27.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

NJË “REVOLUCION” NDRYSHE: TË NDËRTOJMË ATË QË NUK DO TË NA DUHET TA RRËZOJMË

Revolucioni ndryshe

Nga protesta dhe përmbysja te qytetaria aktive, demokracia pjesëmarrëse dhe integrimi

Po sikur “revolucioni” që na duhet të mos ishte rrëzimi i radhës, por ndërtimi i diçkaje që nuk do të na duhej ta rrëzonim përsëri pas disa vitesh?

Ka kohë që nuk jam prononcuar për protestat në Shqipëri dhe për krizën politike e institucionale në Kosovë. Megjithatë, zhvillimet e fundit dhe sidomos mënyra se si po trajtohen ato nga disa njerëz me të cilët më lidh një bashkëveprimtari e gjatë, më shtyjnë t’u rikthehem këtyre çështjeve.

Më shqetëson veçanërisht kur shoh ish bashkëveprimtarë të mi të çmuar e të kamotshëm të postojnë apo shpërndajnë thirrje që shkojnë shumë përtej kritikës demokratike: gjuhë linçuese, thirrje për rrënim e shkatërrim, madje edhe për varje apo eliminim të politikanëve. Pavarësisht se kundër kujt drejtohen, këto nuk mund t’i konsideroj pjesë të një kulture demokratike që duhet ta kultivojmë.

Po aq më shqetëson përdorimi i dy standardeve.

Ndërsa në Shqipëri përkrahen me zell thirrje për “revolucion” dhe përmbysje të pushtetit, ndaj krizës politike dhe institucionale në Kosovë, ku përgjegjësi kanë edhe bartësit e mandateve dhe mazhoranca qeverisëse, shpesh tregohet mirëkuptim, heshtje apo mbështetje pothuajse e pakushtëzuar. Nuk mendoj se demokracia mund të gjykohet me një kut në Tiranë dhe me një tjetër në Prishtinë.

Nëse kërkojmë transparencë, llogaridhënie, respektim të institucioneve, bashkëvendimmarrje dhe përgjegjësi politike në Shqipëri, duhet t’i kërkojmë me të njëjtën vendosmëri edhe në Kosovë. Dhe nëse mbrojmë institucionet dhe rendin kushtetues të Kosovës, nuk mund t’i trajtojmë institucionet e Shqipërisë si diçka që mund të rrënohet sa herë që nuk pajtohemi me qeverisjen.

Kjo nuk është mbrojtje e një kryeministri apo e një partie dhe as sulm ndaj një tjetre. Është kërkesë për një standard të njëjtë demokratik, pavarësisht se kush qeveris dhe cilën forcë politike simpatizojmë.

Pikërisht këtu më lind pyetja:

Nëse vërtet duam një “revolucion”, çfarë revolucioni do të ishte ai që do t’i bënte shoqëritë tona më demokratike, më sociale dhe institucionet më të forta, në vend që të na detyronte pas çdo zhgënjimi të fillonim përsëri nga e para?

Çfarë “revolucioni” do të dëshiroja? Besoj se jo vetëm unë.

Një revolucion që nuk fillon me pyetjen “kë duhet ta rrëzojmë?”, por me pyetjen shumë më të vështirë:

“Çfarë duhet të ndryshojmë dhe si do ta ndërtojmë së bashku?”

Nuk kam asgjë kundër protestës. Përkundrazi, protesta paqësore është një instrument i domosdoshëm i demokracisë. Por përvoja e demokracive më të konsoliduara na mëson se fuqia e qytetarisë aktive nuk qëndron vetëm te aftësia për të nxjerrë njerëzit në rrugë. Ajo qëndron sidomos te aftësia për ta institucionalizuar pakënaqësinë: për ta kthyer protestën në pjesëmarrje, kërkesën në reformë dhe presionin qytetar në mekanizëm të përhershëm kontrolli mbi pushtetin.

Prandaj do të dëshiroja një protestë që, krahas asaj që kundërshton, na tregon edhe çfarë dëshiron të ndërtojë.

Një lëvizje ku në të njëjtën tryezë ulen punëtori dhe sipërmarrësi, pensionisti dhe studenti, mësuesi dhe mjeku, fermeri, sindikalisti, profesionisti, përfaqësuesi i lagjes, shoqëria civile, grupet e margjinalizuara dhe diaspora.

Jo vetëm tribunë për liderë të rinj, por forum për qytetarët.

