19.2 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Ferizaj botoi librin e Pino Cacozzas “I them botës jam Arbëresh” nga Ornela Radovicka

Në Ferizaj sapo ka dalë nga shtypi libri i poeti arbëresh dhe këngëtarit të shquar arbëresh, Pino Cacozza (1957-2021), i cili tash e tri vjet iku në përjetësi duke na lënë një thesar të vërtetë të këngës lirike arbëreshe. Autore e këtij libri është Dr Ornela Radovicka, një nga studiueset e shquara të botës arbëreshe. Libri është fryt i angazhimit të editores  Zyrafete Shalës,( botuese e shtëpisë “Drini”)  redaktorit Faruk Tasholli  dhe sponsorit Ramadan Gashi. Me të botuar në shtypshkronjën “Intergraf”, me pronar Naium Kurtaliqi, posa mu dhuruan disa nga ekzemplarët e  monografisë “I them botes jam arbëresh».

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Nga libri im “Arbëreshët fotosintezë e shpirtit tim”, shkëputa tekstin që pata marrë nga libri “I them botës jam Arbëresh”, të autores Ornela Radovicka:

Giuseppe Cacozza, emri i artit Pino\Zef \Cacozza, mësues, poet, shkrimtar, publicist, autor tekstesh, muzikant u lind më 27 shtator 1957, në një qytezë të vogël arbëreshe, San Dimetrio Corona\Shën Mitër, në Kalabri, Itali. Pino Cacozza, ndoqi studimet e larta në fakultetin për Gjuhë  e Letërsi të Huaja në Universitetin e Kalabrisë; në degën Gjuhë e Qytetërimit Frëng. Më vonë ai u kualifikua në fushën e mësimdhënies edhe në gjuhën angleze, ku edhe punoi si mësues.

Në vitin 2012, me rastin e Vitit të Ri, Pino për faqen  “Arbitalia” shkruan: “Ata që përpiqen të ndalojnë Arbërinë e projektuar në të ardhmen janë gjithmonë të njëjtët: politikanët, egoistët, karrieristët, të eturit për pushtet dhe pasuri, vrasësit e ëndrrave dhe ata që u afrohen për interesa, për kotësi, për biznes të errët. Dashuria nuk paguhet me para, dashuria ime është, Arbëria.

Arbëreshët janë modeli më i mirë i integrimit- thotë Pino- Arbëreshi nuk i mbyll kurrë dyert. I kemi mbajtur gjithmonë hapur, sepse vet ne jemi një etni e emigruar. Të gjitha kulturat janë të bukura. Mua më pëlqen kultura italiane, se jam Arbëresh. Por jemi edhe gjak me gjenetikë të fortë çka dëshmon qëndresa jonë 600 vjeçare që rrojmë, durojmë, rezistojmë në këtë vend. Arbëreshi është resilient. Ne arbëreshët jemi për integrim, por jo për homologim.

“Kur bijve u pritet dhe i këputet gjuha, atje dega thahet dhe lisi zë e kalbet”-thoshte Pino. Problemi s’është mësimi i gjuhës arbëreshe, po është se ndër shpi e mbrënda te familjet tona s’foljen më arbrisht. E jëma, arbëreshe, dhe i jati, arbëresh, te shpia tire s’foljen më arbrisht, e nëng trazmitirjen më nè mësimet e tire, nè mësimet e atravet e tire. S’foljen më shqip, sepse te zëmra tire dhe te shpirti i tire u tha dhe u kalb rrënja. Dhe kështu Arbëria s’bën më lule në pranverë si më përpara, e s’këndon më”.

Ai ka fituar pesë herë Festivalin e Këngës Arbëreshe (për katër edicione ai ishte drejtor artistik)

Pino Cacozza u nderua me çmimin e kritikëve “Giuseppe D’Amico”. – Në vitin 2009, në Napoli mori çmimin Mesdhetar për “Artin dhe Kreativitetin”. – Në 8 prill 2015 u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë me titullin “Naim Frashëri”. – Në 3 shtator 2017 u nderua me çmimin (il Premio) Cassiodoro. Në vijim disa vargje të Pino Cacozza

“Ne jemi 500 vjet storia e kallo nder duar\Jemi shpia e bënë me djers

E tue kënduar na jemi buka te tryeza\ lulja te muri\Jemi dielli nde vere\ nde dimer jemi bora”.

Pino iku i heshtur, me flatra të arta, nën notat e një “Nabuko-je” të një Arbërie, që ai i këndoi me aq shumë dhimbje por edhe me aq dashuri.