27.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

Profesionistët sindikal te diasporës shqiptare dhe sindikatat e vendit amë

Sindkate e Kosoves dhe diaspora

Lajmi se BSPK ka pranuar një letër urimi dhe solidariteti nga AFL-CIO, organizata më e madhe sindikale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është padyshim një zhvillim pozitiv. Çdo mbështetje ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë është e mirëseardhur dhe meriton të përshëndetet.

Megjithatë, ky lajm ngre një pyetje që prej shumë vitesh e konsideroj të pazgjidhur:
Pse vazhdon të mbetet pothuajse i papërdorur potenciali profesional i sindikalistëve shqiptaro-zviceranë dhe i diasporës në përgjithësi?

Kjo nuk është një çështje që e ngre sot për herë të parë.

Qysh në vitet 2012–2013, së bashku me Hilmi Gashin, Hans Schäppin dhe Ruzhdi Ibrahimin, kemi zhvilluar një seri takimesh pune për reformimin e sindikalizmit në Kosovë. Rekomandimet tona u prezantuan në Konferencën «Gjendja sociale në Kosovë: analizë, sfidat dhe propozimet për tejkalim të gjendjes së rëndë», të mbajtur më 15 qershor 2013 në Bernë.

Edhe në Konferencën «Kosova në Lëvizje», të organizuar më 18 qershor 2021 nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës, u miratua unanimisht kërkesa që diaspora të përfshihej në ndërtimin e sindikatave të pavarura dhe të fuqishme në Kosovë.

Po kështu, në vitin 2022 kam botuar në gazetën Horizonte të sindikatës Unia analizën «Për sindikata në shërbim të anëtarëve dhe punëtorisë në Kosovë», ku kam argumentuar nevojën për një reformë të thellë sindikale dhe për përfshirjen aktive të përvojës profesionale të diasporës.

Ndërkohë, ne sindikalistët shqiptaro-zviceranë nuk jemi kufizuar vetëm në analiza.

Për vite me radhë kemi ofruar bashkëpunim konkret, kemi ndërtuar ura me sindikatat zvicerane dhe evropiane, kemi ndërmjetësuar kontakte, kemi bashkëorganizuar manifestime të 1 Majit, kemi zhvilluar trajnime profesionale, kemi ofruar ekspertizë për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë, si dhe kemi propozuar projekte konkrete për fuqizimin e dialogut social dhe të organizimit sindikal.

Një shembull domethënës që dëshmon se ky bashkëpunim është i mundur dhe jep rezultate konkrete është edhe angazhimi ynë për rikthimin në fuqi të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Në këtë proces kemi bashkëpunuar ngushtë dhe kemi përfshirë si partnerë edhe BSPK-në, përfaqësues të tjerë të botës së punës, sindikatat zvicerane dhe aktorë institucionalë në të dy vendet. Ky bashkëpunim shumëvjeçar kontribuoi në një histori suksesi me rëndësi të veçantë shoqërore: u eliminua diskriminimi pothuajse dhjetëvjeçar ndaj punëmarrësve nga Kosova, të cilët, pas një jete pune në Zvicër, ishin kthyer në vendlindje për ta kaluar moshën e tretë së bashku me familjet e tyre. Sot ata mund t’i gëzojnë të drejtat e tyre pensionale pa pengesat që i kishin shoqëruar për afro një dekadë.

Ky rast dëshmon se kur ndërtohen partneritete të sinqerta dhe shfrytëzohen njohuritë, përvoja dhe rrjetet që ekzistojnë në diasporë, mund të arrihen rezultate që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e mijëra qytetarëve.

Pikërisht për këtë arsye mbetet e pakuptueshme që ky potencial profesional dhe organizativ ende nuk është shfrytëzuar në mënyrë më sistematike për reformimin dhe fuqizimin e lëvizjes sindikale në Kosovë.

Fatkeqësisht, në vend të një bashkëpunimi të strukturuar, shumë shpesh kemi hasur në anashkalim ose edhe në refuzim të përfshirjes sonë.

Kjo nuk është humbje për individë të caktuar.

Është humbje për vetë sindikalizmin në Kosovë.

Në Zvicër veprojnë prej dekadash sindikalistë me prejardhje shqiptare që kanë fituar përvojë profesionale në organizimin e punëtorëve, negociimin e kontratave kolektive, zhvillimin e organizatave sindikale, dialogun social dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ky është një kapital i krijuar me shumë punë, përkushtim dhe besueshmëri.

Një lëvizje sindikale moderne nuk matet vetëm me partnerët që ka jashtë vendit, por edhe me aftësinë për të përfshirë të gjitha kapacitetet që i ka pranë vetes.

Prandaj, përveç partneriteteve të rëndësishme me organizata si AFL-CIO, do të ishte me interes strategjik që BSPK-ja dhe sindikatat e tjera në Kosovë të hapnin një bashkëpunim të qëndrueshëm edhe me sindikalistët profesionistë të diasporës shqiptare.

Kjo nuk duhet parë si favor ndaj diasporës.

Është një investim në të ardhmen e vetë lëvizjes sindikale dhe, mbi të gjitha, në interes të punëtorëve të Kosovës.

Sipas nevojës në ditët në vijim do të publikoj dokumente, fotografi dhe dëshmi konkrete nga këto përpjekje shumëvjeçare, jo për të kërkuar merita, por për të dëshmuar se bashkëpunimi ka qenë i mundur, ka ekzistuar dhe ka sjellë rezultate. Shpresoj që kjo përvojë të shërbejë si nxitje për një dialog të ri dhe për një bashkëpunim më gjithëpërfshirës në të ardhmen.