20.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

Mehmet Kurteshi (1928-2012)

Mehmet Kurteshi ishte atdhetar i madh i kauzës kombëtare dhe zgjim për shkollën shqipe (Mehmet Kurteshi 1928-2012)

 Shkruar nga Sami ARIFI

Mehmet Hysen Kurteshi u lind në qytetin e Gjilani  në vitin 1928, ai shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, ndërsa  gjatë vitit shkollor 1945-1946, u regjistrua me vonesë në Gjimazin

„Sami Frashëri“ në Prishtinë. Mehmet Kurteshi, shkollimin shqip e kishte filluar në vitin 1941, pas okupimit të Jugosllavisë nga Gjermania, nga se në trojet shqiptare në Mbretërinë e Jugosllavisë  (MJ) ishte i ndaluar të mësuarit shqip në shkolla, madje edhe të folurit shqip në vende publike.

Mehmeti në moshën 16-të vjeçari në vitin 1944 i bashkohet vullnetarisht Hoxhë Idriz Gjilanit për sulmin në Gjilan kundër serbo-çetnikëve, menjëherë pas kësaj ngjarje ai i bashkohet aradhave partizane. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (LDB) regjistrohet në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Regjistrimi u bë i mundëshëm me insistimin e Prof. Gjon Serreçit, nga se Mehmet Kurteshi dhe Ahmeti O. Malisheva ishin të mobilizuar në brigada partizane, dhe ishin të vonuar për t’u regjistruar. Prof. Gjon Serreçi ishte zëvendësdrejtor i Gjimnazit, ndërsa Prof. Idriz Ajeti ishte drejtor i Gjimnazi të quajtur „Sami Frashëri“ në Prishtinë, kështu që dytë, Mehmeti dhe Ahmeti, bashkohën në shkollë me Rexhepin, kusheririn e Mehmetit. Ahmet Malisheva, Mehmet Kurteshi dhe Rexhep Kurteshi i bashkohen Organizatës Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH-së) që udhheqej nga profesori i tyre Gjon Serreçi.

Pas përfundimit të Gjimnazit në vitin 1948, Mehmeti emërohet mësues në fshatin Desivojcë të Kamenicës, e pastaj, në Hogosht, ai pa shkëputje nga puna kreu Normalen në Gjakovë, ku si i diplomuar emërohet arsimtar i Gjimnazit të Ulët në Gjilan, tashmë quhet shkolla fillore “Thimi Mitko”. Mehmeti në vitin 1961, kreu me sukses edhe shkollën e lartë për përgatitjen e kuadrave administrative-financiare në Beograd dhe mori titullin e arsimtarit profesional të byroteknikës, stenografisë dhe korrespodencës, prandaj, si kuadër mjaft i kërkuar, ai kishte filluar të punojë në Shkollën e Mesme Ekonomike.

Atdhetarin, Mehmet Kurteshin, pushteti serbo-sllav e largon nga puna si të papërshtatshëm me motive politike për shkakun e djalit të tij Samiut, i cili ishte dënuar 9-të vite burg të rëndë së bashku me shokë, Zija Shemsiun 13-të vite burgë të rëndë, Fetah Shemsiu e Taip Zeka me nga 5-së vite e gjashtë muaj burg të rëndë, ndërsa Hasan e Shaban Shemsiut i shqiptuan dënimin me nga 4-rë vite burg të rëndë. Të dënuarit nga Gjyqi i Qarkut të Beogradit më 24 prill 1984 (TANJUG).

Atdhetari, Mehmet Kurteshi, gjatë tërë jetës së tij, kontriboi në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, gjithashtu ishte i angazhuar edhe për çështjen kombëtare përmes aktiviteteve politike për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Atdhetarin, Mehmet Kurteshin, e arrestojë milicia serbe në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-së mbi çaqet e ushtrisë serbe në Kosovë, milicët, paramilitarët dhe punëtorët e sigurimit serb, përmes makinerisë së tyre vrastare, torturonin, largonin nga shtëpitë e tyre, arrestonin e vrisnin shqiptarë, gra, pleq, fëmijë, njerëz (shqiptarë) të sëmuar pa dallim moshe e gjinie. Atdhetari gjatë kësaj kohe në moshë të shtyer 71 vjeçar, e arrestuan së bashku me djalin e tij, Samiun, dhe i mbajtën të burgosur deri në kapitullimin e okupatorit serb nga Kosova.

Qëllimi parësor i atdhetarit Mehmet Kurteshi ishte avansimimi i statusit politik e zhvillimor i vendit për këtë punoi mjaft personalisht, me familjarë dhe me shokë në kohratë e rënda dhe të errëta.

Atdhetari, Mehmet Kurteshi, kishte dashuri të madhe ndaj popullit të tij, për të mësuarit shqip dhe për çlirimin e atdheut.

Atdhetari i madh, Mehmet Hysen Kurteshi, ndërroi jetë në moshën 84 vjeçare, në vitin 2012, pasi iu realizuan ëndërrat jetësore për çlirimin e Kosovës nga Serbia si dhe Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës Shtet Demokratik dhe të Pavarur.

Atdhetari Mehmet Kurteshi la pas vehte shtatë fëmijë: Sabitin, Samiun, Naimin, Ajshën, Selamiun, Hasibën dhe Abdylin. Ai la pas veti kontribut të madh në fusha shumëdimensionale, pasaçërisht në atë të arsimit dhe të veprimtarisë atdhetare.

Qoftë i përjetëhëm kujtimi për atdhetarin e madh Mehmet Kurteshin, pushoftë i qetë në dritën e Parajsës në amshim.