21.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Në Berna përmes një ekspozite unike shënohet 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Mbrëmë, në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berna, organizoi një ekspozitë unike me emërtimin simbolik “Liria erdhi me mua”, në nderim të figurave të rëndësishme nga fusha e artit që ranë në altarin e lirisë .- Ambasadori Mentor Latifi, theksoi se: Kjo ditë na kujton sakrificat e paimagjinueshme dhe guximin heroik të brezave që dhanë gjithçka për të na mundësuar të jetojmë në një Kosovë të lirë.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Salla ku u mbajt ekspozita u tregua shumë e vogël dhe e pamjaftueshëm për një ekspozitë të kësaj natyre, sepse numri i mërgimtarëve që ia kishin mësyer nga gjitha anët e shtetit helvetik ngase zakonisht përvjetorët e themelimit të shtetit tonë kanë një pjesëmarrje tejet masive.

Programi u hap përmes interpretimit të himnit të Kosovës nga Kori Lulëkuqet Bernë, që u shfaq edhe me disa pika tjera, përgatitur nergut për këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët.

Më pastaj, ambasadori Mentor Latifi përmes një fjale rasti krahas falënderimit për pjesëmarrësit dhe artistët ekspozues të punimeve të tyre përkujtoi se:  “ Kjo ditë na kujton sakrificat e paimagjinueshme dhe guximin heroik të brezave të kaluar, të cilët dhanë gjithçka për të na mundësuar të jetojmë në një Kosovë të lirë, duke shtuar se edhe  tema e kësaj ekspozite  është shumë e veçantë: një homazh për të gjithë ata që luftuan për lirinë dhe për ata që i dhanë Kosovës fytyrën e saj të pavdekshme përmes artit dhe sakrificës.

“Ndaj edhe ne duhet të jemi mirënjohës dhe të vazhdojmë të ndihmojmë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt prosperitetit, duke shtuar edhe një falënderim për zonjën Shukrije Ramadani për organizimin e këtij evenimenti bashkë me koleget e nga Ambasada e Shqipërisë, Monika Zguro dhe Valon Gashi.

Gjithashtu me një fjalë të pranishmëve iu drejtua edhe zëvendësambasadorja Shukrije Ramadani, e cila potencoi se këtë ditë të veçantë, nuk mund të gjejmë publik dhe mysafirë më të nderuar se ju që jetoni me dhimbje dhe plagë për ata që dhanë gjithçka për liri. Ata që ia falën jetën Kosovës për të krijuar të ardhmen tonë të lirë. Për ata që fizikisht nuk janë më me ne, por që përjetësisht jetojnë në zemrat tona.

Më pastaj u ndanë edhe dy mirënjohje për për dy vajzat e dëshmorëve: Nertila Konushevci, vajzën e Ilir Konushevcit dhe Kaltrina Sulejmani, vajzën e Gursel Sulejmanit, të cilat në një moshë të re kanë arritur të hapin dyert e universiteteve më prestigjioze në botë.

Krahas këngëve të korit të femrave nga Berna pati edhe dy pika tjera të veçanta muzikore të interpretuara nga këngëtarja Gentiana Tafili dhe flautistja Anila Tasholli , që i sollën ambientit një tonalitet të veçantë.

Ja edhe punimet e ekspozuara nga piktorët, filluar me ata që bënë emër të historinë më të re të Kosovës , siç janë:

Agim Ramadani – Katana, me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, një ikonë e pavdekshme e qëndresës shqiptare dhe Gursel Sylejmani, me autoportretin e tij, duke mishëruar simbolikën e luftëtarit të palodhur për liri. Për të vazhduar me autorë të ri që kanë bërë vulë me punimet e tyre tash e sa dekada në shtetin helvetik siç janë : Sylë Mujaj, me dy portrete të titulluara “Gjergji ynë, apo pasaporta jonë kombëtare”, realizuar në mermer dhe qeramikë; Arsim Berisha, me portretin e Adem Demaçit, “Gandi i Ballkanit”, dhe një shqiponjë të copëzuar si simbol i tragjedisë kombëtare; Naim Selmonaj, me skulpturën “Liria erdhi me mua” dhe pikturën “Kosova, gur i çmuar në botë”; Visar Kryeziu, me punimet “Gjergj Kastrioti, Adem Jashari dhe Agim Ramadani”, duke përdorur teknikën “Vija e zezë në fushën e bardhë”; Dorina Ukgjini, me portretin e Skënderbeut dhe një pikturë të veçantë kushtuar nënës, si simbol i dashurisë dhe sakrificës; Pren Berisha, me portretin e Adem Jasharit dhe Bekim Berisha – Abeja, realizuar me mjeshtëri në akril; Vesel Xhaferi, me punimet e tij në polintelizëm, “Vallja jonë shqiptare” dhe “Ura e vashës”, krijuar nga pupla shqiponje me ngjyra unike dhe Riad Mehmeti, me punimet e tij në dru, duke paraqitur figurat historike të Agim Ramadanit dhe ciklin “Ringjallja”.

Mbrëmja kaloi në një atmosferë mëse të këndshme, ku dominuan figura nga fusha të ndryshme arti, kultura e personalitete publike.