Shoqata Kulturore Shqiptare “Bashkimi” nga Usteri (Ushteri) i kantonit të Cyrihut, me mbi çerek shekulli veprimtari, shquhet me një gamë të gjere aktivitetesh, veçmas në sferën e kulturës, me programe tejet solide, duke dëshmuar se kur veprohet përmes një kryesie kompakte, se edhe rezultatet asnjëherë nuk do të mungojnë, madje edhe duke e organizuar edhe një panair libri
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Sa i përket programeve qe ka shfaqë deri më tash “Bashkimi”, me to ka tërheq një pjesë të mirë të mërgimtarëve të kësaj ane që janë
me prejardhje nga të gjitha trojet shqiptare. Krahas grupit të këngëve e valleve, të dy grupmoshave, “Bashkimi” shquhen me programe solide artistike. Kryetari i shoqatës, “Bashkimi, Guximtar Alulishi, me prejardhje nga Struga, më shumë është i prirë të punojë se sa të flasë, ndaj edhe zakonisht meritat ia atribuon anëtareve të grupit artistik dhe kryesisë së shoqatës. Meritën për programet e organizuara, ia përshkroi grupit të koreografeve, në përbërje Leonora Sakipi , Fatlume Salija, Diellza Alishani dhe Edonjeta Alija. Ndërsa që disa pika me nxënësit e mësimit plotësues i kishte përgatit edhe mësuesi i mësimit plotësues Vaxhid Sejdiu. Pjesë e mirë e këtij programi, krahas valleve, ishin këngëtarët: Isuf Rashiti, Ylli Ismaili e Blerta Sopa dhe recituesja Nora Sejdiu.
Ti kthehemi historikut të Shoqatës “Bashkimi”: Ajo u themelua qysh në vitin 1993 dhe në fillim zhvilloi një veprimtari shumë të organizuar humanitare, për dërgimin e veshmbathjeve dhe artikujve të tjerë për familjet refugjate të Kosovës në Shqipëri . Në fillimet e kësaj pune shquhej Fazli Tahiri, i cili bashkë me një grup veprimtarësh nuk kishin të ndalur.
Pikërisht më 17 Shkurt 2019 , pata rastin ta ndjek nga afër programin e “Bashkimit”, kur edhe doli në skenë para qindra mërgimtarëve në sallën e Teatrit të Ushterit me një program tejet të pasur artistik. Vetë numri i artistëve të dy grup moshave ishte një dëshmi se në këtë lokalitet jo vetëm që jeton një komunitet i madh shqiptar, por edhe i organizuar e tejet dinamik, sidomos aktiv në fushën e ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë sonë kulturore. Anëtaret e shoqatës “Bashkimi” në skenë defiluan me një tufë këngësh e vallesh, ku veçmas spikati grupi i fëmijëve që i dha hijeshi e freski manifestimit ,duke ngjallë emocione te të pranishmit, sidomos duke tërheq vëmendjen e moshatarëve të tyre . Në pjesën e dytë të programit me këngë popullore e folklorike vazhduan këndimin Malsori dhe Isuf Rashit.
Ndërkohë, zhvillova një bisedë të shkurtër me kryetarin e Shoqatës “Bashkimi”, Guximtar Alushi, me prejardhje nga Struga, nga i cili mësova se shoqata që si tersi ka 200 anëtarë, e që ka një kryesi prej 15 anëtarësh, është duke u profilizua nga një shoqatë humanitare në një shoqatë kulturore, me qëllim që të rinjtë dhe fëmijët ti kthehen sa më shumë që të jetë e mundur rrënjëve të prejardhjes, si dhe kulturës e traditës së të parëve dhe kështu ti shpëtojnë për aq sa është i mundur valëve të asimilimit që imponon vendi ku jetojnë e veprojnë.
Përndryshe edhe kjo shoqatë, gjegjësisht prindërit dhe anëtarët e saj kujdesen edhe për blerjen e kostumeve dhe sigurimin e lokalit e të instrumenteve.
E veçanta e njërit nga organizimet e “Bashkimit” ishte edhe një program i përbashkët me Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova” i cili në Uster, ofroi një program solid, që rrallë herë shihet në manifestimet e mërgatës.
Krejt në fund të theksojmë se kjo shoqatë, tash kryesisht me petk kulturor tubon rreth 60 anëtarë moshash të ndryshme, me prejardhje nga të gjitha trojet tona etnike, derisa në fillim veprimtarinë e saj e filloi si shoqatë humanitare për të ndihmuar me gjitha format popullatën e rrezikuar në Kosovë, së voni është përqendrua kryesisht në sferën e kulturës, madje edhe në organizmin e një panairi shumë të suksesshëm libri që tuboi autorë e shtëpi botuese nga trojet shqiptare e mërgata.








































