19.2 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Shuhet jeta e dy personaliteteve të shquara ferizajase në mërgatë

Brenda tri ditësh nga mesi ynë u larguan profesor Hajro Hajra në qytetin Phoenix, në Arizonë të Shteteve të Bashkuara dhe doktor Bashkim Kololli në Friburg të Zvicrës

Nga Rexhep Rifati

Brenda dy-tri ditësh mërgata shqiptare humbi dy personalitete të shquara, të cilët jo vetëm se ishin intelektualë të shquar, por edhe figura të njohura jo vetëm në Ferizaj me rrethinë por edhe më gjerë.

Profesori i gjuhës shqipe Hajro Hajra, dekada me radhe i kontribuoi me të madhe arsimit ferizajas, ndonëse u gjete disa herë nën trysninë e pushtetit, duke iu nënshtruan bastisjeve dhe arrestimeve, por asnjëherë nuk u gjunjëzua, meqë ishte i brumosur me një atdhedashuri të rrallë. Hajroja nga pozita e një profesori shquhej edhe si gjuhëtar me kontribute kushtuar gjuhës dhe shkrimit shqip, ndaj edhe së voni në botim të portalit tonë transnacional.ch, nxori në dritë 2 mijë ekzemplarë të librit: “Të flasim e të shkruajmë drejtë” , në përgatitje të Skender Hajdarit, të cilat edhe po shpërndahen falas si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë.

Hajra la pas veti të shoqen, dhe tri vajzat me arritje të veçanta shkollore e profesionale në  Shtetet e Bashkuara.

Edhe Bashkim Kololli i përket brezit të parë të mjekëve Ferizajas. Ai pos në Kosovë edhe në mërgatë kreu profesionit e një mjeku të specializuar. Bashkimin, pos që nga vegjëlia e kishte shoqëruar zelli për dije e libër, pasiqë babai i tij Hajriz Musliu ishte ndër pishtarët e parë të arsimit ferizajas dhe që i ishte përkushtuar krahas fëmijëve të tij edhe shumë brezave si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme ku kishte dhënë mësim

Bashkimi si edhe babai i tij, kishte një dell të veçantë për humor, ndaj edhe në çdo mjedis që gjendej krijonte një ambient shumë të veçantë. Ishte po ashtu koleksionist i rrall, ndaj edhe si i tillë ishte edhe pjesë e librit tim “Shqiptarët në Zvicër 1001 pamje”, pasi në gjirin e banesë së tij krhas pikturave të çmuara ruante si relikt edhe orën e Tefik Çangës, që Tefiku ia kishte dhuruar gjyshit të Bashkimit, Musë Kolollit në shenjë falënderimi që në një rast e kishte shpëtuar nga gestapoja gjermane.

Këto dy personalitete jo vetëm në familjet dhe rrethin e tyre shoqëror, por edhe në vet familjen time kanë shkaktuar zbrazësi, pasi kemi pas edhe raporte të mira familjare e shoqërore,

Ndaj edhe në emër të familjes dhe Redaksisë së platformës sonë “Transnacional” i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes Hajra në Amerikë dhe familjes së Bashkimit në Zvicër e Ferizaj.