Dje ne orët e mbrëmjes arrita në Prishtinë nga Cyrihu. Pak më pas dola në shesh. Në këto ditë vere ai dukej sikur ishte pushtuar nga bashkatdhetarët tanë të diasporës. Kafenetë dhe restorantet ishin përplot, ndërsa nuk mungonin as aktivitetet argëtuese dhe muzikore.
Duke ecur, e zura veten se po i shmangesha turmës. Madje iu shmanga edhe vendit ku mbahej një koncert me muzikë popullore e folklorike, të cilën, përndryshe, e kam shumë për qejf.
Pse?
Pikërisht atëherë, nuk e di pse, m’u kujtua sociologu francez Pierre Bourdieu dhe vepra e tij „Die feinen Unterschiede“ („La Distinction“, apo përkthyer në shqip pak a shumë me kuptimin: dallimet e imta), të cilën e kishim lektyrë gjatë një semestri të studimeve të mia për animacion sociokulturor në Volkshaus të Cyrihut.
Mirë që m’u kujtua.
Sepse Bourdieu të detyron të mendosh jo vetëm për njerëzit që po vëzhgon, por edhe për pozitën nga e cila po i vëzhgon ata. Shijet tona, mënyra si vishemi, çfarë muzike dëgjojmë, ku ulemi, ku nuk ulemi, me kë identifikohemi dhe prej kujt përpiqemi të dallojmë, nuk janë gjithmonë aq individuale sa mendojmë. Ato bartin me vete histori personale, arsimim, përkatësi shoqërore, përvojë jetësore dhe forma të ndryshme të kapitalit kulturor.
Dhe kështu, në vend që të pyesja vetëm se çfarë po ndodh me diasporën tonë në Prishtinë, fillova të pyes veten:
Pse unë po i shmangem kësaj turme?
Përse ndiej një lloj pengese të brendshme dhe nevojën për t’u larguar nga ajo që, në atë çast, më paraqitet si mënyra dominuese e pranisë së diasporës në qytet? Përse nuk dua të identifikohem me të, ndonëse edhe vetë vij nga Cyrihu dhe, parë nga këtu, jam pjesë e po asaj diasporë?
Ndoshta pikërisht këtu fillojnë ato «dallimet e imta» për të cilat shkruante Bourdieu.
Por do të ishte tepër e lehtë që prej kësaj ndjenje personale të ndërtohej një gjykim për të tjerët. Njerëzit kanë ardhur për pushime.
Takohen me familjarë e miq, dalin, festojnë, dëgjojnë muzikë, shpenzojnë dhe e përjetojnë Prishtinën në mënyrën e tyre. Edhe kjo është pjesë e jetës së qytetit dhe e marrëdhënies së diasporës me vendlindjen.
Prandaj shqetësimi im ndoshta nuk është turma vetë. Është pyetja se çfarë marrëdhënieje kemi krijuar ndërkohë ne të diasporës me vendin prej nga vijmë dhe sa shumë ka ndryshuar edhe vetë diaspora.
Teksa ecja, më ra të dëgjoja të rinj e të reja që mes tyre flisnin gjermanisht. Mund të ishin nga Zvicra, Gjermania apo Austria. Mund të ishin edhe turistë. Prishtina tashmë ka edhe vizitorë të huaj, sidomos të rinj, gjatë gjithë vitit.
Pikërisht këtu kufijtë fillojnë të turbullohen.
Kush është vendas e kush diasporë? Kush është turist? Kush ka ardhur «në vendlindje», kush «në Kosovë» dhe kush thjesht «në Prishtinë»?
Dhe çfarë do të thotë të jesh diasporë sot, pas dy, tri apo katër brezash?
Ndoshta diaspora nuk është më një bashkësi që mund të përshkruhet në njëjës. Brenda saj bashkëjetojnë përvoja, breza, shtresa shoqërore, kultura dhe mënyra krejt të ndryshme të lidhjes me Kosovën. Dikush vjen për familjen, dikush për dasmën, dikush për jetën e natës, dikush për punë e investime, dikush për kulturë, dikush për angazhim shoqëror e politik – e shumë të tjerë për nga pak prej të gjithave.
Prandaj, duke ecur sonte nëpër Prishtinë, pyetja që më mbeti nuk ishte nëse më pëlqen apo jo ajo që shoh.
Pyetja ishte më shumë për veten:
A po e vëzhgoja diasporën – apo po e vëzhgoja veten time përballë saj?
Ndoshta të dyja njëkohësisht.
Dhe ndoshta pikërisht aty, në atë hapësirë ndërmjet afërsisë dhe distancës, përkatësisë dhe dallimit, Prishtinës dhe Cyrihut, fillon përvoja e vërtetë transnacionale.

























