Sot LenaGraphic nxori në dritë librin me tregime “KOHPËRFYTJE” të autorit Hazir Mehmetit, për të cilin u përkujdesën Bedri Tahiri (redaktor) Violeta Allmuça (lektore) dha stafi i Shtypshkronjes Lena. Me këtë rast portali ynë boton recensionin e Bedri Tahirit, i cili i bënë në vështrim të thuktë librit të porsabotuar të mikut dhe njëherësh edhe bashkëpunëtor i portalit tonë:
Kam trajtat e jetës sime dhe
brenda tyre rroj.
(Mitrush Kuteli)
Hazir Mehmeti, krahas shkrimeve publicistike, didaktike-shkollore, dokumentare, tashmë ka bërë emër edhe si tregimtar. Pas librit të suksesshëm me tregime “KOHËTHYERJA”, përkthyer edhe gjermanisht, këto ditë do të dalë para lexuesve të tij të shumtë edhe me librit e dytë me tregime, po ashtu me një titull mjaft sugjestiv e përngjasësh “KOHËPËRFYTJE”. Disa nga këto tregime i kam lexuar edhe më herët, por, kur më erdhën të futura nën një çati, si dorëshkrim i kompletuar, i lexova dhe i rilexova me një përkushtim më të veçantë, duke i përjetuar e shijuar me një ndjesi të thellë emocionale.
Rileximi, vërtet qenkësh punë më me vlerë, më studiues, më thelbësor, më analitik. Gjatë leximit të parë kureshtja për t’ia gjetur fundin ngjarjes sikur të mashtron e të tërheq pahetueshëm dhe shumë gjera të kapërcejnë fluturimthi.
Ashtu, sikurse në librin e parë edhe në këtë të dytin, bota tregimtare e Hazir Mehmetit na shpërfaqet e larmishme dhe përplot shtresime ngjyrash joshëse, tekstuale e nëntekstuale. Gjuha e pastër dhe e pasur me fjalë të bukura shqipe, shpesh, edhe me fjalë të reja-kompozita, narracioni i lehtë dhe i rrjedhshëm, i plotësuar edhe me digresione e përshkallëzime në retrospektivë, monologët dhe dialogët e natyrshëm, përshkrimet e gjalla e të figurshme, toponimia e pasur autoktone (Bjeshkëqyqja, Tokëlarta, Kroni i Mollës, Përroi i Bubës, Kroni i Rrasës, Currili i Bletës, Kodra e Gurit, Kroni Luftëtarit etj.), pasuruar edhe me dromca etnografike (Shën Mitri, Shën Gjergji, Dreka e Lamës, verigu, perreniku, sarushani etj.), përbëjnë kurorën e argjendtë të këtyre tregimeve, të cilat janë mjaft mbresëlënëse dhe lexohen me ëndje.
Të njëzet tregimet e librit “KOHËPËRFYTJE”, mund të lexohen veç e veç, pa e humbur fare kuptimin, por, mund të lexohen edhe si një tërësi përmbajtjesore e kompozicionale ngase harmonishëm e përplotësojnë njeri-tjetrin. Skeleti i tyre real historik është brumosur e veshur mirë me petkun letrar dhe, duke iu falënderuar imagjinatës së bujshme të autorit, ngjarjet defilojnë lirshëm në sfondin e një aureole universale. Sado që gama e tyre rrezatuese është e gjer, tematika përmblidhet rreth një lajtmotivi: Dashuria për atdheun dhe lufta për mbijetesë!
Veprimet e protagonistëve janë të pakufishme, në kohë dhe në hapësirë. Gjeografia dhe historia e tyre janë gjithëpërfshirëse dhe frymojnë në përtej kohë. Ata gjëllijnë nëpër mote të errëta e mugëtira zezonash (Nëna Qamë, Hija e Kullës), atëbotë kur etnia jonë kanosej me zhbërje e deri tek lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Bali Met, Postieri), kur në gjakun e liribërësve, bulbëruan lulëkuqet e lirisë. Degdisjet e tyre gjithandej hapësirash: në Kosovë e në Austri, në Shqipëri e në Sarajevë, në Itali e në Gjermani e deri në Tokio, pra gjithherë në udhëtim biblik, na përfytyrojnë pamje rrëqethëse të një ngarendje marramendëse për mbijetesë e ekzistencë.
