Blerim Rrecaj: LOJË VARG-SHKREPJESH
E këtutashme
Lart
Dielli me dhëmbë
Këtu-tash
Unë
Nën një hardhi të zhveshur
Zjarre pragpranvere
Pa prit‘
E pa kujtu‘
Marrim udhë
E mbërrijmë këtu ku pikojnë pishat
Lotë bore e lotë shiu
Dhe hyjmë në katin e sipërm
Të këtij restauranti
Deri këtu çdo gjë e zakonshme
Derisa vije dikush që ulet pranë oxhakut të ndezur
Aty ku deshëm të uleshim ne
Po na u duk shumë nxehtë
E lulja pranë dritares
Ku rrijmë për qejf
Herë bisedojmë mes vete
Herë me telefona
Është oxhak pranë pranvere
Që borën në majën e Kodrës së Goleshit
Po provon me e ndez
Borë pranvere
Bora e pranverës
Është sherbet për tokën
E lulet po zgjohen
Të stërpikura me fije hithash
Që i hedhin duar nënash
Për ta shporrur dembelinë e plogështinë
Nga fëmijët e tyre
Faturë
Rrugën derisa e kalojmë
Një telpërçues rryme
Na gjuan me borë
Mërzi engjëjsh
Dy vogëlushe të mërzitura, të vetmuara
Në hapësirënetontën e shumëkatësheve
Më afrohen e me zë lutës më thonë
A ke ndonjë fëmijë, vajzë a djalë
Që t’u thuash të vijnë këtu, të luajmë bashkë
Ngushëllim
Një batalion bari
Marshon asfaltit
Prijatare kanë
Një luleradhiqe
Kovë
Fshij shkallët
Kova me shkumë
Të bardhë shamponi
Si kova me qumësht të mjelur
Dikur te dajtë në fshat
Lotët e shiut
Pasdite e ftohtë prilli
Bie shi
Edhe mbi xhamin e përparmë të veturës
Ku ndodhemi unë e ti
Qielli i bardhëllimtë
E bari i blertë
Pikat e shiut bëhen pika lotësh
Kur na shohin ku kemi ngelë
E ku kemi mbet‘
Nën rreze dielli
Nën rreze dielli
Pas shirave të prillit
Një fotografi të mbështjellur
(Nga ato që qëllojnë në pako çipsash)
Në trotuar e shoh dhe e marr
Ia heq mbështjellësen e tejdukshme
Dhe me këtë panoramë Prishtine të lagur
Sikur ta bartja kryeqendrën me vete
Në njërën dorë
Sikur një zog të lënduar
Kthehem në strehë
Për ta vendosur në mbajtëse rrobash e vë
Në ballkon nën rreze dielli
Tufë gardalinash
E thekshme kjo buqetë cicërimash
Çuditem kur shoh
Se në qytezë paskan zbritur
Një tufë gardalinash






























