17.9 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Elitat e harresës dhe politika e errësirës!

Ese: (2)

Elitat e harresës dhe politika e errësirës!

Nga Safet SADIKU

Çdo shoqëri prodhon elitat e saj. Por, jo çdo elitë prodhon dritë, për shtetin, për demokracinë, për qytetarët. Ka elita që ndërtojnë kujtesë, dhe ka elita që ndërtojnë harresë. Ka politika që çlirojnë qytetarin, dhe politika që ushqejnë errësirën si metodë sundimi.

Tragjedia jonë nuk qëndron vetëm te e shkuara totalitare, por te mënyra se si ajo u përtyp, u relativizua dhe u riciklua në formë të re. Shqipëria e tranzicionit nuk u përball plotësisht me të shkuarën e saj, por ajo e arkivoi atë. Dosjet u bënë objekte burokratike, jo akte ndërgjegjeje. Krimet e regjimeve të së kaluarës u zhvendosën nga sfera morale në sferën e debatit teknik. Dhe kështu u krijua një boshllëk: një demokraci formale, por me memorie të paqëndrueshme, sepse kujtesa është akt gjykimi. Harresa është instrument pushteti. Hapja e dosjeve nuk do të ishte dhe ende nuk është hakmarrje. Është vetëdije. Një shoqëri që nuk guxon të përballet me fantazmat e saj, mbetet e robëruar prej tyre edhe kur pretendon se ka hyrë në epokë të re. Fantazmat nuk janë vetëm figura të së kaluarës, por ato janë struktura të mendësisë, mekanizma frike, kultura servilizmi që mbijetojnë nën kostume moderne. Janë rrjete patronazhi. Janë gjuhë e dyfishtë. Janë heshtje e organizuar. Kjo është arsyeja pse figura e Prometeut mbetet metaforë e dhimbshme edhe për ne dhe jo vetëm për titanët e ndëshkuar nga tirania, sidomos për ata që, pasi plagët u janë shëruar, zgjedhin të bëhen roje të zinxhirëve të të tjerëve. Kur trauma nuk institucionalizohet për shërim, për t’u ruajtur në kujtesë kritike, ajo shndërrohet në mekanizëm përshtatjeje. Viktima mund të bëhet apologjete. I persekutuari mund të bëhet zëdhënës i pushtetit. Dhe absurditeti merr përmasa morale.

Ngjanë si ulurimë: “O tempora, o mores!”, e cila është thirrja e Ciceronit, që tingëllon si jehonë në realitetin tonë. Kjo, sepse problemi nuk është vetëm korrupsioni financiar apo dështimi administrativ. Problemi është deformimi i së vërtetës. Është relativizimi i krimit. Është normalizimi i manipulimit. Kur pushteti kontrollon të vërtetën dhe në gjithë kauzën e demokracisë, ende po kontrollon edhe kujtesën. Dhe kur kontrollon kujtesën, kontrollon kufijtë e mendimit. Në vitet e tranzicionit, vendi u hap ndaj migrimeve, ndikimeve të jashtme dhe transformimeve të thella shoqërore. Minoritetet etnike janë pjesë legjitime e çdo shteti modern dhe mbrojtja e tyre është standard demokratik. Por manipulimi politik i identiteteve dhe përdorimi i tyre si instrument presioni, si mjet elektoral apo si kartë gjeopolitike, është një tjetër formë e errësirës. Identiteti nuk është statistikë. Nuk është numër. Nuk është slogan.

