14.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Mehdi Frashëri: Tirana kryeqytet

Ca fragmente nga botimi i parë i librit “ Tirana kryeqytet”, me autor Mehdi Frashëri i botuar në Shtypshkronjën “Tirana” 1924, konspektuar nga profesor Bardhyl Adem Selimi

Para një viti, po ndiqja një emision televiziv, ku shoku im, zoti Bedri Alimehmeti, shpjegonte si u bë Tirana kryeqytet. Aty mora vesh për ndikimin e madh që pat ish mbreti Zog i Parë që arriti t’ua mbushte mendjen krerëve të parisë së qytetit duke u premtuar shumë të mira, gjë që u bënë vërtet.

Tani sapo lexova ca shënime të njërit nga politikanët e shquar të viteve 20, Mehdi Frashërit, pikërisht për këtë temë. Më intereson edhe mua pasi i kam kaluar 75 vjet jetë në këtë qytet bujar dhe mikpritës. Familja e nënës sime ka gjetur strehë aty që nga viti 1924.

Besoj se edhe shumëkujt do t’i interesonte pse Tirana u caktua kryeqytet, duke lexuar shënimet e Mehdi Frashërit nga të cilat shkëputa vetëm pak fragmente.

  1. 88

E ardhmja e Shkodrës është e lidhur jo me të qënurit kryeqytet, por si vend tregtie dhe industrie. Veprat hidraulike, ndërtimi i udhës së hekurt Shëngjin- Prizren- Danub, krijimi i limanit të Shëngjinit, marrëveshje ekonomike me kushte reciproke me Jugosllavinë, organizimi i punimit të duhanit, të peshkut e sidomos të konservës dhe haviarit, shfrytëzimi i bakrit në rreth të Pukës, përdorimi i fuqisë elektrikë në Bunë e Drin, shfrytëzim i pyjeve dhe punimi i djathnave në malet e saj- gjenisë tregtare të Shkodrës ka me i dhënë një zhvillim të mrekullueshëm dhe ka me pru begati dhe fatbardhësi me rrënjë e ka me qenë Hamburgu ose Milanoja e Shqipërisë së re.

Po Vlora?!  

Një qytet në breg të detit është i destinum për me qenë qendër tregtie dhe zhvillimi detar, por jo kryeqytet. Kryeqyteti i Italisë nuk mund të jetë Gjenova apo Venecia, por Roma në mes të vendit. Ashtu edhe në Francë Parisi dhe jo Marseja, Bordoja apo Dunkerku. Në Gjermani Berlini e jo Hamburgu. Veç të tjerash, kryeqyteti në Vlorë mund të nxiste përçarje veri-jug, Toskë- Gegë

1.90

Popujt, nga njëherë, kur kalojnë ndryshime të mëdha, të papritura e të papërgatitura, tregojnë shenja çmendurie.

Pse Tirana?

Tirana ka të gjitha mjetet e natyrta të begatisë, të zhvillimit bujqësor, industrial e tregtar, kodrat e bukur pa gur, me një naltësi të vogël, transformohen në vreshta rrushi, fiku e gropat e tyre, që i kanë kthyer krahët muranit, në kopshte portokallesh. Ujrat që e rrethojnë për së afërmi, si Lana e Lumi, Limuthi, Tërkuzi, pak më së largmi Erzeni formojnë landë fuqi elektriku, landa pjellore për me njomë tokat. Pyjet i ka afër, gjithë gropë e Tiranës është karbonifer, thëngjill-mbajtëse.

Një pjesë e malit të Dajtit në verilindje ka një livadh të madh në forme trapezi, me ujra të bulbërta sa me ushqye një qytet të madh, me dru prej ahu, me pamjen e detit, e të gjitha fushave, me erën e kulluar, me klimënë e fortë, po të lidhet me qytetin me një teleferik, prej 8 ose 10 kilometrash. Mbasi të bahet tramvaji i Durrësit do të bahet qyteti verës të Tiranës dhe vend i një senatoriumi.

…Tirana mund të zbukurohet shumë shpejt në se 10 % e buxhetit shpenzohet për këtë qëllim. ( e përmblodha unë- B.S.)

…Ka edhe shumë faktorë të tjerë strategjikë e moralë. Është më e mbrojtur gjeografisht nga sulmet e armiqve dhe populli i pandikuar nga progaganda sllavo-greke. (e përmblodha unë- B.S.)

Konspektoi Bardhyl Selimi 8 dhjetor 2021