për të gjetur rrugën e paqes
Për mijëra e mijëra vjet

Kohë

Te fontanë e fëmijërisë
Pranë pallatit te rinisë
Në moshën e tashmërisë
Gufon e gurgullinë

Krua kujtimesh

U ndala te kroi
Rridhte vijëndërprerë
Ca grerëza ma lëshuan radhën
Etjen do e shuajmë të gjithë

Kandili

Një kandil
Sheh veten
Në pasqyrë
Përreth dritë e errësirë

Valixhja

Merr valixhen e nisu
Merr valixhen e kthehu
Tërhiqe për rrotash
Ngrite lart e pengesat shmang

Lojë

Të luajmë siç duhet në çdo lojë
Me përkushtim e pa hile
Duke dhënë më të mirën tonë
Dashurisht si gjithmonë

Lojëmbla

Për një dege
Të trungmollës
Hëna u kap
Dhe u bë portokall

Portë panjash

Në Kalabri të Prishtinës
Në një tarracë kafeneje
Pres një çast frymëzimi
T’hy në këtë portë panjash

Bleta në autobus

Autobusi që vinte nga fshatrat
U ndal në një stacion të qytezës
Zumë vend në karriget e tij të fundit
Për xhami të tij duke endur pamë bletën

Unë i bëra shpejt një shkrepje
Ti i bëre një video paksa të gjatë
Unë ta kem kujtim e ta bart me vete
Ti në rrjete sociale ta shpërndash

Autobusi ndalej pritore më pritore
Dikë do ta linte do e merrte dikë
Bleta vërtiej xhamit e pas perdes
Rrëshqiste xhamash në tjerë kufij

Zbritëm dhe ne si udhëtarë të fundit
Bleta seç na humbi sysh
Ndoshta zbriti me ne në kryeqytet
A ndejti n’autobus që në fshat do kthehej sërish

Lëmsh e përshesh

Duke ecur rrugës
Në kafe e në shesh
Dikush thotë bota u bë lëmsh
Dikush thotë se u bë përshesh

Dhe dikur të duhet
Të kthehesh në banesë
Urinë do ta shuash
Me një pjatë me përshesh

Dhe ulesh e zë vend
Nis të hash me kujdes
Merr masa të duhura
T’mos bije ky lëmsh n’përshesh

Avaz i vjetër e avaz i ri vazhdon
Si një zakon i pahijshëm e ves i keq
Hapen e mbyllën probleme e plagë
Njerëz të mirë ju përshëndes