Shteti që nuk ka vetëdije historike, bëhet terren eksperimentesh. Depërtimi në administratë, blerja strategjike e pronave, përdorimi selektiv i statusit të minoritetit, instrumentalizimi i përkatësisë kulturore etj., që të gjitha këto janë forma të ndikimit të butë që mund të minojnë sovranitetin tonë shtetëror, nëse nuk monitorohen me transparencë dhe ligjshmëri. Sovraniteti nuk është vetëm vijë kufiri. Është kontroll mbi institucionet, mbi përceptimet dhe interpretimet historike, dhe po ashtu mbi memorien kolektive. Por, tragjedia më e madhe nuk është vetëm tek elitat. Është edhe tek indiferenca jonë. Shoqëria që mësohet me mjegullën, fillon ta quajë atë si klimë normale. Hapja e dosjeve kthehet në spektakël mediatik. Skandalet bëhen ciklike. Indinjata zgjat 48 orë. Pastaj, harresa rikthehet si qetësi artificiale. Dhe kështu politika e errësirës funksionon jo sepse është e pathyeshme, por sepse është e përshtatur me lodhjen morale të qytetarëve. Memoria nuk është luks intelektual. Është armë morale. Një komb që nuk e përpunon të shkuarën e vet, rrezikon ta riprodhojë atë në forma më të sofistikuara. Demokracia pa kujtesë është si një ritual. Zgjidhjet pa drejtësi historike janë procedurë pa themel. Pra, nuk ka pajtim pa të vërtetën. Ashtu si nuk ka stabilitet pa drejtësi. Identiteti, po ashtu, nuk është folklor ceremonial. Ai është arkitekturë e vetëdijes kolektive. Është gjuhë, histori, kulturë, sakrificë. Kur identiteti reduktohet në marketing politik, kombi shndërrohet në masë elektorale. Kur historia relativizohet, brezat humbin boshtin orientues. Pa identitet të qartë, sovraniteti bëhet iluzion juridik. Dhe natyrisht pushteti duhet të jetë përgjegjësi, jo pronë. Por kur ai funksionon si trashëgimi, e cila po quhet se, „është oligarkike“, kur administrata shndërrohet në rrjet patronazhi dhe demokracia në ritual elektoral, atëherë kemi të bëjmë me një deformim të thellë institucional. Fenomeni, nuk është më vetëm çështje individësh, por po vlerësohet se është çështje strukture. Harresa kolektive bëhet infrastrukturë e pushtetit. Media relativizon informacionet. Ndërkaq, arsimi hesht. Institucionet  kanë qëllim të zvarriten. Dhe vjen rezultati i shumëpritur; qytetari lodhet. Qytetarët mbeten shikuesit më besnikë! Megjithatë, errësira nuk është e përhershme. Ajo ekziston vetëm derisa dikush ndez dritën. Dhe drita nuk vjen nga elitat që përfitojnë nga mjegulla, por nga shoqëria që vendos të mos harrojë më. Vetëdija është akt politik. Kujtesa është formë rezistence. Transparenca është mbrojtje e sovranitetit. Ne nuk kemi nevojë për nostalgji. As për histeri. Kemi nevojë për qartësi. Për institucione që funksionojnë. Për arsim që mëson historinë pa frikë. Për administratë që i shërben ligjit, jo partisë. Për një kulturë publike ku e vërteta nuk është luks, por normë. Elitat e harresës mund të mbijetojnë për një kohë. Politika e errësirës mund të duket e fortë. Por, asnjë sistem që mbështetet mbi manipulimin e kujtesës nuk është i qëndrueshëm në afat të gjatë. Sepse historia, herët a vonë, kërkon llogari. Memoria është dritë. Identiteti është bosht. Pushteti është përgjegjësi. Dhe momenti kur një shoqëri vendos të mos harrojë më është momenti kur errësira fillon të tërhiqet. Nëse historia e shqiptarëve në shekullin e njëzetë dhe në fillim të shekullit njëzetenjë lexohet përmes prizmit të marrëdhënieve me regjimet përreth, atëherë bëhet e qartë se nënshtrimi politik nuk ka qenë vetëm çështje pushtimi territorial, por edhe çështje administrimi të kujtesës, deformimi të formimit dhe prodhimit të një elite që mëson të bashkëjetojë me errësirën më shumë sesa me transparencën. Në hapësirën e Shqipërisë shtetërore, regjimet totalitare prodhuan një izolim të skajshëm