15.5 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Lamtumirë Giuseppe Aquafredda 

Pino,(Giuseppe Aquafredda) Arbëreshi i Spixanës, historian,  hulmtues i kulturës popollore, autor i shumë shkrimeve për historinë e komunitetit arbëresh i Spixanës , aktivist shoqëror, themelues shoqatës Bashkimi, por mbi të gjitha një person i ndershëm i mirë, i urtë dhe që donte Arbërinë me shpirt si arbëresh i vërtet që ishte në gen. Me humbjen e Pinos fatkeqësisht  shkon edhe një pjesë e asaj kulture që ai iu dha me mish e me shpirt.

Aquafreda është një nga miqtë e mi arbëreshë më të hershëm të cilin nuk  shteroi së falënderuar për ndihmën që më jepte mbi kërkimet e mia në mënyrë të veçante për Spixanon e tij që ai e donte dhe punoi me mish e me shpirt.

Kujtoj takimin e tij të parë. Ma prezantoi Z.  Antonio Bellusci, kur  së bashku shkonim në çdo ngulim arbëresh dhe mblidhnim të dhëna në fushë të kulturës arbëreshe.

E gjetëm  Pinon aty, pranë banesës së tij, ulur në barin e lagjes.

I thash që jam duke shkruar një libër mbi ngulimet arbëreshe, ky është edhe motivi  përse jam këtu në Spixanë.  Ai më vështroi dhe më tha: “Më në fund dikush nga Shqipëria, shkruan duke ardhur e vizituar vendet, dhe jo nga katedra”.

Pino Acquafredda bënë pjesë në atë elitë që rrefente këtë Arbëri me buzë të acartë, por të përshkruar me një shpirt të madh.  Shpresa për ringjalljen e një Arbërie  ku të mbizotrojë gjuha arbëreshe ishte  një apotezë dramatike, por midis atij raporti të një pesimizmi individual dhe atij tronditës kolektiv, përjetoheshin e përpunoheshin edhe ëndërrat e tij, kështu që ndërsa  më rrëfente historikun e qytetit të tij  brënda atyre rreshtave shpirti i tij linte ato shkendija dëshire e shprese për të parë një Arbëri të gjallë e jo të asimiluar.

Spixano ka qenë kryeqyteti i arbëreshëve- më thoshte, por çdo ditë e më tepër e shohim që arbëreshët po shuhen.

Herën e fundit e takova gjatë periudhës së pandemisë në vitin 2020. Ishin ditët e para të gushti kur më shoqëroi pothuajse në të gjithë qytezën e Spixano Albanese.

Më në fund më shoqëroi tek zyra ku kishin selinë edhe shoqata e tyre. Kishin pak vite  që ishin transferuar tek Pallati Luci. Qëndronin në katin e parë. Si fillim më tergon për shoqatën “Bashkimi” i cili e themeloi dhe ka punuar pa u lodhur.

Aquafredda ka punuar me mish e me shpirt për të deshifruar dhe bërë kërkime.

Shfletoj disa fashikuj titulluar “Invito” cura di G. Acquafredda, si; biografia di Giovanni Orazzio Rinaldi, me rastin e 75-vjetorit të tij. Shumë interesante: “Anni eroici” Spezzano albanese 1943, 1944, 1946; “Grano, pane e Pasta”; Luigi Cucci “Nella storia del novecento spezzanese”; “Spezzano albanese tra restaurazione e ricostruzione 1947-1949”.

Shoqata“Bashkimi kulturor albanes”. Një shoqatë shumë aktive ku rezultojnë shumë libreti të stampuara dhe publikuara. “I kam lodhur aq shumë sytë, sa i kam qepur dhe shqepur me “gjilpërën-dorëshkrime” duke bërë kërkime mbi çështjen arbërore, si edhe mbi idealet, që fatkeqësisht kanë ngelur utopi”

Prifti i parë i famullisë bizantine Greke për të cilën gjenden dokumente deri më sot ishte Don Martino Barbato, në 1598 filloi librin e parë të pagëzimeve. Në faqen e parë shkruhet titulli i librit “Libro de quelli che son stati batezati per me, D. Martino Barbato, cappellano ac vicario foraniale in Spizzano fatto per ordine dello illustrissimo ac Reverendissimo sig.

Lucio San Severino Archiepiscopo de Rossano, sub die x mensis augusti 1598.

Një sasi librash akoma të pa sistemuara ishin nga të gjitha anët. Për një moment arrinë të gjejë disa publikime të tij dhe mi dhuron.

– Jam qorruar duke deshifruar dorëshkrimet – tha me një zë të prekur. Nuk shikoj shumë. Sapo jam operuar edhe nga nga sytë- më tha Ai.

Pastaj, Ai, duke kërkuar nga një cep në cepin tjetër midis libra më dhuroi disa prej punimeve të tij.

Ecnim të dy në rrugat e Spixanës  Pino ku më shoqëroi në çdo lagje dhe e ndjeja që ishte shumë i lodhur, me një fije zëri  por si një ciceron i vërtetë më përshkruante qytetin e tij në çdo hap që hidhnim.  Ndërsa po arrinim branë banesës së tij, me këmbët që shkonin për inerci prej lodhjes dhe shëndetit të dobët, nuk kundërshtoi, por mobilizoi forcat  dhe si një ushatr që që çon deri në fund misionin e tij, drejtoi disi shpatullat të përkulura nga lodhja.

Nuk folëm të dy në atë çast. U dëgjua vetëm shkrepja e fotos.

Më vjen keq për maskerinën që përmban ajo foto, por nuk e hoqja asnjë çast  sepse respektoja shendetin e Pinos.

Me  përulje  e sytë e lagur Ju përqafoj fort : Buon Viaggio  prof Pino. E di që këtë herë do më falesh,  dhe nuk do të inatosesh pse të therras Profesor, por për mua do të ngelesh i tillë!

Ornela Radovicka
Qëndra Albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën Arbëreshe, pranë Bibliotekës A. Bellusci