Do të dëshiroja që prej saj të dilte një platformë konkrete:

Si rritet transparenca e vendimmarrjes? Si kontrollohen tenderët, koncesionet dhe pasuria publike? Si luftohen korrupsioni dhe arbitrariteti zyrtar? Si zvogëlohen pabarazitë sociale dhe në paga? Si përmirësohen arsimi dhe shëndetësia? Si garantohet një pleqëri dinjitoze? Si bëhet drejtësia më efikase dhe administrata më e përgjegjshme ndaj qytetarit?

Dhe sidomos:

Si përfshihet qytetari në vendimmarrje jo vetëm një herë në katër vjet dhe jo vetëm kur del në protestë, por vazhdimisht, nga lagjja dhe bashkia deri te Kuvendi dhe Kryeministria?

Për secilën kërkesë do të dëshiroja të dija: çfarë propozohet, kush duhet ta realizojë, brenda cilit afat, sa kushton dhe si do ta kontrollojnë qytetarët zbatimin.

Dhe do të dëshiroja edhe një “revolucion” tjetër: integrimin konkret ndërshqiptar.

Nëse me kaq energji flasim për integrimin evropian dhe rajonal, përse të mos kërkojmë me të njëjtin zell edhe politika konkrete integruese ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe bashkëpunim të institucionalizuar me komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë?

Jo duke vënë në diskutim kufijtë apo rendin kushtetues të shteteve, por duke hequr barrierat që mund të hiqen demokratikisht dhe ligjërisht.

Përse të mos bashkërendojmë lëvizjen dhe transportin publik ndërmjet hapësirave shqiptare? Të drejtat pronësore dhe të qëndrimit? Punësimin dhe veprimtarinë ekonomike? Njohjen e diplomave dhe kualifikimeve? Arsimin, shkencën, kulturën dhe shëndetësinë? Infrastrukturën dhe tregjet? Politikat ndaj diasporës?

Pse një student nga Prishtina duhet të ndeshet me pengesa të panevojshme për të studiuar në Tiranë dhe anasjelltas? Pse një profesionist, sipërmarrës apo pensionist duhet të ballafaqohet me barriera administrative vetëm sepse jeton në anën tjetër të kufirit?

Dhe përse Shqipëria dhe Kosova të mos zhvillojnë politika shumë më të bashkërenduara për gjuhën, arsimin, kulturën, zhvillimin ekonomik dhe të drejtat e shqiptarëve në rajon?

Integrimi ndërshqiptar nuk është kundërshtar i integrimit evropian. Përkundrazi, duhet të zhvillohet në frymën dhe brenda perspektivës së tij.

Ky është “revolucioni” që do të dëshiroja.

Një revolucion të transparencës në vend të fshehtësisë.
Të pjesëmarrjes në vend të përjashtimit.
Të drejtësisë sociale në vend të pabarazisë.
Të institucioneve në vend të arbitraritetit.
Të bashkëpunimit në vend të polarizimit.
Të integrimit në vend të barrierave.

Jo thirrje për rrënim e shkatërrim. Jo fyerje dhe shpallje tradhtarësh. Jo kërkesa për arrestime politike. Jo insinuata se “Shqipëria po shitet” pa prova. Dhe jo teori konspirative ku, sipas rastit, fajtorë bëhen hebrenjtë, amerikanët, iranianët, rusët, grekët, serbët apo kushdo tjetër.

Sepse ekziston një pyetje që çdo lëvizje që kërkon përmbysjen duhet t’ia bëjë vetes:

Çfarë ndodh të nesërmen?

Nëse rrëzojmë gjithçka dhe fillojmë përsëri nga e para, kush na garanton se pas disa vitesh nuk do të zhgënjehemi përsëri nga ata që sollëm në pushtet dhe të dalim sërish në rrugë për t’i rrëzuar edhe ata?

Ky cikël nuk është domosdoshmërisht revolucion. Mund të jetë thjesht riprodhim i së njëjtës kulturë politike me emra të rinj.

Prandaj ndryshimi më i thellë është ai që e bën sistemin më të kontrollueshëm nga qytetari, pavarësisht se kush qeveris.

Që kryeministri i sotëm të kontrollohet nga të njëjtat rregulla si ai i nesërmi.

Që qytetarit të mos i duhet një revolucion i ri sa herë që pushteti largohet prej tij.

Ndoshta revolucioni më i vështirë nuk është të rrëzosh një qeveri. Është të ndërtosh një demokraci në të cilën nuk ke nevojë ta rrëzosh shtetin për ta ndryshuar qeverisjen.

Ky është revolucioni që do të dëshiroja.

Një revolucion që ndërton aq mirë, sa të mos kemi nevojë nesër për një revolucion tjetër që ta rrëzojë atë.