institucional, ku shteti kontrollonte ekonominë, mendimin dhe lëvizjen, ndërsa në hapësirat shqiptare nën ish-Jugosllavia u ndërtua një model tjetër nënshtrimi, më kompleks në formë, por po aq i thellë në përmbajtje, ku autonomia formale shpesh bashkëjetonte me kontroll strukturor politik dhe me tension të vazhdueshëm mbi identitetin kombëtar. Në këtë kontekst, “elitat e harresës” nuk janë vetëm produkt i brendshëm, por edhe rezultat i ndërveprimeve me struktura rajonale të pushtetit, ku një pjesë e klasës drejtuese mësoi të administrojë realitetin duke heshtur për çështje thelbësore, duke relativizuar padrejtësitë historike dhe duke e zëvendësuar debatin mbi sovranitetin me diskurs teknik mbi stabilitetin. Në një interpretim moral të historisë, Ciceroni do të paralajmëronte se një komb që nuk mbron dinjitetin e vet politik rrezikon ta humbasë atë për një kohë të gjatë, dhe në këtë frymë do të këshillonte kujdes maksimal në raport me fqinjë si Serbia dhe Greqia, jo si thirrje për izolim të përhershëm, por si apel për maturi strategjike, sepse historia e konflikteve, ligjet e pazgjidhura të luftës dhe narrativat konkurruese mbi territorin e identitetin nuk zhduken vetëm me kalimin e kohës. Në anën tjetër, zëri i Robotit do të argumentonte se në epokën e ndërlidhjes globale, zhvillimi ekonomik, integrimi tregtar dhe bashkëpunimi rajonal kanë peshë më të madhe sesa kujtesa e konfliktit, dhe se një shtet që siguron rritje ekonomike, investime dhe mirëqenie për qytetarët e vet mund të neutralizojë tensionet politike përmes ndërvarësisë ekonomike. Por pyetja thelbësore që shtrohet është nëse zhvillimi ekonomik mund të kompensojë dobësimin e sovranitetit politik, dhe nëse politikat që privilegjojnë stabilitetin afatshkurtër ekonomik mbi konsolidimin institucional afatgjatë nuk kanë prodhuar kosto më të mëdha sesa përfitimet e dukshme. Sepse historia rajonale ka treguar se nënshtrimi politik, edhe kur shoqërohet me premtime zhvillimi, krijon varësi strukturore: varësi në energji, në tregti, në investime strategjike dhe në mardhënie diplomatike, të cilat, në mungesë të një administrate të fortë dhe një vizioni kombëtar të qartë, mund ta zhvendosin qendrën reale të vendimmarrjes jashtë hapësirës së kontrollit demokratik. Nëse elitat politike, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, prodhojnë debat të ashpër publik, por në planin administrativ tolerojnë kapjen e institucioneve, relativizimin e çështjeve të sovranitetit dhe mungesën e transparencës në marrëveshje strategjike, atëherë politika e errësirës nuk është aksident, por mënyrë funksionimi. Këtu përplasen dy paradigma: ajo e kujtesës historike, që kërkon vigjilencë dhe ruajtje të interesit kombëtar në çdo marrëdhënie rajonale, dhe ajo e pragmatizmit ekonomik, që sheh zhvillimin si prioritet absolut. Rrezikshmëria për shqiptarët nuk është të zgjedhin njërën duke përjashtuar tjetrën, por të ndërtojnë një model ku zhvillimi ekonomik nuk blihet me çmimin e heshtjes politike, dhe ku bashkëpunimi rajonal nuk nënkupton relativizim të së shkuarës. Pra, një shtet që harron për hir të komoditetit rrezikon të përsërisë gabimet e veta, ndërsa një shtet që mbyllet në frikë rrezikon të izolohet! Zgjidhja nuk qëndron as te mbyllja dyqindvjeçare e derës, as te hapja e pakushtëzuar e saj, por te ndërtimi i një administrate të fortë, të vetëdijshme për historinë dhe të aftë për të negociuar nga pozita e dinjitetit, dhe jo nga pozita lypsare. Në fakt, çështja nuk është vetëm se çfarë kanë bërë regjimet e së kaluarës, por se çfarë kanë mësuar elitat e sotme prej tyre: nëse harresa vazhdon të jetë strategji dhe errësira mjet, atëherë kostoja do të paguhet jo vetëm në terma ekonomikë, por në vetë strukturën e sovranitetit kombëtar.

