Komuniteti shqiptar në Zvicër rrallë ka përjetuar një pikëllim aq të thellë, sa sot për ndarjen nga jeta të Dr. Shqiponja Qamil Isufi, ligjëruese në Universitetin e St. Gallen-it, njërit ndër universitetet më të spikatura në botë në fushën ekonomisë.
Lajmin e kumtoi familja Isufi, se : “Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe qytetarët se nga ne u nda papritmas, në moshë të re, më e dashura dhe më e shtrenjta jonë, Shqiponja Isufi, Dr. e Shkencave Ekonomike,
E pikëlluar mbarë familja Isufi”
Duke e i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Isufi, me këtë rast shkëputa tekstin autentik nga libri im për shqiptarët në Zvicër, me të mbrojtur doktoratës nga ana e Shqiponjës:
Shqiponja Isufi me prejardhje nga Gjilani e lindur më 29 Janar 1981. Ajo, në moshën 29-vjeçare, në afat rekord dhe me sukses të shkëlqyeshëm, mbrojti temën e doktoratës, në lëmin e ekonomisë, në Universitetin e Cyrihut. Shqiponja në këtë universitet regjistrohet në vitin 2002 dhe magjistron në vitin 2007, në ekonominë e ndërmarrjeve. Vetëm brenda një viti e gjysmë përgatit dhe mbron tezën e doktoratës: “Analiza e ndërtimit të ndërmarrjeve të vogla nga këndvështrimi i auditorëve”, në Universitetin e Cyrihut.
Shqiponja, në momentin kur e zhvilluam bisedën, pas mbrojtjes së doktoratës, punonte asistente shkencore në Universitetin e St. Gallenit, ndërsa një pjesë të orarit të punës e mban edhe si hulumtuese shkencore në Universitetin e Cyrihut. Ajo që e shquan këtë eksperte të re shqiptare është pasioni për dije e shkencë, por mbi të gjitha afërsia njerëzore, veti kjo e kultivuar kaherë në familjen Isufi.
Nga takimet e mëvonshme me studentët shqiptarë në Fakultetin Ekonomik në ST. Gallen ku ligjëronte Shqiponja, kam mësuar se ajo ka qenë një dorë e djathte për ta. Ndaj edhe sot, brezi i saj universitarë, por edhe studentët e saj këtë lajm e pranuan me shumë dhembje e pikëllim, si një humbje të pa kompensueshme jo vetëm për familjen, por edhe komunitetin tonë në shtetin helvetik.
( Me këtë rast: dy foto me Shqiponjën në Universitetin e Cyrihut më 23 Dhjetor 2010 dhe dy nga akti i mbrojtjes së doktoraturës, me prezencë të prindërve të saj që bën shumë për te, por që edhe ajo i bëri ata përherë krenar, si dhe një foto me studentet e brezit të saj)





























