Më 10 korrik 2026, në ora 18:00, në Librarinë Dukagjini në Prishtinë promovohet vepra “Mrikë, jeta ime II – Letra nga burgu”, vëllimi i dytë i autorit Martin Çuni.
Për fat të keq, kësaj radhe nuk do të kem mundësi të jem i pranishëm. Megjithatë, dua ta përgëzoj përzemërsisht Martinin dhe t’i uroj një promovim të suksesshëm, me pjesëmarrje të madhe dhe me vlerësimin që e meriton.
Shkrimet e tij janë ndër dëshmitë më autentike të një periudhe të rëndë të historisë sonë. Ato mbështeten në përjetime personale, në letra të shkruara nga burgu dhe në dokumente origjinale të kohës, duke i dhënë lexuesit jo vetëm një rrëfim të fuqishëm njerëzor, por edhe një dëshmi të çmuar historike.Pas veprës me letrat drejtuar Agronit dhe Teutës, libri kushtuar bashkëshortes së tij, Mrikës, përfaqëson jo vetëm një rrëfim prekës dashurie, qëndrese dhe sakrifice, por edhe një vepër me vlera të veçanta letrare e dokumentare.
Martin Çuni është nga ata veprimtarë, të burgosur politikë dhe luftëtarë të lirisë, që edhe pas çlirimit vazhdojnë ta fitojnë bukën me djersën e vet, duke kontribuar njëkohësisht në jetën kulturore dhe në lidhjen e krijuesve shqiptarë në mërgatë përmes veprave të njëpasnjëshme e të çmuara.
Mirënjohje e respekt për Martinin dhe urime për këtë vepër të re!
Miqtë që ndodhen në Prishtinë, nëse keni mundësi, nderojeni me praninë tuaj këtë promovim. Jam i bindur se do të jetë një mbrëmje me vlera të veçanta njerëzore, historike dhe letrare.

