Rrëfimet vazhdojnë me rravgimet e tyre nëpër ndeshtrashat përplot egërsi e zymtësi mbytëse, për të arrirë deri në ditën e sotme, për njerëz e ngjarje reale, të brumosura me mall, me dashuri, me dhimbje, me shpresë, me zhgënjime, me sakrificë…
Kështu, te tregimi Bija e Dijes, gjakimet e pareshtura në kërkim të dijes, marrin krahët dragoit dhe kapërcejnë edhe yjet, edhe ylberin, edhe qiellin. Heroina e tij, shkencëtarja e re, Vlora, shkrinë të gjithë kufijtë, shtetërorë e shpirtërorë dhe me aftësitë e saja magjepsëse, mahnit dhe mrekullon të gjithë auditorët deri në Japoni…
Ndërkaq, Petriti i tregimit të fundit Kohëpërfytje, me emrin e të cilit u pagëzua edhe libri, është hero i ditëve tona, në fakt, është vetë autori, i cili gjatë jetës së tij përvijohet për vesh gjilpëre dhe, me gurin e Sizifit në kurriz, sfidon trillet dhe pengesat e kurdisura nga zijoshet e cerberët e përtej Tunës dhe ia del mban…
Shikuar hollë e hollë, gati të gjithë protagonistët e këtyre tregimeve kanë refleksione që fokusohen në një pikë referimi: në ngjarjet e përjetuara të vetë autorit. Pra, elementët jetësore autobiografike duken sheshit, andaj edhe realizimi artistik i tyre është i shkëlqyeshëm. Ky gërshetim i natyrshëm, i ngjarjeve të përjetuara me rrëfimet e të parëve të tij, me historinë e mësuar nëpër kullat tona dhe nga vetë jeta, na ka dhënë një panoramë të shkëlqyer të realitetit të hidhur, por krenar, të gjithë historisë sonë kombëtare. Në këto tregime shpaloset kujdesshëm e me përkushtim e djeshmja dhe e sotmja, historia dhe kujtesa, tragjikja dhe krenarja, lufta dhe mbijetesa, duke e plotësuar njëra-tjetrën aq bindshëm, saqë në imazhin tonë krijohet profili i qëndrueshmërisë e pathyeshmërisë së popullit shqiptar nëpër shekuj, duke mbrojtur trojet e veta stërgjyshore dhe të drejtat e nëpërkëmbura nga pushues mizorë.
Thënë më ndryshe, gjithë protagonistët e librit, të inkarnuar e të mishëruar thellësisht në brendinë e qenies së rrëfimtarit (autorit), reflektojnë atdhedashuri, vendosmëri, rezistencë, pathyeshmëri, heroizëm, bujari, humanizëm. Ata, kryesisht janë njerëz të thjeshtë, që ashtu në heshtje, duke qëndruar vertikalisht para stuhive shkatërrimtare, bëjnë historinë.
Tekefundit, secili tregim, sado që janë të shkurtër e kreativ, skalitur me një lakonizëm të stërholluar, paraqet një dramë në vete. Ata shquhen për një narracion të thjeshtë e rrjedhë të logjikshme veprimi. Përmbajtja e tyre sado që në të parë është mjaft e kapshme, në vetvete ngërthen kuptime shumëdimensionale, që të shtyjnë në meditime e përsiatje më të thelluara.
Në mbyllje, pa modesti, mund të konstatojmë se libri “Kohëpërfytje” i Hazir Mehmetit, është një realizim i bukur artistik, që autorit i bën vend në mesin e tregimtarëve më të shquar të letërsisë së sotme shqipe, me prirje drejt modernizmit. Librit i dëshirojmë lexueshmëri e depërtim nëpër biblioteka e në çdo shtëpi, ndërkaq autorit suksese dhe prurje të reja artistike.
Galicë, mars 2023




























