Xhevat Hasani,31. 01. 2026
Për mua që i kam ndjekur me vëmendje shkeljet e njëpasnjëshme të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, që nga ardhja në pushtet e partisë së VMRO-së me Kryeministër Hristjan Mickoski dhe presidente Gordana Siljanovska-Davkova, nuk është aspak e vështirë që t`u tregoj shqiptarëve me saktësi, se çfarë kanë në plan të bëjnë gjatë vitit 2026 këta dy antishqiptarë kundër shqiptarëve në Maqedoni.
Këta dy antishqiptarë kanë planifikuar që gjatë vitit 2026 t`i qërojnë hesapet njëherë e mirë me gjuhën shqipe në Maqedoni. Kjo do të thotë se ata duan që nëpërmjet të presioneve politike dhe të mbivotimeve, gjuhën shqipe nga gjuhë zyrtare në Maqedoni ta s’postojnë në gjuhë lokale. Gjuhë lokale do të thotë gjuhë e cila përdoret deri në nivele komunale (vetëm në komunat e banuara me shumicë shqiptare) por jo më lartë: në jo në Kuvendin e Maqedonisë dhe jo në Ministri të ndryshme:
Nëse Mickoski-Davkova do të arrijnë që gjuhën shqipe gjatë vitit 2026 ta s’postojnë nga gjuhë zyrtare në gjuhë lokale, kjo do të thotë se në fund të vitit 2026 deputetët shqiptarë nuk do të mund të flasin shqip në Kuvendin e Maqedonisë, kurse mbishkrimi shqip „Kuvendi i Maqedonisë së Veriut“ do të hiqet nga muri ballor i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
E tëra flet se ditë të zeza po e presin gjuhën shqipe në Maqedoni!
Mendoj se për të pritur gjuha shqipe ditë të bardha në Maqedoni, shqiptarët duhet të lëvizin ca vendit e jo „pushka bam e Muçoja në tjetrën anë!“. Shqiptarët i madh e i vogël duhet të demonstrojnë në mënyrë paqësore jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatra me kërkesa të qarta poltike; Lidhur me shtypjen etnike (heqjen e të drejtave kombëtare), ata duhet t`u dërgojnë memorandme e peticione SHBA-ve dhe vendeve të fuqishme Europiane, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Organizatave për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së).
Por, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut lidhur me heqjen e të drejtave kombëtare, të cilat atyre ua ka njohur Marrëveshja e Ohrit e gushtit të vitit 2001, duhet t`a njoftojnë rregullisht edhe Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat e kanë të drejtën legjitime që të kujdesën për shqiptarët që jetojnë në viset e tyre jashtë Shqipërisë dhe Kosovës.
Shqiptarët nuk duhet t`i urrejnë maqedonët kjo edhe për faktin se një pjesë e madhe e tyre kanë qenë e janë shqiptarë ortodoks, dhe shqiptarët nuk guxojnë ushtrojnë akte terroriste, sepse me akte terroriste i humbin edhe ato pak të drejta që kanë.
Lëvizja politike paqësore aktive është zgjidhja e vetme për zgjidhjen e problemeve që kanë shqiptarët në Maqedoni.
Lufta është mjeti i fundit për zgjidhjen e problemeve.
Secili popull duhet ta meritoj lirinë e tij.

























