20.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

DEMONSTRATAT E VITIT 1981: DOKUMENTET FLASIN MË SHUMË SE TEORITË

Shteti shqiptar dhe demosntratat e vitit

Botimi i fundit në Gazetën Tema mbi qëndrimin e udhëheqjes shqiptare ndaj demonstratave të vitit 1981 përbën një kontribut me vlerë për ndriçimin e një periudhe të rëndësishme të historisë sonë.

Megjithatë, për ta kuptuar atë periudhë në tërësi, nuk mjafton të shihen vetëm dokumentet e shtetit shqiptar. Po aq të rëndësishme janë edhe dokumentet e vetë organizatave ilegale shqiptare që vepronin në Kosovë dhe dëshmitë e njerëzve që, në emër të shtetit shqiptar, ndoqën nga afër zhvillimet e asaj kohe.

Një ndër ta ishte Ibrahim Çavolli, diplomat dhe funksionar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i ngarkuar pas demonstratave të vitit 1981 me detyrën e Zëvendëskonsullit të Përgjithshëm në Stamboll dhe me përgjegjësi të veçantë për çështjen e Kosovës.

Në kujtimet e tij ai shkruan:
“Për Shqipërinë, ato qenë, krejt, të papritura. Askush nuk i pat parashikuar. Kjo pranohej hapur, sa herë që flitej për to.”

Ky vlerësim ka rëndësi të veçantë, sepse vjen nga një përfaqësues i vetë shtetit shqiptar. Ai përputhet edhe me dokumentet e publikuara së fundi nga Tema, të cilat tregojnë se udhëheqja shqiptare po reagonte ndaj një zhvillimi që nuk e kishte pritur.

Po aq domethënëse janë edhe kujtimet e Çavollit për kontaktet e tij me përfaqësuesit e Organizatës për Republikë – Partisë Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ). Ai përshkruan takimet me Abdullah Prapashticën, Osman Osmanin dhe Faton Topallin, të cilët i paraqet si veprimtarë të përkushtuar ndaj çështjes së Kosovës dhe me të cilët diskutoi për demonstratat, për bashkimin e organizatave dhe për zhvillimet e mëvonshme në Lëvizjen për Republikë.

Këto dëshmi janë të rëndësishme edhe për një arsye tjetër: ato nuk e paraqesin PKMLSHJ-në si një strukturë të krijuar apo të dirigjuar nga Tirana. Përkundrazi, dëshmojnë se kontaktet me përfaqësuesit e shtetit shqiptar u vendosën pas shpërthimit të demonstratave, ndërsa vetë organizata kishte marrë përgjegjësinë politike për to.

Prandaj, nëse duam ta kuptojmë drejt pranverën e vitit 1981, është e nevojshme të lexohen së bashku:
– dokumentet e shtetit shqiptar;
– dokumentet programore të organizatave ilegale shqiptare në Kosovë;
– dhe kujtimet e protagonistëve të të dyja anëve.

Vetëm kështu mund të ndërtohet një histori e mbështetur mbi burime dhe jo mbi mite, paragjykime apo teori konspirative.

Historia nuk fiton nga heshtja dhe as nga polemikat. Ajo fiton kur dokumentet lexohen, krahasohen dhe interpretohen me ndershmëri.