Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndarë 3 milionë euro për mbulimin e kostos së Kartonit të Gjelbër është një lehtësim i mirëpritur për qytetarët që hyjnë në Kosovë me automjete të regjistruara jashtë vendit. Megjithatë, ai nuk e zgjidh problemin në themel.
Pse Kosova nuk po i shton përpjekjet për anëtarësim në sistemin e Kartonit të Gjelbër ose, të paktën, për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale me shtetet përkatëse? Kjo do të ishte një zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme.
Po qytetarët e Kosovës që udhëtojnë jashtë vendit me automjetet e tyre të regjistruara në Kosovë? Ata vazhdojnë të detyrohen të paguajnë sigurime kufitare në secilin shtet ku udhëtojnë. Edhe ky është një diskriminim që meriton zgjidhje.
Njëkohësisht, mbetet e paqartë pse policia kufitare dhe ajo e komunikacionit duhet të detyrojnë qytetarët të blejnë produkte të kompanive private të sigurimeve, duke i sanksionuar nëse nuk e bëjnë këtë. A nuk do të duhej që shteti të krijonte kushte për zgjidhje publike dhe marrëveshje ndërkombëtare, në vend të mbështetjes së një sistemi që rëndon financiarisht qytetarët?
Po ashtu, lind pyetja pse Kosova nuk e zbaton në mënyrë konsekuente Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian kur bëhet fjalë për importin e automjeteve nga vendet e BE-së dhe Zvicra. Në shumë raste, akcizat dhe doganimi arrijnë deri në disa mijëra euro për një automjet, duke e bërë këtë barrë të papërballueshme për shumë bashkatdhetarë.
Kësaj i shtohet edhe kufizimi që një mërgimtar nuk mund ta lërë automjetin e tij në përdorim nga familjarët në Kosovë për më shumë se tre muaj, pasi sipas rregullave aktuale automjeti mund t’i nënshtrohet konfiskimit.
Nëse synojmë lidhje më të forta me diasporën, nuk mjaftojnë masat simbolike apo të përkohshme. Nevojiten zgjidhje të qëndrueshme, trajtim i barabartë i të gjithë qytetarëve dhe harmonizim i legjislacionit me standardet evropiane.
Në fund, lind edhe një pyetje tjetër e rëndësishme: a është konsultuar ndonjëherë seriozisht “diaspora e dashur” për këto çështje dhe për politikat e tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe interesat e saj? A janë përfshirë në proceset e vendimmarrjes ekspertët, organizatat dhe rrjetet profesionale të mërgatës, apo diaspora kujtohet kryesisht vetëm gjatë fushatave zgjedhore, për remitancat dhe investimet? Nëse synojmë politika të qëndrueshme dhe efektive, ato duhet të ndërtohen në partneritet me vetë diasporën, e jo vetëm në emër të saj.

























