20.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

Shqipe Bytyqi: Një Kolos në Bronz

Më 14 shtator, në Frasnitë te Kalabrisë, në një toke që ruan kujtesën e Arbërisë së largët, u ngrit në bronz figura e një njeriu që nuk i përket vetëm kohës së tij, por përjetësisë së një misioni, At Anton Belushi.

Në këtë vend, ku fjala arbëreshe pér ti rezistuar shekujve u bë këngë, tashmë qëndron si dëshmitar i përjetshëm një kolos i kulturës, një mësues i fjalës dhe një misionar i dashurisë për gjuhën, historinë dhe identitetin arbëresh dhe ate shqiptar.

Shtatorja, vepër monumentale e skulptorit prishtinas Gëzim Muriqi, u realizua falë përkushtimit të Lidhjes se Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë -LKSHM, e cila përjetësoi kujtimin e një personaliteti qe ndërtoi ura midis botëve, brezave dhe brigjeve të Arbërisë.

-Një ceremoni me tri himne

Nën tingujt e tri himneve, atij të Italisë, të Shqipërisë dhe të Kosovës, ceremonia e inaugurimit nisi me nje ndjenjë solemne që përshkoi gjithë Frasnitën. Zbulimi i shtatores, e mbuluar me saten të kuq, u shoqërua nga zëri i motrës së At Belushit, Katerina Belushi, që këndoi këngën arbëreshe “T’japim dorën o vëllëzër”. Ishte një çast i thellë uniteti, ku zërat dhe emocionet u bashkuan në një frymë të vetme.

-Fjalë për një burrë

Kryetari i Bashkisë së Frasnitës, Angelo Catapano, theksoi rëndësinë e monumentit si simbol i lidhjeve të pathyeshme mes komunitetit arbëresh dhe trungut të tij amtar.

Nënkryetari i LKSHM-së, Musa Jupolli, kujtoi misionin e At Belushit për të ruajtur gjuhën, për të ndriçuar historinë dhe për t’u dhënë brezave krenarinë e origjinës. Skulptori Gëzim Muriqi ndau me te pranishmit rrugëtimin artistik të kësaj vepre, që nuk është thjesht një figurë në metal, por një shpirt i derdhur në bronz.

Në ceremoni morën pjesë edhe motra Katerina dhe vëllai Tomasso Belushi, si dhe bashkëpunëtorja në e afërt e Belushit, Ornela Radovicka, të cilët ndanë kujtimet dhe emocionet e tyre për një njeri që jetoi për idealin dhe kulturën.

-Jehonë e dijes dhe kujtesës

Akademikë, studiues dhe personalitete te kulturës arbëreshe nderuan figurën e At Anton Belushit: Prof. Nikola Skeri, Damiano Guagliardi, Maria Antonietta Rimoli, Franco Calima, Mikele Greco dhe Prof. Isak Shema të cilét dëshmuan ndikimin e tij té pakrahasueshëm në ruajtjen e identitetit.

Përfaqësuesit dhe koordinuesit e LKSHM-së: Musa Jupolli, Rexhep Rifati, Mentor Thaqi, Hazir Mehmeti, Shqipe Bytyqi dhe Bashkim Halilaj, me angazhimin dhe përkushtimin e tyre bënë te mundur realizimin e këtij projekti monumental.

Mbështetje logjistike, organizative dhe morale dhanë gjithashtu Sokol Ahmetaj, Teuta Rifati-Kerhani, Milazim Ukëhaxhaj, Dan Morina, Akile Morina, Sadete Zhitia, Elona Sulaj, Dan aistrefaj, Ibrahim dhe Emine Xhemajli, Saliha Kodra- Rama, Avni Neziri, Jakup Reka, Martin Musaj, Lec Rexhepi dhe të tjerë.

Zonjat e fisme dhe të kujdesshme: Hamide Rifati, Haxhere Jupolli, Nexhmije Mehmeti, Vjollca Ukëhaxhaj dhe Fatime Istrefaj me prezencën e tyre i dhanë ceremonisë nje atmosferë elegance dhe dinjiteti.

-Fjala, kënga dhe përjetësia

Pas aktit zyrtar, mbrëmja mori trajtën e një homazhi artistik. Poezia, muzika dhe fjala u ndërthurën ne një orë letrare ku çdo varg ishte nje përkulje ndaj jetës dhe misionit të At Belushit.

Kënga kushtuar atij nga Mentor Thaqi, shoqëruar me kitarë nga Ilir Papazi, tingëlloi si një lutje e brendshme. Poezitë e interpretuara nga Shqipe Bytyqi, Ramadan Morina, Ornela Radovicka, Hazir Mehmeti, Saliha Kodra-Rama e Maria Antonietta Rimolit si dhe performanca e grupit “Fluturo shqipe” nga Kostravillari, krijuan një atmosferë të thellë shpirtërore.

-Një prani që s’e shuan harresa

Katër ditët e qëndrimit ne Frasnitë nuk ishin thjesht një ngjarje, por nje rit i kujtesës.

Në bronzin e kësaj shtatoreje tashmë rreh një zemër qe nuk pushon, zemra e mësuesit, misionarit dhe atdhetarit që i mësoi brezave te duan gjuhën e tyre, të respektojnë rrënjët e tyre dhe te ecin drejt të ardhmes me dinjitet.

At Anton Belushi është tani aty, në Frasnitë, me plisin në dorë dhe librin ne dorën tjetër, për te udhëhequr të rinjtë drejt dritës dhe dashurisë për Arbërinë.

Koha mund të ndryshojë gjithçka, por jo kujtimin e tij, sepse bronzi ruan trupin, ndërsa fjala dhe vepra e tij ruajnë shpirtin e arbëreshëve.

 Shqipe Bytyqi, shtator 2025