Politika e errësirës dhe harresa kolektive: Politika e errësirës nuk është thjesht më një strategji afatshkurtër për të mbuluar dështimet ose për të shmangur llogaridhënien, por një mekanizëm i strukturuar që e bën shoqërinë të harrojë të kaluarën e vet, të relativizojë krimet dhe të përsërisë gabimet historike, duke krijuar një varësi institucionale dhe kulturore që është pothuajse e pamundur për tu shmangur. Në këtë kuptim, harresa kolektive nuk është mungesë emocionale apo indolencë morale, por një infrastrukturë e ndërtuar me qëllim dhe me vetëdije…. Ajo prodhohet përmes kontrollit të mediave që zgjedhin orientimin, përmes sistemit arsimor që relativizon ose deformon periudhat historike, përmes administratës që operon me logjikë lojaliteti e jo profesionalizmi, dhe përmes propagandës që e paraqet varësinë si normalitet të pashmangshëm. Për shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, kjo politikë e errësirës ka funksionuar si një shtrëngim historik që ka minuar kujtesën kolektive: në Shqipëri, periudha e regjimit diktatorial ka fshirë dhe harruar historinë kombëtare. Në në Kosovë, gjatë okupimit serb, të dhënat historike, pasuria kulturore dhe institucionet lokale u nënshtruan një kontrolli që synonte jo vetëm shfrytëzimin territorial, por edhe ndryshimin e vetëdijes së komunitetit. Ndërsa në Mal të Zi, nën presione të ndryshme politike dhe administrative, shqiptarët u vunë në një pozitë ku kujtesa e tyre kolektive shpesh nuk u njoh dhe sovraniteti i komunitetit u reduktua në formë simbolike. Ciceroni do të theksonte se për të mbrojtur identitetin dhe sovranitetin, një popull nuk mund të lejojë që politika e errësirës të imponojë harresën si normalitet. Ai do të argumentonte se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për çdo përpjekje për të manipuluar memorien historike dhe për të mbajtur institucionet jashtë përgjegjësisë së tyre. Roboti, nga ana tjetër, do të analizonte të njëjtin fenomen si një problem sistemi, duke shpjeguar se harresa kolektive nuk ndodh rastësisht, por si rezultat i ndërthurjes së disa mekanizmave: kontroll mediash që filtron informacionin, ligje dhe politika që ndryshojnë sipas interesave të elitave, kontrata ekonomike të paqarta që e bëjnë varësinë të duket normale, dhe një gjyqësor që nuk garanton zbatim të drejtë, duke i dhënë elitës mundësi të ruajë privilegjet dhe të imponojë varësinë mbi qytetarët. Në këtë prizëm, politika e errësirës është jo vetëm fshirje e të dhënave historike, por edhe instrument për të kontrolluar perceptimin e qytetarëve, duke e bërë shoqërinë të besojë se mosveprimi, mungesa e transparencës dhe varësia strukturore janë pjesë e një rendi natyror, dhe jo rezultat i manipulimit politik. Ky proces krijon një cikël ku memorja e fragmentuar ushqen identitet të dobësuar, dhe identiteti i dobësuar lejon humbje sovraniteti, dhe humbja e sovranitetit e bën më të lehtë për elitat të imponojnë interesat e tyre mbi shoqërinë. Për shembull, në krahasim me Kroacinë dhe Slloveninë, ku procesi i kujtesës kombëtare dhe i institucionit ka qenë më i mbrojtur dhe më i strukturuar, shqiptarët në rajon shpesh kanë përjetuar një harresë të imponuar që ka lejuar dominimin e politikave të huaja ose oligarkive të brendshme, duke reduktuar mundësinë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe institucional. Nga ky këndvështrim, lufta kundër politikës së errësirës dhe harresës kolektive nuk është thjesht çështje morale, por një nevojë strategjike! Por, për të mbrojtur sovranitetin dhe për të konsoliduar identitetin kombëtar, duhet të ndërtohet një mekanizëm që siguron transparencë, llogaridhënie dhe njohje të historisë, duke e kthyer kujtesën jo në një fantazmë të harruar, por në mjet mbrojtës të integritetit të institucioneve dhe të qytetarit. Vetëm kur memorja, identiteti dhe sovraniteti trajtohen si bashkëveprim i pandashëm, mund të pritet që një komb të shmangë ciklet e varësisë, manipulimit dhe humbjes së kontrollit mbi fatin e vet, duke i dhënë qytetarëve fuqinë të vendosin mbi jetën e tyre, mbi pasuritë e vendit dhe mbi drejtimin strategjik të shoqërisë, dhe duke e kthyer historinë nga një mësim i harruar në një instrument të qartë për të ardhmen.

(Nga dorëshkrimet, sirtari 113).