20.3 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

«Plisat» nga Dübendorfi shfaqën një program tejet simpatik në Cyrih

Shoqata Kulturore “Plisat” nga Dübendorfi ( Dybendorfi) të kantonit të Cyrihut, pati mbrëmë një paraqitje tejet mbresëlënëse bashkë komunitetet e tjera në një koncert tradicional pranveror që zakonisht mbahet në skenë të hapur në qendër të Schwandigenit të Cyrihut

Teksti Rexhep Rifati & Fotot Afrim Nevzadi

Kjo shoqatë tejet aktive, që në qershorin e sivjetëm shënon 10 vjetorin e themelimit, e që udhëhiqet me shumë sukses nga Mexhid Morina, është bërë një prezantuese simpatike e kulturës sonë jo vetëm në mesin e mërgimtarëve por edhe para artdashësve të komuniteteve të tjera që jetojnë në kantonin e Cyrihut. Ndaj edhe zakonisht ftohet për të prezantuar kulturën shqiptare përmes  këngëve dhe valleve në festa të përbashkëta edhe me komunitete të tjera, aq më parë që në kanton ju krijohen mundësi të gjitha nacionaliteteve që të prezantojnë veprimtari të shumta kulturore.

Siç dihet numri i grupeve artistike shqiptare sa vjen e shtohet, kështu ndodhi edhe me Shoqatën Kulturore Shqiptare “Plisat” në Dybendorf, në Qershor 2013, meqë rast ajo rreth vetes tuboi kryesisht nxënës e të ri, të lindur e të rritur në Zvicër, me qëllim që ata duke bartë një pjesë të kulturës shqiptare nga vendlindja e prindërve të tyre do të lidhen edhe më tepër me atdheun dhe traditat kombëtare. Kështu ndodhi edhe në paraqitjen e mbrëmshme të Shoqatës “Plisat” të përbërë kryesisht nga vajzat e reja shqiptare, që ndonëse mësimin e ndjekin në gjermanishte, dinë të lozin e këndojnë për mrekulli këngën tonë të bukur shqipe.

Edhe mbrëmë “Plisat” na sollën kënaqësi të veçantë me këngën, vallet dhe veshjen e e tyre, që në të shumtën sigurohet nga vet kryetari i shoqatës Mexhid Morina, duke pas edhe përkrahjen e e prindërve të anëtarëve të grupit. Ndërsa që edhe koreografinë dhe përgatitjen e valleve e bëjnë dy nga antaret që tash më kanë krijuar një bazë të mirë të vallëzimit shqip.

Mbrëmë grupi i veshur me kostume dhe i pajisur me flamuj kombëtarë që defiloi në një skenë të hapur në qendër të Schwamendigenit u duartrokit nga të pranishmit të cilët edhe iu bashkuan valleve në përmbyllje të programit , duke i dhënë pamjen e një manifestimi vërtetë shumë etnik. Mjaft nga të huajte donin të kenë edhe foto të përbashkët me artistët tanë të vegjël.

“Plisat” , duke lënë një mbresë të veçantë, para publikut vendas edhe mbrëmë në këtë pjesë të  Cyrihut, sollën një pjesë të traditës kulturore nga vendlindja e prindërve të tyre, atë kulturë shqiptare që ka një histori më të lashtë e që bartet nga brezi në brez.